”Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,…Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne…, u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimijat e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,…çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,…zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët…”Xhemile Zekiq.
Me 11 korrik 2015, mbushen plot 20 vite nga gjenocidi i kryer në Srebrenicë nga forcat paramilitare, policore, ushtarake, serbe ndaj zonës mbrojtëse të sigurisë në Srebrenicë të shpallur nga KS i OKB-së, me ç’rast vetëm për një javë, prej 11 korrikut e derë më 18 korrik 1995 janë vrarë dhe likuiduar 8372 boshnjakë myslimanë të dorëzuar, të zënë peng, të zënë robër, prej moshës së mitur deri në moshën 84 vjeçare.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka konfirmuar gjenocidin e kryer në korrik të vitit 1995 në hapësirën e Srebrenicës. Kjo është ditë përkujtimi të cilën boshnjakët e shënojnë çdo vit, ditë në të cilin ka ndodhë katrahura më e madhe në Evropë, pas Luftës së dytë botërore, gjenocidi mbi boshnjakët. Kjo është ditë, e sidomos sivjet në përvjetorin e 20-të saj, e cila do të shënohet anembanë Evropës në përgjithësi, por do të duhet edhe ne shqiptarët të përkujtojmë këtë ditë, pasi që Parlamenti Evropian më 17 janar 2009 ka miratuar Rezolutën për Srebrenicë me ç’rast 11 korrikun e ka shpallur ditë evropiane në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë.
Për nder të shënimit të përvjetorit të 20-të të gjenocidit në Srebrenicë, në Prizren me 9 korrik në ora 17.00 u mbajt defileu i qytetarëve të Prizrenit me rrethinë, organizuar nga organizatat joqeveritare boshnjake dhe Drejtoria për kulturë e komunës së Prizrenit, të quajtur Marshi i Paqes. Defileu nisi nga Qendra Sportive dhe përfundoi në qendër të Prizrenit në Shadërvan, buzë Lumbardhit me një pjesë artistike të përkujtimit të viktimave të pafajshme të Srebrencisë.
Këtu në këtë përvjetor të 20-të gjenocidit të kryer mbi boshnjakët në Srebrenicë do të paraqes dhjetë karakteristika kryesore të cilët e karakterizuan gjenocidin në Srebrenicë.
E para, gjenocidi është kryer në ambientin e luftës që u zhvillua gati për plot 4 vite në Bosnjë e Hercegovinë. E dyta, gjenocidi në Srebrenicë ka pas qëllimin kryesor dhe aksesor, qëllimi kryesor ishte zhdukja e popullit boshnjak, aksesor ishte vrasja kryesisht e boshnjakëve meshkuj të Srebrenicës.
E treta, gjenocidi i kryer në Srebrenicë, ka qenë shumë mirë i planifikuar dhe i organizuar më parë nga krerët më të lartë udhëheqës politik e ushtarak serb me qëllim të zhdukjes së pjesërishme apo tërësishme të grupit të caktuar etnik, fetar, racor, gjegjësisht të boshnjakëve të Bosnjës.
E katërta, ishte plani i krijimit të Republikës Serpska në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët të cilët nuk janë serb, apo i përkasin grupit tjetër etnik e fetar.
E pesta, është përdorur miti serb i kahershëm, për shpëtimin e Evropës së krishterë nga rreziku dhe kërcënimi islamik i Bosnjës.
E gjashta, gjenocidi i kryer në Srebrenicë ndodhi midis Evropës, edhe pse pas procesit të Nyrnbergut është thënë”Kurrë më”, pikërisht kjo ndodhi në Bosnjë, në Srebrenicë e cila ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
E shtata, gjenocidi i kryer në Srebrenicë akoma nuk po pranohet nga serbët si gjenocid, por trajtohet si luftë qytetare, luftë fetare, krimi i kryer, krim kundër njerëzimit, por jo edhe gjenocid.
E teta, pas gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në vend se të dënohet agresori serb, ai u shpërblye me krijimin e Republika Sërpskës në Bosnjë e Hercegovinë me marrëveshjen paqësore të Dejtonit, me ç’rast Bosnja e Hercegovina u nda de jure në dy pjesë.
E nënta, boshnjakët gjatë gjithë kohës së ekzistimit të tyre si popull, komb, etnos i veçantë janë akuzuar nga serbët se me pranimin e islamit kanë tradhtuar origjinën krishtere sllave, andaj duhet dënuar dhe zhdukur, gjë që këtë në mënyrë publike e tha komandanti serb Ratko Mlladiq, pas hyrjes së tij në Srebrencië, “ erdhi koha për t’u hakmarrë kundër turqve-boshnjakëve.
E dhjeta, edhe pse ishte shpallur zonë mbrojtëse me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara, ajo me qëllim u sakrifikua për të përfunduar luftën dhe për arritur marrëveshjen paqësore të Dejtonit. Forcat ajrore të NATO-së, edhe pse kishin mandat për të mbrojtur zonën e sigurisë së Srebrenicës, nga KS i OKB-së, “me qëllim” kanë hezituar të bombardojnë caqet serbe, me ç’rast do të kishin parandaluar një gjenocid të tillë në Srebrenicë, pasi që ka dështuar e tërë komanda zingjirore “me dashje” nga ish komandanti i UNPROFOR-it e gjer te ish sekretari gjeneral i OKB-së.
Gjatë këtyre ditëve të përkujtimit të 20 vjetorit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë gazeta britaneze “The Guardian” para ca ditësh ka shkruar për prapavijat e ngjarjeve që kanë paraprirë gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në të cilin përveç tjerash ceket në shkrimin në fjalë: ” sot ekziston një varg faktesh se rrënja e Srebrenicës ishte pjesë e politikës së tri fuqive të mëdha, Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve e Bashkuara të Amerikës, dhe udhëheqjes së Kombeve të Bashkuara, të cilët në kërkim të paqes me çdo çmim, e kanë sakrifikuar Srebrenicën për paqe në llogari të Srebrenicës. Fuqitë e mëdha kishin për qëllim të heqin dorë nga ekzistimi i enklavave, dhe ishin të vetëdijshme se do të pasonte spastrimi etnik i Srebrenicës, por edhe se pjesëtarët e UNPROFOR-it i kanë lënë civilët pa mbrojtje dhe kanë refuzuar t’ju ndihmojnë. Sipas dokumenteve amerikane nga të cilët është hequr sekreti, detajet e krimeve kanë arrit tek shërbimet sekrete perëndimore para se të fillojnë me 13 korrik, ndërsa operativistët e CIA-së kanë përcjell “live” transmetimin në lokacionin në Vjenë”, shkruan përveç tjerash gazeta britaneze The Guardian.
Këtu nuk mund e të mos e citojë edhe thënien e ish Reisit të çmuar të Bosnjës e Hercegovinës dr. Mustafa Ceriqit, i cili për gjenocidin në Srebrenicë, përveç tjerash ka thënë:” Srebrenica është qyteti në të cilin është lejuar që njeriu i pafuqishëm të dëbohet nga shtëpia e vet dhe të vritet i pafajshëm vetëm sepse ishte mysliman. Nga 11 korriku 1995 e më tutje, Srebrenica është më tepër se qyteti dhe më shumë se emri i vet. Srebrenica është vendi i provimit të ndërgjegjes njerëzore për të gjithë ata të cilët kanë mundur e nuk e kanë parandaluar krimin ndaj njeriut të pafajshëm. Srebrenica është emër i cili sot rrotullohet rreth botës që të zgjojë ndërgjegjen njerëzore e cila duhet ballafaqohet me vetveten ndërmjet të mirës dhe të keqes, të zgjedh të mirën. Pasi që tjetër rrugëdalje nuk ka për shoqërinë njerëzore, në rast se do të jetojë në mirësinë e frytit të vet”.
Nga ky përkujtim i shënimit të 20 vjetorit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë duhet nxjerrim mësim për gjenocidin jo vetëm si fakt historik, por edhe si mënyrë për të përkujtuar të gjithë neve nga rreziku i tanishëm aktual i racizmit, nacionalizmit, sektarizmit dhe plotë shembujve tjerë të jo tolerancës njerëzore që mbretërojnë aktualisht në globin tokësor në përgjithësi e në Lindjen e Afërt në veçanti. Ky përkujtim le të shërbejë gjeneratave të reja se duhet të çmojnë demokracinë dhe drejtat njerëzore, të largojnë nga vetja e tyre urrejtjen, jo tolerancën dhe konfliktet. Duhet të respektojnë vlerën e jetës njerëzore, integritetin e njeriut si qenie më e çmueshme , të respektojnë religjionet dhe popujt e ndryshëm.
Do të përmbylli këtë përkujtim të 20 vjetorit të gjenocidit të kryer mbi boshnjakët në Srebrenicë , me një rrëfim të tmerrshëm, pas së cilës, “edhe po të kishte pasur njeriu zemrën prej gurit, ajo do të copëtohej nga një rrëfim i tillë”, të boshnjakes Xhemile Zekiqit dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë:
”Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,…Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne…, u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimijat e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,…çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,…zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët…”
Faik Miftari
10.7.2015