Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës shpreh keqardhje për rrjedhën e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, më 6 dhjetor 2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës shpreh keqardhje për rrjedhën e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, më 6 dhjetor 2018. Që nga viti 2007, Kosova ka bërë përpjekje të konsiderueshme për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe për kontributin në fuqizimin e procesit të integrimit ekonomik rajonal. Gjatë kësaj periudhe Kosova është prekur seriozisht nga kufizimet e pajustifikuara të vendosura në tregtinë e saj si nga Serbia, ashtu edhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Kosova i ka ngritur këto çështje vazhdimisht në shumë takime zyrtare të CEFTA-s, duke përfshirë takime të ndryshme të Komitetit të Përbashkët, dhe nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë ndonjë përgjigje pozitive nga Palët përkatëse të CEFTA-s. Kosova beson fuqishëm në përfitimet e tregtisë së lirë dhe integrimin ekonomik rajonal në përputhje me shkresën dhe frymën e Marrëveshjes së CEFTA-s. Megjithatë, integrimi tregtar dhe ekonomik duhet të jetë gjithëpërfshirës në aspektin rajonal dhe të mos ndikohet nga masat me objektiva politike. Kosova gjatë gjithë kësaj kohe ka duruar duke pritur një dialog bilateral konstruktiv ose zgjidhje miqësore të cilat mund të krijohen me partnerët e saj tregtarë në kontekstin e CEFTA-s. Në këtë kontekst, Kosova si kryesuese e CEFTA-s për vitin 2018 organizoi Javën e CEFTA-s gjatë së cilës u organizuan takime me komunitetin e bizneseve, një konferencë me organizatat ndërkombëtare dhe takimet zyrtare të organeve të CEFTA-s, përkatësisht Komitetit të Pikave të Kontaktit të CEFTA-s dhe Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s. Duke i respektuar plotësisht praktikat e vendosura në kuadër të CEFTA-s që nga viti 2007, të gjitha ndjeshmëritë politike të palëve të CEFTA-s dhe marrëveshjet e mëhershme të dakorduara brenda dialogut dypalësh, Kosova i ka dërguar ftesat  zyrtare te të gjitha Palët e CEFTA-s. Përkundër të gjitha konfirmimeve të dhëna në përputhje me rregullat diplomatike të mirësjelljes për të gjithë nënshkruesit e CEFTA-s, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia nuk morën pjesë në Javën e CEFTA-s dhe në takimin e Komitetit për Pikat e Kontaktit të CEFTA-s. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u informua për pjesëmarrjen e këtyre tre Palëve në takimin e Komitetit të Përbashkët, në mbrëmje me 5 dhjetor 2018. Pavarësisht nga ky konfirmim shumë i shkurtër i njoftimit, autoritetet e Kosovës kanë përfunduar të gjitha masat e nevojshme për të mirëpritur delegacionet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia. Përveç kësaj, Kosova ka pranuar pozitivisht pjesëmarrjen e këtyre tre Palëve të CEFTA-s që do të çonte në mundësinë për të pasur një takim të suksesshëm të Komitetit të Përbashkët dhe për miratimin e konkluzioneve të rëndësishme ministrore. Para fillimit zyrtar të takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, Kosova si Kryesuese e CEFTA-s dhe kreu i delegacionit nga ana e Serbisë u pajtuan që delegacionet përkatëse të përdornin gjuhën në përputhje me marrëveshjen dypalëshe për prezantimet e tyre verbale për hir të asaj që të sigurohet vazhdimi i qetë i takimit, për të mundësuar miratimin e Konkluzioneve Ministrore. Kosova shpreh keqardhje se marrëveshja e arritur midis krerëve përkatës të Delegacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk u pasua nga delegacioni serb gjatë prezantimit të tyre në hapjen e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s. Pas këtij zhvillimi, delegacioni i Kosovës ishte i detyruar të largohej nga salla e mbledhjes, praktika e së cilës u pasua nga një tjetër Palë e CEFTA-s. Pas këtij incidenti që u shkaktua nga deklaratat e bëra nga Serbia në kundërshtim me marrëveshjen dypalëshe, takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s duhej ta ndërpriste sesionin pa konkluzione. Në këtë drejtim, Kosova konsideron se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike ose konsullore mes palëve në Marrëveshjen e CEFTA-s nuk ndikon në marrëdhëniet juridike të vendosura mes tyre nga Marrëveshja e CEFTA-s në përputhje me nenin 63 të Konventës së Vjenës mbi Ligjin e Traktateve, për aq sa ekzistenca e marrëdhënieve diplomatike apo konsullore është e domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s. Kjo deklaratë nuk i cenon të drejtat e çdo nënshkruesi të Marrëveshjes së CEFTA-s.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …