Votimi në Kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, veteranët i ka gjetur të ndarë, të përçarë dhe të kacafytur kundër njëri tjetrit. Ata, dje protestuan kundër Qeverisë dhe jo kundër Gjykatës Speciale, që kriminalizon luftën e tyre dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës. Ky fakt tregon se veteranët dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta e UÇK-së ditë e më tepër po zvetënohen, po nëpërkëmbën dhe po degradohen. Kjo ka qenë edhe strategjia 16-vjeçare e qeveritarëve të vendit, e të gjithëve pa dallim, të cilët jo vetëm kanë lejuar këtë degradim, por edhe kanë kurdisur prapaskena dhe kanë bërë çmos që ata të përçahen, të ngrihen kundër njëri tjetrit, të formojnë organizata paralele dhe të degradohen me kërkesat e tyre për pensione.
Në rastet kur policia ndërkombëtare do të fillojë arrestimin e tyre do të shohim se cilët janë Ademjasharianët e vërtetë, që nëpër ndeja, pamje e ahengje paraqiten edhe më trima se legjendari i UÇK-së.
Tani po vjen koha e rëndë e sprovës së fundit.
Të shpresojmë se veteranët idealistë, ata që kanë bartur mbi supe barrën më të rëndë të luftës, derisa bashkëluftëtarët e tyre bënin gjumin e qetë në hotelet e Tiranës e Durrësit, edhe kësaj radhe do ta marrin qëndrimin e duhur, në akord me rrethanat e reja dhe të mos i përsërisin gabimet duke amnistuar shkapërdarët.
Në përballjen e re me policinë ndërkombëtare do të sprovohen trimat e UÇK-së, ata të cilëve po iu vishen krimet e paqena, me qëllim për t’i barazuar me kriminelët e Serbisë, të cilëve Evropa jo vetëm ua ka falur krimet e masakrat kundër shqiptarëve, kroatëve e myslimanëve të Bosnjës, por po përpiqet t i inkurajojë për vazhdimin e luftës së tyre në këtë drejtim.
Gjykata Speciale ka për qëllim jo vetëm zhvlerësimin dhe penalizmin e luftës së UÇK-së por edhe të degradimit të idesë së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, të cilët derisa nuk bashkohen dhe nuk bëjnë dot një faktor unik, kombëtar, në vazhdimësi do të jenë të nëpërkëmbur nga fqinjët dhe Evropa e krishterë, e cila nuk i duron dot, në radhë të parë për shkak të përkatësisë së tyre fetare.
Kosova prej sot po hyn në terrin e zi të inkuizicionit të BE-së, e cila ka krijuar një gjykatë raciste, antishqiptare, me qëllim që duke dënuar çlirimtarët të dënojë çdo perspektivë dhe çdo ide të bashkimit të tyre. Nëse presim derisa të derdheet mllefi urrejtja, zemërimi dhe profania e Evropës kundër nesh, kjo do të thotë se po përgatitemi për të pranuar një natë të zezë e shumë të gjatë të historisë, sikur ajo që ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut, kur Perandoria Osmane shfryu tërë mllefin e zemërimin kundër tërë një populli, që kishte marrë guxim për të kundërshtuar, të cilin edhe e gjunjëzoi dhunshëm, por nuk e mposhti kurrë.
Përpjekja e Evropës për t’ i mposhtur shqiptarët, për t’i getoizuar dhe për t’ i paraqitur para botës si kriminelë myslimanë, do t’ iu japë një shkak më shumë simpatizantëve të ISIS-it, të cilët nuk do të hezitojnë t’iu bashkohen radhëve, në mos edhe iu kanë bashkuar pikërisht për këtë qëllim.
Evropa po luan me zjarrin për hatër të Serbisë, shtetit xhandar në Ballkan, të cilin e ka krijuar në vitin 1918 me qëllim për t’i zhdukur dhe për t i dëbuar nga trojet e tyre shqiptarët, boshnjakët, turqit, e hebrenjtë.
Dy fish turp për deputetët e PDK-së nga radhët e kreut të luftës
Votimi në Kuvend i kësaj gjykate shënon një kthesë tjetër negative jo aq të papritur në rrugë për diskreditimin e pavarësisë së Kosovës dhe gjyqin përfundimtar që do t’ i bëhet jo vetëm UÇK-së, por edhe çdo lëvizjeje tjetër sinonime të popujve të shtypur të Evropës e botës kundër robërisë, skllavërisë, dhunës shtetërore dhe kolonializmit bashkëkohor, të cilin tash për tash po e manifeston politika globaliste e Bashkimit Evropian.
Deputetët që e votuan këtë gjykatë, nga PDK-ja e LDK-ja, (përveç deputetëve të Listës “Srpska”) do të mbesin në kujtesë njëjtë sikur delegatët e Konferencës së Bujanit, të cilët në gusht të vitit 1945, në Prizren shkelën Rezolutën dhe votuan për rimbetjen e Kosovës nën Serbi. Këta votuan po ashtu sikur delegatët e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të cilët në vitin 1988 pranuan ndryshimet kushtetuese që quan në degradimin edhe të asaj autonomie që Feredata jugosllave ia kishte njohur Kosovës në vitin 1974.
Turp të gjithë deputetëve që votuan gjykatën raciste antishtptare!
Dy fish turp për deputetët e PDK-së nga radhët e kreut të luftës, pavarësisht se shijen e hidhur të kësaj gjykate tani e tutje e kanë në gojë, në gjak dhe në qenien e tyre. (RKL)