Behxhet Sh. Shala: Mallkim i Perëndisë apo rezultat i grykësisë?

Historikisht duket se shqiptarët nuk po lëvizin nga udhëkryqi ku i kanë mbërthyer të tjerët, që pastaj i degdisin në drejtim që atyre u duhet, pasi shqiptarët, si rosat në mjegull, nuk e gjejnë rrugën e duhur. Gjithashtu, shqiptarët historikisht kanë pasur mungesë të liderëve që shohin pak më larg se hunda e tyre, prandaj vendi i tyre i preferuar apo streha e përjetshme ka qenë udhëkryqi.

Nuk ka popull në botë që i ka nëpërkëmbur vlerat e vërteta sikur që e kanë bërë shqiptarët sikur që nuk ka popull që i ka afirmuar vlerat e dyshimta, të ndryshkura apo të rreme që kanë një emër, antivlera. Në çdo vend të botës politikanët nuk krijohen brenda natës dhe analfabetët nuk bëhen ministra apo deputetë sikur që ndodhë në Kosovë.

Shqiptarët e kishin një udhëheqës që kishte vizion politik para luftës së dytë botërore por që nuk e vlerësuan, as sa duhet e as si duhet. Madje, vet shqiptarët e vranë ideologun politik dhe ushtarak të shqiptarëve pasi që paraprakisht e fyen dhe e futën nën dyshime deri te tradhtia kombëtare. Ai ishte Hasan Prishtina emrin e të cilit e mbanë Universiteti i Prishtinë dhe në murin ku dikur ishte Hasan Prishtina si emërtim, nuk kanë mbetur as dy shkronja të vetme. Merreni me mend, ata që donin të fitonin poenë politik, kombëtarë dhe patriotik, emrin e Hasan Prishtinës në murin në oborrin e Universitetit e bënë me copëza të stiroporit, për turp. Shqiptarët kishin dy komandant politikë, Hasan Prishtinën dhe Adem Demaçin ndërsa kishin edhe dy komandantë ushtarakë, Skënderbeun dhe Adem Jasharin. Se si përfundoi Hasan Prishtina tregova më lart. Skënderbeu u detyrua të kërkojë azil në Itali pasi erdhën “miqtë” tanë nga Azia dhe të cilët “bashkëjetuan” me ne 500 vjet duke na ngulur në hunj, nëse nuk kemi dashur të “bashkëjetojmë” me ta. Dihet mirë se si trajtohet Skënderbeu sot nga disa që turqit i konsiderojnë si çlirimtarë dhe jo okupatorë e që në fakt ishin të tillë.

Adem Demaçi ishte peng i regjimit jugosllav dhe serbë afërsisht 30 vjet në llogoret e Jugosllavisë në ndërkohë që ata që i shërbyen atij regjimi dhe të cilët pastaj u sistemuan në të gjitha pushtetet, qoftë komuniste apo edhe demokratike deklaronin se ai nuk ishte në burg por qëndronte nëpër hotele dhe banja termale. Të pafytyrët ndërrojnë maska por nuk bëhen me fytyrë, mbesin gjithmonë të pafytyrë.

Nuk ka shqiptar në Kosovë që është fyer dhe pushkatuar mediatikisht dhe publikisht më shumë se Baca Adem. Nga të pafytyrët, natyrisht! Kur u duhej Adem Demaçi që ishte identifikim dhe personifikim i sakrificës për liri kombëtare dhe njerëzore, thoshin se ne e kemi Mendelën tonë dhe të Ballkanit kurse kur u pengonte në veprimet e tyre antikombëtare thonin se ky është vëlla i serbëve. Sidomos ata që flisnin shqip e vepronin serbisht. Sot, të tillët janë bërë edhe forcë politike, për fatin tonë të keq prandaj nuk po lëvizim nga udhëkryqi dhe me gjasë do të hyjmë në një rrugë njëkahëshe qorre.

 

Komandantin Legjendar, Kurbanin e Çlirimit të Kosovës, Adem Jasharin, këta që e sulmuan Bacën Adem, kur kishin frikë dhe nuk kishin pushtet e konsideronin çlirimtar kurse tani, kur horrat po mbizotërojnë në hapësirat tona si brigadë të antivlerave, po e konsiderojnë si kapadai nga i cili, i tërë fshati paska qenë i terrorizuar sikur edhe rrethina ku paska vepruar. Të pafytyrët e maskuar nuk e fshehin dot pafytyrësinë e tyre. Ma gjeni një personalitet që ka lëvizur proceset te shqiptarët e që ka mbetur i panjollosur?! Po them që i ka lëvizur proceset sepse çështja shqiptare në Ballkan ka mbetur e pazgjidhur dhe për momentin vetëm është konservuar duke bërë përpjekje të mirëmbahet në përputhje me ineteresat e atyre që vranë dhe kthjellin e që në shumë raste po e dëmtojnë ardhmërinë tonë sikur edhe sigurinë në rajon. Prandaj jemi aq të përçarë, aq të ndarë dhe aq të sharë.

 

Kërkesa të mëdha për një Kosovë të vogël

 

“Miqtë” ndërkombëtarë na duan shumë. Vetëm për ne mendojnë, prandaj na hipin, na kërcejnë dhe na shalojnë sa herë që duan. Fatkeqësisht, kohëve të fundit e kanë potencën e rritur. A është kjo meritë e shqiptarit Ferid Murati që e zbuloi atë ilaçin që i ka bërë të lumtura femrat dhe i ka gëzuar kurvat politike, apo jemi të parezistueshëm në tundim, nuk e kam ende të qartë. Ama se nuk po na zbresin kohëve të fundit, është fakt material. Ka qenë virtyt dhe specialitet i disa “ miqve “ ndërkombëtarë t’i shalojnë, edhe meshkujt edhe femrat në Kosovë dikur (në kohën e transicionit) por ky transicion duket se nuk po ka fund. Shumë veta pas kësaj kanë ndërtuar karrierë politike duke u bërë kurva politike ndërsa edhe shoqëria civile (disa raste që nuk janë edhe të izoluara) janë parapaguar në projekte duke avancuar pastaj në kurva politike! Për të padëgjueshmit dhe të pabindurit e shoqërisë civile dhe personaliteteve publike ndërkombëtarët, në “partneritet” me vendorët kanë përpiluar aktakuza diferencuese dhe margjinalizuese duke mos i bërë publike, por duke i mbajtur në sirtar sikur aktakuzat kundër Millosheviqit dhe kriminelëve tjerë.

Të padëgjueshmit dhe të pabindurit llogariten si kriminelë sepse pengojnë në realizimin e projekteve politike duke e mbrojtur mjedisin njerëzor, moral, kombëtar dhe mjedisin ku jetojmë, atë fizik. Sot është shumë rrezik nëse udhëton afër ndonjë liqeni apo lumi dhe ke nevojë ta kryesh nevojën e vogël, të arrestojnë, jo për ndotje të ambientit por për tentim të helmimit të ujit. Nëse ke mjekër dhe pantollona të shkurtër, garant je i ISIS-it. Po të shkojë mendja për nevojë të madhe (shkaku i një diarreje të mundshme) mund të akuzohesh se ke pasur qëllim ta aktivizosh arsenalin bërthamor që nuk e ka as Putini.

 

Në vitin 1984, nëntë ushtarë shqiptarë të ish-Jugosllavisë u patëm arrestuar dhe dënuar para Gjykatës ushtarake në Zagreb me burg të rëndë prej 2 deri në 12 vite kinse e paskemi zbuluar një helm që do ta gjuanim në ushqimin e ushtarëve (mbi 1000 ushtarë në kazermën në Ilirska Bistricë), por, i cili do t’i helmonte vetëm ushtarët serbë, kroatë, sllovenë, maqedonas, boshnjak, hungarezë dhe pjesëtarë të kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë dhe do t’i kursente vetëm ushtarët shqiptarë.

 

Përkundër këtij zbulimi “epokal të helmit që ndikon në baza etnike” atë vit, ne nuk e fituam Çmimin Nobel për Kimi, por dhjetëra vite “pushime” në llogoret e Jugosllavisë ku e takuam edhe “vëllanë” e serbëve, Bacën Adem Demaçi. Dhe kjo ishte periudha më e mirë e jetës sime dhe besoj edhe e çdo atdhetari. Realisht, për herë të parë po e pranoj publikisht se formulën e helmit që i helmon të gjithë të tjerët ndërsa i kursen vetëm shqiptarët ndonëse e konsumojnë të njëjtin ushqim dhe në të njëjtën kohë ishte Pjer Kiri shqiptar apo Aga i Kaçanikut, Hysen Shurdhani, i cili u dënua me 12 vjet burg ndërsa edhe unë që vetëm e mbaja epruvetën ku Aga, me alkiminë e tij gjeniale, bëri çka bëri, u dënova me 12 vjet burg. Çfarë diskriminimi?! Nga perspektiva e sotme nuk kemi pse të hidhërohemi me ato dënime aq më parë që hetimet ndaj nesh i kryenin oficerë “shqiptarë”, që për fatin tonë të mirë sot janë bartës të posteve të larta publike në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës madje janë të nderuar edhe me dekoratën Hero i Kosovës!

Neve po na ngarkojnë një barrë që nuk e mbajmë dot, ta luftojmë ISIS-in për të cilën nuk kemi as kapacitete fizike e as profesionale ta bëjmë këtë. Nëse nga kafshimi i gjarprit (më mirë gjarpërushës), mbrojtja më efikase është pikërisht serumi me helm të gjarprit, edhe ISIS-in më së miri dhe më së lehti e luftojnë ata që e kanë formuar apo që e përdorin për aq kohë sa ju duhet.

 

Na kanë prishë edhe gjumin e natës (për atë të ditës as që bëhet fjalë) duke na bindur se Gjykata Speciale po bëhet për të mirën e shqiptarëve sepse, shqiptarët e “ndyrë” në vazhdimësi duhet të kalojnë në procesin e larjes dhe shpëlarjes, sepse Tribunali i Hagës që ka qenë i kontaminuar politikisht e paska bërë pastrimin e shqiptarëve jo në mënyrë të duhur prandaj u dashka të kalojnë edhe në një proces të larjes në lavatriçet e UNMIK-ut, EULESH-it dhe Komorave të “drejtësisë” në Beograd, Podgoricë dhe Skopje. Tash, me përparimin e teknologjisë higjienike, paraqitet nevoja për një Gjykatë Speciale që i pastron vetëm shqiptarët ndërsa të tjerët, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë janë pastruar me ujët e bekuar të otac Pavles dhe paramilitarëve politikë ndërkombëtarë, që u bënë aq shumë lëshime dhe që po u bëjnë edhe sot e kësaj dite. Kur na patën dënuar në vitin 1981 në Sarajevë mua dhe disa shqiptarë të tjerë, për ta krijuar një baraspeshë dhe jodiskriminim të motivuar etnikisht, në mungesë të gjykatësve shqiptarë, si kryetar të Gjykatës së Qarkut e patën emëruar një boshnjak mysliman (edhe ne ishim myslimanë), Rizah Hoxhiq i cili u soll me ne sikur në te të ishin 100 Millorada. Urdhërues të burgosjes dhe dënimit tonë ishin baballarët dhe majkat e disa “kuadrove” politike sot në Kosovë që kishin ardhur në Sarajevë duke kërkuar dënimin e disa shqiptarëve si shembull që shqiptarët e tjerë ta palosnin bishtin. Ashtu ishin shprehur në atë kohë. Gjykata Speciale, jo që nuk përmbush kriteret multietnike për gjykatës, prokurorë, administratorë, Ombudperson dhe gardianë burgu, por as ato fetare. Situatën mund ta shpëtojë vetëm Karim Kan dhe Tomë Gashi që mund t’i japin karakter multietnik të tolerancës fetare kësaj Gjykate monstrum.

 

Po na thonë që të pranojmë që një OJQ serbe (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) të regjistrohet në Bruksel dhe ta pranojmë që kjo OJQ-ë ta ketë financimin nga trojka apo çetvorka (Serbia, komuniteti ndërkombëtar, grazhdi i Isës dhe haraçi i Rakiqit), t’i ketë disa qindra policë (PK) dhe ushtarë (FSK) dhe disa qindra paramilitarë (Rojet e Urës). Këto nuk shkojnë pa ministri përkatëse dhe përfaqësim politik prandaj, mos e merrni si shtet brenda shteti por merreni pak më shtruar ; si njësi federale brenda shteti që juridikisht është më e lehtë dhe më e pranueshme.

Po na thonë që Parku i Paqes nuk është pengesë për lëvizje të lirë dhe se nuk është mbjellë nga kriminelët por se ai është Parku i Edenit dhe pushimore për Adamin dhe Evën ku, kohë pas kohe mund të qëndrojë edhe Edita.

Janë krijuar dy taborre “ndërluftuese” të shqiptarëve; ata që pa kushte pranojnë çdo gjë që vjen nga “miqtë” ndërkombëtarë dhe atyre që mendojnë se nuk është e mirë çdo gjë që vjen nga “ miqtë” ndërkombëtarë. Në fund të fundit, edhe qenit nëse ia gjuani një copë ushqim, para se ta hajë, i merr erë nëse do ta dëmtojë shëndetin e tij, qoftë edhe të qenit! E pse ne duhet gjithmonë ta durojmë erën e tjetërkujt, në shumë raste të kufomave politike?! Prandaj edhe jemi aq të përçarë, të ndarë dhe të sharë midis njëri-tjetrit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …