leoni

Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Nuk jam nga ata që pranojnë të nënshtrohen, ta shtrembëroj të vërtetën para çfarëdo presioni, akuze a shantazhi

(Kundër-reagim ndaj reagimit të major Rrustem Tetajt, me titull “Reagim ndaj shtrembërimit  të historisë – Beteja e Loxhës”, botuar në fjalorin enciklopedik të Kosovës I-II”, botuar te gazeta elektronike “Rubrika”, e datës 21 nëntor 2018).

Në radhë të parë major Tetaj, edhe pse fillimisht thoni se “Në Zonën Operative të Dukagjinit gjatë kam mbajtur pozitën: Ndihmës Komandantit për Logjistikë”, kjo nuk është e vërtetë, sepse ke dezertuar me kohë, ndërkaq prej fillimi të shtatorit të vitit 1998, ke ikur nga përgjegjësia që keni pasur në ZOD, duke kaluar jashtë Kosovës përmes Malit të Zi, me ç’rast nuk je kthyer më në Kosovë deri sa ka përfunduar lufta. Pos që ke dezertuar, e ke bërë edhe një gabim tjetër edhe më të rëndë para dhe pas kësaj, e ke sabotuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, dhe je përpjekur që pjesëtarët e saj t’i akuzosh me shpifje e t’i njollosësh në çdo aspekt, jo se ke pasur e kë të drejtë, por vetëm për të arsyetuar veprimet tuaja të ulëta.

Pos këtyre, ka të dhëna të mjaftueshme se në disa raste e keni keqpërdorur edhe detyrën zyrtare, pa dijeninë e Komandës, duke i tejkaluar kompetencat që i ke pasur në kuadër të Zonës Operative të Dukagjinit (po përmendim këtu vetëm rastin e Plonve të Turjakës).

Pos këtyre, ke qenë “dëshmitar” në disa procese gjyqësore që janë organizuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u vënë në anën e Serbisë dhe të grupimeve anti-UÇK, të cilat nuk kanë lënë as nuk janë duke lënë gurë pa lëvizur për të gjetur a shpikur diçka kundër UÇK-së për t’i çuar tek Gjykata Speciale, të cilën po e llogarisni si shans të fundit në luftën kundër UÇK-së. Deklarimet tuaja publike në këto gjyqe kanë qenë të turpshme, antishqiptare dhe që tregojnë se ti edhe më tutje i përmbahesh betimit të dhënë në ish-Ushtrinë e Jugosllavisë.

Secili prej nesh e di se për Betejën e Loxhës janë bërë shumë shkrime, fejtone, libra e dokumentarë. Pra, dihet e vërteta e kësaj beteje, ndonëse ka pasur shumë tendenca për tjetërsimin e të vërtetës. Në Zonën Operative të Dukagjinit ka qenë një Komandë dhe një Komandant, Ramush Haradinaj. Është e ditur publike se në Zonën Operative të Dukagjinit ka pasur orvatje për të organizuar puqe të brendshme, përçarje, e sistem paralel ndaj UÇK-së, pjesë e të cilave për fat të keq ke qenë edhe ti, por përkundër përpjekjeve, të tillët nuk patën sukses. Për këto dështime, po e vajtoni të kaluarën, duke bërë orvatje të vazhdueshme, që dështimet t’i paraqisni se kanë ndodhur me fajin e disa pjesëtarëve të UÇK-së. Madje, për t’u dhënë shpirt konstatimeve të tilla, janë shkruar libra, janë paguar mercenarë të fushës publicistike e “shkencore”, për të shkruar e trumbetuar se UÇK-ja kanë qenë bashibozukë e ish-oficerët e APJ-së, kanë qenë engjëj, profesionistë e shpëtimtarë të këtij vendi, gjë që e vërteta në terren e dëshmon të kundërtën! Mirëpo, ata “bashibozukët” që i quani ju, qëndruan në Kosovë në vijat e frontit, që nga fillimi deri në përfundim të luftës, edhe duke rënë dëshmorë e duke marrë plagë të shumta në shtat, por duke qenë njerëzit më me fat në të gjitha etapat e historisë sonë kombëtare, sepse patën fatin ta çlirojnë Kosovën nga pushtuesit serbë, të ndihmuar edhe nga aleatët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe faktori demokratik ndërkombëtar.

Siç dihet edhe publikisht, në Betejën e Loxhës të datës 6 korrik 1998, sikur edhe në betejat tjera të mëpastajme gjatë muajve korrik e gusht 1998, ka pasë shumë luftëtarë që kanë marrë pjesë, jo për të rrahur gjoks për të marrë bajrakun e sukseseve, po për ta mbrojtur Loxhën e Raushiqin si pararojë e fshatrave tjera të Lugut të Baranit. Madje, afër 200 deklarata i kam marrë gjatë dhe pas luftës prej këtyre luftëtarëve, marrë pjesë në zhvillimet dhe ecurinë e kësaj beteje, të cilët kishte më se dy javë para betejës që natë e ditë ishin përqendruar në vijën e parë të frontit në Loxhë e Raushiq, duke pritur sulmin e mundshëm ndaj këtyre pozicioneve, por që të gjithë morën pjesë në këto luftime. Por i kam konsultuar edhe deklaratat e atyre që iu kanë përgjigjur thirrjes së komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, një natë më parë në takimin në Llukë të Poshtme, për të shkuar në Loxhë, pas sulmit gjatë ditës së 5 korrikut 1998, kur në përleshje me policinë serbe ka rënë dëshmor Tahir Shala i Loxhës. Nga këto rrëfime dhe materialet tjera të kohës, menjëherë pas luftës e kam shkruar një fejton për këtë betejë. Në libra, fejtone e artikuj të tjerë ku pasqyrohet në detaje ecuria e Betejës së Loxhës apo e betejave të tjera kudo në Kosovë, mund të përmendet historiku në segmente më të përimtuara. I njoh disa njerëz që  punojnë në Institutin e Historisë në Prishtinë, që nuk e kanë asnjë punim. Duhet t’i lëmë anash formalizmat. Mbase problem është fakti se zëri për Betejën e Loxhës ka bazë shkencore dhe nuk e ka asnjë shtrembërim.

E shoh të udhës të theksoj për opinionin publik se Redaksia e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës I-II, ka qenë profesionale dhe brenda mundësive ka bërë një punë të madhe. Redaksia e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës I-II, Betejën e Loxhës e ka vlerësuar si zë të mesëm, është shënuar si ngjarje, por kushdo që merr vesh në shkrime e kupton se në një zë të mesëm mundësitë për të përmendur emrat e pjesëmarrësve dhe atyre që janë dalluar në luftime të betejave të tilla janë tepër të kufizuara. Pos librave të shenjtë, në librat tjerë edhe mund të lëshohen gabime, të cilat janë të falshme dhe të korrigjueshme. Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës mund të jenë lëshuar gabime, mund të jetë harruar ndokush, ndonjë vend i rëndësishëm e ngjashëm, por me rastin e ribotimit ndokush që nuk e ka vendin mund të hiqet e kush është harruar prej meritorëve mund të vendoset. Nuk kam qenë unë ai person që kam mundur ta heqë apo ta vë dikë, madje as Tahir Zemajn, si zë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.

Majori Tetaj, vet thirret në gradat e ish-A(P)J-së, në gradën e majorit të KOS-it e mua më akuzon pse ia përmendi këtë të vërtetë, në reagimin e tij është përpjekur të ngatërrojë diçka kinse po kritikoj dikë për të treguar për veten e vet dhe për ta futur pak biografi sa për t’u dukur, sepse në kohën kur është kërkuar për të bërë diçka, ai ka ikur e ç’është më keq ka marrë rolin e hafijes, siç ka qenë gjithnjë, duke u bërë pjesëtar e organizator në disa procese të montuara në gjykatat serbe kundër UÇK-së, e që UÇK edhe në këto procese ka dalë ngadhënjimtare ndaj akuzave të pabaza.

Majori Tetaj, në reagimin e tij, problemet i ka hedhë më shumë në rrafshin personal, sepse duket se i ka mbetur ves që kur ka qenë oficer i lartë i UJ-së për t’i akuzuar e për t’i fajësuar njerëzit qenë apo nuk qenë fajtorë. Me akuza të tilla nga njerëz të tillë shumë ushtarë shqiptarë u kthyen në arkivole derisa po e kryenin shërbimin ushtarak në A(P)J, por edhe shumë të tjerë u arrestuan, burgosën e dënuan me burgim të rëndë ushtarak.

Normalisht, major Tetaj, Maqedonia ku ju keni shërbyer, i ka hapur dosjet qe shumë vite. Shikoni pak për veten tuaj në ato dosje. Major Tetaj ne e njohim njëri-tjetrin sepse jemi fqinj. Rrethi thoshin për ty se “Rrustemi është regj këlysh”. Në moshë fare të re je pranuar në PKJ (Partinë Komuniste të Jugosllavisë) dhe ke qenë ndër komunistët më të rinj në ish-Jugosllavi. Si i tillë je bërë bursist i Akademisë Ushtarake, ke qenë ndër oficerët e besueshëm të shërbimit ushtarak jugosllav KOS (Kontra-obaveštajna služba), i cili që nga themelimi në gjithë ish-Jugosllavinë është udhëhequr dhe komanduar nga kuadrot serbe. Akademinë Ushtarake e ke mbaruar në vitin 1978 dhe siç e do zakoni në radhët e A(P)J-së u pranove me gradën e nënoficerit. Që nga kjo kohë fillove me detyra të veçanta, në Garnizonin e Strumicës në Maqedoni, ku ke shërbyer deri në vitin 1989. Gjatë kësaj kohe në A(P)J, pos detyrave të veçanta, ke kryer edhe detyra të tjera prej komandirit të togut e deri në ndihmëskomandant të Divizionit. Për punën tënde “të mirë” je shpërblyer dhe dekoruar me dhjetëra herë nga komandantë të ndryshëm.

Si person nuk e kam pasë ndërmend të reagoja në reagimin e majorit Tetaj, sepse nuk ia ka vlejtur të merrem me të, por ma ka sulmuar familjen pa të drejtë, e cila ka heqë të zitë e ullirit nga regjimi komunist jugosllav e soji i Rrustem Tetajt. Nga data 1 qershor 1946 e deri në maj të vitit 1948, për tri vjet radhazi familja ime, kolektivisht ka qenë e burgosur në “Rrugën e Shkijeve” në Gjakovë, bashkë me shumë familje të tjera atdhetare që e kundërshtuan regjimin jugosllav të kohës. Në mesin e anëtarëve të tjerë të familjes ishte edhe prindi im, atëherë fëmijë 12-vjeçar. Pos kësaj, në vitin 1981 babai dhe axha janë larguar nga procesi mësimor për shkak të pjesëmarrjes time në aktivitetet e këtyre viteve si gjimnazist. Këso kohe edhe unë jam larguar nga shkolla e mesme, përkatësisht nga Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, pa të drejtë regjistrimi në asnjë shkollë tjetër. Këtë ndëshkim e kam vuajtur deri në vitin 1991, kur ka rënë sistemi komunist. Po ashtu në vitin 1986, jam burgosur në Lubjanë nga Gjykata Ushtarake, me ç’rast jam dënuar me shumë vite burgim. Jam liruar duke përfituar nga amnistia e përgjithshme për të burgosurit politikë në ish-Jugosllavi në vitet ’90-të.

Nga viti 1876 e deri në luftën e fundit për liri (1998-1999) nga familja ime e gjerë kanë rënë mbi 30 dëshmorë, të gjithë figura të shquara të çështjes kombëtare, që si të tillë i njeh dhe i pranon edhe historia jonë kombëtare.

Sa i përket familjes, me këtë rast majori Tetaj pa dëshirë ma ka imponuar ta tregoj edhe një ngjarje, që ndoshta në formën e shkruar shpaloset për herë të parë. Me datën 1 nëntor 1946, te mejtepi i fshatit, në Pozhar, përballë shtëpisë së tij është vrarë në mënyrë të tmerrshme djali Demë Ali Pozharit, Miftar Dema (22-vjeçar), që është pjesë e familjes sonë të gjerë. Kur është vrarë Miftar Dema, siç rrëfejnë dëshmitarët, ka qenë dita e votimeve, por edhe dita e Festës së Bajramit. Miftar Dema është vrarë nga rinia SKOJ-iste (Savez Komunisticke Omladine Jugoslavije). Në atë kohë, major Tetaj, prindi yt ka qenë pjesëtar i rinisë SKOJ-iste. Atë ditë që është vrarë, fillimisht Miftar Demën e kishte qëlluar dikush prej pjesëtarëve të rinisë skojiste që ishin mbledhur për t’i ruajtur votat. Nga plagët e marra shtrihet përtokë. Pas kësaj i ishin afruar disa prej pjesëtarëve të rinisë skojiste. Miftari i plagosur u kishte kërkuar ujë, por në vend të ujit ata i kishin dhënë alkool. Njëri prej tyre, me mbiemrin tënd, e kishte qëlluar me sakicë në kokë për së shtriri, duke e lënë të vdekur. Në vitin 1974 e keni vrarë Xhafer Haxhinë nga Pozhari, patriot i kulluar për shkak të një konflikti kinse në lidhje me tokën, por ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera që nuk dua t’i përmendi.

Major Tetaj e di që nuk lodhesh shumë pse shtrembërohet historia, por të dhemb se je mësuar bashkë me disa bashkëpunëtorë tuajët të përfitoni nga historia, duke gjetur mercenarë të shkencës që përmes pagesave a presioneve të zini ballin e odës pa kurrfarë meritash. Kohërat që mendon t’i kthesh ti e shokët tuaj, madje edhe duke u vënë në cilësinë e organizatorëve e dëshmitarëve në shumë procese të montuara kundër UÇK-së nuk mund t’i ktheni kurrë. Punoni në ndërtimin e shtetit të Kosovës e leni këto budallaqe se ka ende shumë hapësirë për t’u kthyer kah e mbara. Unë nuk ta kam mohuar as nuk ta kam shtrembëruar historinë nga fakti se atë e ke mohuar dhe e ke devijuar vetë major Tetaj. Ti me vite jeton në një vend të Evropës si person i mbrojtur kinse je i rrezikuar nga UÇK-ja. Por edhe jeton nga paratë që i ke marrë në cilësinë e dëshmitarëve që kanë dëshmuar kundër UÇK-së, duke i shtrembëruar të dhënat historike e duke improvizuar gjëra të pavërteta që i rënduan ish-pjesëtarët e UÇK-së që padrejtësisht ishin pjesë e këtyre proceseve të dërguar aty nga soj i yt e i shokëve të tu. Pjesëtarët e UÇK-së që kaluan nëpër këto procese edhe përkundër akuzave të rënda qe i kishit bërë dalën fitimtarë sepse drejtësia herët a vonë fiton. Pos tjerash, keni thënë edhe një të pavërtetë tjetër, se redaksia e Fjalorit Enciklopedik ka angazhuar për shkrimin e zërave historikë autorë që nuk janë profesionistë, duke aluduar në mua. Lidhur me këtë më duhet të të them se unë nga brezi im mund të konsiderohem baba i historisë, sepse përgjatë tridhjetë viteve i kam të botuara mbi 200 fejtone në revistat e gazetat më prestigjioze të gjithë hapësirave shqiptare, pos kësaj kamë mbi 1500 shkrime që iu kanë kushtuar trimave, personaliteteve historike a ngjarjeve historike, e të mos flasim për një varg intervistash. Po ashtu kam të shkruara edhe mbi 15 libra e monografi shkencore të versuara lartë edhe nga ana kombëtare edhe ndërkombëtare. Po ashtu kam  qenë pjesë e redaksive pothuajse e të gjitha gazetave meritore të kohës, që janë publikuar në Kosovë. Historinë e shkruajnë fitimtarët. Ti këtë e di major Rrustem prej kohës së ish-Jugosllavisë. Unë nuk jam nga ata që marrin para për ta shtrembëruar të vërtetën, por as nuk pranoj të nënshtrohem, ta shtrembëroj të vërtetën para asnjë presioni, akuze a shantazhi.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …