Dilaver Goxhaj: E mësuam të vërtetën e Gjykatës Speciale

Dhënia leje për themelimin e Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës  është ngjashëm sikur të mblidhet sot Parlamenti i  Izraelit dhe të miratojë  ngritjen e një gjykate të tillë  për të dënuar “krimet” e hebrejve ndaj hitlerianëve.  


Në Kosovë ekziston një shprehje popullore interesante që thotë: Mos e vet (pyet) se të kallxon vetë. Kështu ndodhi edhe me z.Agim Çeku, në video-intervistën e tij tek “Expres”, në mbrëmjen e datës 6 gusht 2015. Dhe çfarë na tha vetë Agim Çeku? Ai me ndershmëri tregoi të vërtetën e kamufluar me aq kujdes për gati një vit e gjysëm nga kryesia e PDK dhe qeveria e Kosovës: “Krjimi i Gjykatës Speciale po bëhet për të bërë balansë mes popujve në Ballkan për të mos u dukur askush si fitues.”(!!!) Besoj se kushdo që e lexon këtë e kupton që kjo nuk është një gjë e “vogël”, por diçka e ngjashme me atë sikur të mblidhet sot Parlamenti i Izraelit dhe të kërkoi ngritjen e një Gjykate Speciale për të dënuar krimet hipotetike të hebrejve ndaj hitlerianëve gjatë holokaustit në L II B, thjeshtë “për të pastruar” hebrejtë, sikundër thotë z.Hashim me grupin e tij për UÇK-në. Vështirë ta kishim besuar z.Çeku nëse nuk do ta konfirmonte këtë gjë edhe kryeministri i Serbisë, z.Vuçiç, i cili në datën 9 gusht ka paralajmëruar se në konferencën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në Vjenë do të propozoi që të caktohet një ditë e përbashkët, edhe me ne, për përkujtimin e viktimave në konfliktin në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ngaqë këta të dy e nxorën sekretin e këtij vendimi, qysh në Konferencën e Rambujesë, pa u konsultuar me z.Thaçi, ky reagoi flakë për flakë: “Pretendimi i lidershipit serb për relativizimin dhe rishkrimin e historisë dhe barazimin e atyre që nxitën, organizuan dhe kryen gjenocid me ata që u mbrojtën në vendin e vet nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit.” Thuaj po deshe se nuk është patriot z.Thaçi. Menjëherë ia tregoi dhëmbët Vuçiçit!


Mirëpo, kot e ka z.Thaçi që përpiqet ta mbulojë diellin me shoshë, pasi është po ai që ka aktivizuar një gazetar egzibicionist (mania për t’u dukur), duke provokuar opinionin publik, përmes publikimit të disa listave se kush do arrestohet për ta çuar në atë gjykatë. Dhe këtë e bëjnë për të parë nëse opinio publik në Kosovë është i kënaqur me ndëshkimin e antarëve të ish-Drejtorisë Politike dhe dy ish komandantët e dy ish-shefat e shtabeve të UÇK-së, apo e kanë shqetësimin për UÇK-në. Të provokush një popull është gjë e ulët. Dhe këtë e bëjnë pasi e dinë mirë që provokimi është opinion i një njeriu të caktuar që përhapet tek të tjerët si një epidemi, duke bërë të mundur të mbysin këtë zhurmë të papëlqyer që ka shpërthyer kundër tyre, duke nxjerrë një tjetër, për të parë se ndoshta është më shurdhonjëse.


Me një fjalë, duke u bërë barazimi “pa asnjë palë fituese” midis luftës sonë çlirimtare dhe asaj barbare të Serbisë, europianët kërkojnë që të na thonë: “Edhe ju, u krijuat shtet njësoj si Izraeli, vetëm pse u masakruat si hebrejtë nga Hitleri dhe jo se luftuat”. Si rrjedhojë, duan të na thonë se krijimi i shtetit të Kosovës është dhuratë e mëshirës europiane dhe jo se keni luftuar, prandaj mos e përmendni më Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi nuk ka patur kurrë ushtri çlirimtare në Kosovë, veç ca “terroristë”, sikundër thoshte dikur Millosheviçi. Dhe kush na e thotë këtë gjë? Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, bashkë me gjithë antarët e ish-Drejtorisë Politike dhe ca drejtues të tjerë të UÇK-së(!!!). Mirë zotërinjtë Azem Syla, Hashim Thaçi, Xhavit Haliti e Kadri Veseli që kanë qenë jashtë Kosove apo turistë sezonalë në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja, (të cilën e ka pohuar vetë edhe z.Thaçi), edhe mund ta pranojnë këtë logjikë europiane, por si mund ta pranojnë Agim Çeku, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Fadil Beka, Adem Grabovci etj, që kanë qenë aktivë luftarakë edhe drejtues të ndryshëm në UÇK, duke luftuar me ushtrinë e policinë serbe! Vetëm në një pikë dakordohemi me thënien e z.Çeku, nëse pranojmë mos pasjen e “asnjë fituesi” midis UÇK-së dhe agresorit serb, (prandaj dhe i paraprinë duke mos na ftuar në Marrëveshjen e Kumanovës), atëherë pranojmë që jemi të ngjashëm me  holokaustin hitlerian, gjë që nesër natyrisht që do të pranojmë kthimin e Kosovës pjesë integrale të Serbisë sipas Marrëveshjes së Rambujesë.


Por këtë gjë nuk na lënë ta pranojmë as senatori amerikan B. Doll, i cili thotë se në Kosovë kishim superluftë dhe serbët, duke qenë se pësonin disfata nga UÇK-ja bënë masakra më të këqija se hitlerianët: “Lufta e Kosovës s’mund të quhet luftë; ajo më shumë është një kasaphanë mbi popullin civil duarthatë shqiptar nga regjimi serb që sundon mbi të”.(“The Wall Street Journal”, 23 tetor 1998). Derisa themi luftë,do të thotë se kemi ndeshje të armatosur midis dy palëve, gjë që ndryshon nga masakra (holokausti), ku kemi vetëm ujk dhe dele. UÇK-ja nuk ishte dele. Mirëpo nuk është vetëm ky amerikan që e pohon këtë gjë, barazinë “asnjë fitues”, është edhe zoti Bill Klinton, i cili i tha disa herë kombit amerikan: “UÇK-ja është bërë e papërmbajtëshme, ajo po kryen deryrën e forcave tokësore të NATO-s në terren”.(Bill Klinton: “Ne luftën, ju paqen”, “Albania”, Tiranë,2000, f.82 ); por edhe Komandanti i NATO-s, z. Uesli Klark, kur thotë me shkrim se “UÇK-ja, shpesh i detyronte forcat serbe të delnin në terren të hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato” (“Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003, f. 372), ndërsa në 12 qershor 1999, në fonogramin mirënjohës që ai i dërgoi Shtabit tonë të Përgjithshëm për fitoren e përbashkët, shkruante: “Bashkëveprimi me ju gjatë kësaj lufte 78 ditore ka qenë bashkëveprimi më i mirë në historinë 50 vjeçare të NATO-s”. Ja pra pse nuk duhet ta pranojmë që “të mos duket asnjë palë fitues”. Të pranohet një gjë e tillë, do të thotë të mohosh luftën e bërë dhe gjakun e mbi dymijë dëshmorëve. Lutem, më ndihmoni, çfarë emëri t’i vëmë këtij lloj pranimi: patriotizëm apo tradhëti?


Prandaj kemi më se të drejtë ta besojmë plotësishtë kryetarin e psikiatërve të Evropës, Viktor E.Frankël kur thotë, se personalitetet e privilegjuara politike nuk udhëhiqen as nga dashuria, as nga urrejtja për atdheun, por as edhe nga ndjenjat, por veç nga interesat dhe privilegjet e tyre. Emërat e këtyre personaliteteve  i cituam më sipër. Pse themi të privilegjuar? Sepse janë nga ajo kategori politikanësh për të cilët poeti Ali Asllani thotë: “Të pa brekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka!”, të cilët kujtojnë se qeveritë ekzistojnë për rehatinë e tyre. Për këto lloj kategori të pasurish Balzaku thotë: “Revolucionet popullore nuk kanë armiq më të tmershëm se sa ata që janë ngritur e kanë përfituar në sajë të tyre”. Me sa duket romancieri tjetër francez Mark Dugain (1957), duhet të ketë njohur edhe të tjera raste të tilla të ngjashme si ky i yni, prandaj thotë, se “vetëm polikanët e korruptuar  politika mund t’i detyrojë të flenë në të njëjtin shtrat me armikun e tyre më të madh.”


Së dyti, ajo që e tha vetë z.Çeku ishte shprehja: “Ishte i vështirë vendimi për të themeluar Gjykatën Speciale, por ne e bëmë këtë sakrificë ngaqë duhej të votonim thjeshtë për interesa të Kosovës”. Cili është interesi i Kosovës me ngritjen e asaj Gjykate, që të mohohet ekzistenca e UÇK-së?! Besoj se edhe fëmijët në Kosovë e dinë që edhe sikur Gjykata Speciale t’i nxjerrë të pafajshëm të gjithë ata që do t’i nënshtrohen gjyqeve të saj, përsëri UÇK-ja do të njolloset. Zjarri, edhe po nuk të dogji, të nxin. Dhe a ka zjarr më të madh kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se kjo lloj gjykate njëetnike në një shtet multietnik?


Pranimi prej këtyre zotërinjve barazimi i luftës kriminale të serbëve kundër popullsisë shqiptare, me luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së “thjeshtë për interesa të Kosovës”, të befason edhe për vetë faktin, se si është e mundur që këta zotërinj, duke qenë edhe autorët e Kushtetutës së Kosovës, kryeministra, ministra e drejtues të Kuvendit, nuk e dinin se krjimi i kësaj gjykate me synime për ndëshkim vetëm të një etnie në Kosovë, bie ndesh me Nenin 3, pika 1 e kësajKushtetute? Nuk e dinë këta zotërinj se Kosova është shtet multietnik? Nuk e dinë këta zotërinjë që edhe shumë persona nga etnitë e tjera të Kosovës kanë marrë pjesë në masakrat kundër shqiptarëve përkrah barbarëve serbë? Ja se si shkruhet në Kushtetutë:Republika e Kosovës është shoqëri shumë etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.” Prandaj të befason fakti: se pse këta ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të lartë të UÇK-së nuk pranuan propozimin e opozitës dhe të shumë ish-bashkluftëtarëve të tyre që në këtë gjykatë të paraqiten edhe kriminelët e tjerë banorë të Kosovës nga komuniteti serb, ai rom, por edhe individë të etnive të tjera të Kosovës, të cilët kanë qenë ose kolaboracionistë ose dora e zgjatur e policisë, paramilitarëve dhe të ushtrisë serbe për bërjen e masakrave dhe krimeve të tjera ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë?! Pse e pranuan këta zotërinj këtë lloj diferencimi racist, vetëm për bashkëluftëtarët e tyre të UÇK-së dhe vartësit e tyre shqiptarë?! Përderisa nuk do të gjykohen nga kjo gjykatë edhe individët kiminelë të komuniteteve jo shqiptare në Kosovë, do të thotë se kjo gjykatë nuk do të merret “me individë të veçantë të UÇK-së”, sikundër duan të na vënë në gjumë, por me shuarjen e saj nga historia; prandaj kanë edhe mbështetjen unanime të LDK-së dhe të Lidhjes Serbe.


Kështu që, justifikimi i z. Çeku: “ne e bëmë këtë sakrificë ngaqë duhej të votonim thjeshtë për interesa të Kosovës”, ka brenda rrenën. Çdo lloj dredhie është e keqe, por dredhia më e keqe është ajo që bëhet duke bërë vegël ligjin, si ky i Gjykatës Speciale. Gënjeshtra e veshur me petk zyrtar e “shënjtëror”, me demek “për interesat e Kosovës”, dhe që mundohen të bindin çdo shqiptar, është dhe do të jetë shumë e llahtarshme.


Mirëpo, justifikimi i këtyre zotërinjve: “ e miratuam këtë gjykatë thjeshtë për interesa të Kosovës”, nuk të bind sepse, sikundër e qartësuam më lartë, është tradhëti ndaj Ushtrisë Çlirimtare që vetë këta zotërinj e udhëhoqën apo e komanduan. Këtyre zotërinjve dhe dikujt tjetër mud t’i tingëllojë e rëndë fjala TRADHËTI, por për t’ua ulur “revoltimin”, besoj se do të qetësohen me thënien e shkrimtarit të famshëm anglez, autorit të romaneve serialë me Xheims Bond-in, Jan Fleming (1908-1984), i cili ka qenë oficer zbulimi i Divizionit të Flotës Luftarake Detare Angleze gjatë L II B: “Nëse do më duhej të zgjidhja midis tradhëtisë ndaj një shoku të luftës dhe tradhëtisë ndaj atdheut, shpresoj të kem kurajë të tradhëtoj vendim tim.”


Nëse këta zotërinj, ish-drejtuesit politikë e ushtarakë më të lartë të UÇK-së, që mundohen të na bindin se kjo gjykatë nuk e ka me UÇK-në por “me disa individë të saj”, pse nuk dalin e t’u thonë institucioneve ndërkombëtare, që këmbëngulin për këtë gjykatë: “S’ka pse të akuzohet UÇK-ja si ushtri, por ne vetë si ish-drejtuesit e saj të lartë”. Këtë e bëjnë vetëm nëse e ndjenë veten patriotë. Patriotizmi është burim flijimi dhe jo përfitimi individual. Dhe këta zotërinj, nëse e ndjejnë veten patriotë, duke pranuar se nuk luftuan për shpërblim, atëherë, bazuar në Nenin 28 të “Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale”, bërë në Romë më 17 korrik 1998, pika (a), sipas të cilit: “Çdo komandant ushtarak ose person që në mënyrë efektive vepron si i tillë, është penalisht përgjegjës për krimet e kryera nga forcat vartëse të tij që mund të jenë si rezultat i dështimit të tij për të ushtruar kontrollin e duhur mbi ato forca, kur: (i) ai komandant ushtarak ose personi, ose ka ditur, ose duke marrë parasysh rrethanat e rastit, duhej të dinte se forcat ishin duke kryer ose do të kryenin krime të tilla”, do bënin mirë të pranonin vullnetarisht faktin se kushdo individ i UÇK-së që të ketë kryer krime në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për luftën, të cilët kanë qenë vartës të këtyre, nuk ka pse gjykohen ata, por e mbajnë këta përgjegjësinë. Nëse këta nuk e kanë këtë kuroja, kjo do të thotë se këta janë marrë vesh me vendimmarrësit ndërkombëtarë që të tjerë persona janë ata që do të çohen në dhomat special të asaj gjykate. Ujku qimen e ndëron, por zakonin s’e harron.


Dhe, në mbyllje të këtij shkrimi, ndaj thënies së z. Çeku: “ne e bëmë këtë sakrificë ngaqë duhej të votonim thjeshtë për interesa të Kosovës”, lind pyetja: Po mos votimin e mocionit të opozitës për krimet serbe në Kosovë, po atë ditë që votuat Gjykatën Speciale, edhe atë e bëtë “thjeshtë për interesa të Kosovës”?  


Tiranë, 9 gusht 2015

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …