Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar se sot, më 9 dhjetor, u bënë pesë muaj që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë marrë raportin qeveritar për marrëveshjet e dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) Kosovë-Serbi. Por, siç shkruan Kurti në Facebook, ky raport nuk lejohet të futet në agjendë parlamentare e të sillet në seancë plenare për diskutim, shqyrtim e vlerësim. “Që prej 9 korrikut 2018, raporti 41 faqësh mbahet i bllokuar! Duket që regjimi në fuqi nuk do që Kuvendi ta trajtojë shkallën e përmbushjes së marrëveshjeve dhe ndikimin e tyre në realitetin politik, shoqëror e institucional të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk duan të dihet se ku jemi dhe nga erdhëm, nuk duan të nxjerrim mësime nga e kaluara, sepse duan të përsëriten gabimet e njëjta, me nxitimin e vjetër drejt dialogut të ri”, ka shkruar Kurti.