RrGGK shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ri-traumatizimin e pamëshirshëm të banorëve të Krushës së Vogël, në radhë të parë të grave, nga ana e EULEX-it
Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin dhe frustrimin tonë të thellë me keqtrajtimin e banorëve të Krushës së Vogël, kryesisht të grave, nga ana e Misionit të Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe për të kërkuar reagimin tuaj të menjëhershëm.
Kjo letër dhe informatat në të, bazohen në përvojën personale të znj. Shpresa Shehu, kryetare e fshatit Krushë e Vogël, partnere e afërt e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK). Ne në RrGGK kemi punuar për së afërmi me gratë e Krushës së Vogël të cilat janë prekur thellësisht nga lufta. Si informatë e rëndësishme për ju, me 26 mars 1999, 113 burra dhe djem (të gjithë civilë), nga mosha 13 vjeçare deri në moshë të shtyrë, janë zhdukur ose janë vrarë, kryesisht nga fqinjët e tyre serbë. Deri më sot, vetëm 45 prej tyre janë gjetur dhe varrosur; ndërsa fshati ende pret të mësojë për fatin e 68 të tjerëve edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 vite.
Me 25 gusht 2015, përfaqësuesit e misionit të EULEX-it zhvarrosën disa trupa nga varrezat e Krushës së Vogël. Procesi përmes të cilit janë zhvarrosur mbetjet ishte krejtësisht i papërshtatshëm dhe nuk ka marrë në konsideratë ndjeshmërinë e familjeve dhe banorëve të fshatit. Vetëm një anëtar i familjes Hajdari ishte informuar se do të vinte EULEX-i dhe kjo informatë është dhënë vetëm një natë para mbërritjes së EULEX-it. Për më tepër, EULEX-i erdhi nën pretekstin e rremë se do të verifikonte vetëm informata dhe se do t’i ribashkonte eshtrat të cilat ishin ndarë. Mirëpo, Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-i filluan zhvarrosjen e tre vëllezërve të vrarë në masakrën e 26 marsit 1999: Nazim dhe Rasim Hajdari, të cilët ishin varrosur më 26 mars 2007; dhe Selajdin Hajdari, i cili ishte varrosur më 26 mars 2009. Të tre vëllezërit ishin identifikuar gjoja përmes analizave të ADN-së nga ana e ekspertëve të mjekësisë ligjore. Vëllezërit ishin varrosur në të njejtën ditë, në vite të ndryshme, pasi që çdo vit banorët kanë një ditë përkujtimore kur i varrosin të dashurit e tyre të tjerë (pasi që mbetjet iu kthehen përmes një procesi tejet të ngadaltë). Meqenëse ende nuk i kanë marrë trupat e të gjithë të dashurve, ata janë të detyruar që çdo vit t’i vajtojnë përsëri humbjet e tyre, që në vetvete është shumë traumatike.
Të nesërmen e gërmimeve, znj. Shpresa Shehu, kryetare e fshatit, e cila nuk ishte informuar paraprakisht për vizitën e EULEX-it, pavarësisht natyrës së saj të ndjeshme, kërkoi një shpjegim se pse EULEX-i nuk e kishte informuar paraprakisht atë ose banorët e tjerë të fshatit. Ajo kërkoi informata shtesë lidhur me qëllimin e vizitës së tyre dhe vetëm atëherë u informua nga antropologu se trupat duhet të zhvarroseshin sepse mund të jenë bërë gabime dhe se analiza e ADN-së duhet të përsëritet.
Florim Hajdari, vëllai i njërit prej njerëzve të cilëve besohet se ishin duke iu zhvarrosur mbetjet, ishte i zemëruar me të drejtë për shkak se atij nuk i kanë dhënë informata të plota dhe nuk e kanë paralajmëruar. Meqenëse nuk kanë pranuar asnjë shpjegim të duhur lidhur me qëllimin e vizitës së EULEX-it, familjet e tjera në fshat janë shqetësuar dhe tmerruar po njëlloj, lidhur me fatin e mbetjeve të të dashurve të tyre. Të gjitha familjet të cilat besonin se më në fund i kishin varrosur të dashurit e tyre, disa pas pritjes prej vitesh, filluan të dyshojnë nëse të dashurit e tyre ishin gjetur në të vërtetë. Ata filluan të shqetësohen lidhur me atë nëse edhe trupat e të dashurve të tyre do të zhvarroseshin. Ndërkohë që fshati është ende në pritje të sqarimit të fatit të 68 personave të humbur, vetë ideja se edhe ata të cilët besoheshin se ishin gjetur mund të mos ishin gjetur, ishte jashtëzakonisht traumatizuese.
Veç kësaj, në vend që të adresonte frikën dhe shqetësimin në rritje të komunitetit, EULEX-i vendosi një shirit të verdhë rreth varrezës dhe vazhdoi me gërmimet duke mos shfaqur fare ndjeshmëri. EULEX-i nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të njerëzve dhe i ka ndaluar ata t’i afrohen vendndodhjes, në përpjekje për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
EULEX-i ka shfaqur një mungesë të plotë të ndjeshmërisë dhe respektit lidhur me përvojat dhe nevojat e banorëve të Krushës së Vogël dhe në radhë të parë të grave. Ashtu siç ka shkruar dje edhe kryetarja e Fshatit në letrën e saj drejtuar institucioneve të Kosovës, banorët e fshatit ishin “të tmerruar” dhe të ri-traumatizuar nga kjo përvojë. Përtej vuajtjes së humbjeve të jashtëzakonshme gjatë luftës, ata vazhdojnë të përjetojnë traumën e viteve të pritjes për kthimin e mbetjeve të të dashurve të tyre, duke u përballur me një lumë premtimesh të shkelura nga institucione vendore dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, ndërkohë që deklaron se angazhohet në zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, EULEX-i ka dështuar në këtë drejtim; EULEX-i e ka mospërfillur në mënyrë të plotë përgjegjësinë e vet për përfshirjen e grave në pozitat e vendim-marrjes në proceset pas konflikteve, meqenëse kryetarja e Fshatit as nuk ishte informuar për vizitën e EULEX-it. As nevojat dhe interesat e grave të prekura nga lufta nuk janë marrë parasysh.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e Krushës së Vogël keqtrajtohen nga ana e organeve ndërkombëtare, të cilat do të duhej t’i mbronin ata. Më 25 maj 2006, edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) i traumatizoi përsëri personat të cilët kanë pësuar krime të neveritshme nga duart e regjimit serb dhe fqinjët e tyre civilë. UNMIK-u kishte sjellë një shpurë të serbëve të cilët kanë kryer krime në fshat, pa ndonjë njoftim paraprak apo paralajmërim. Kur banorët reaguan nga frika, UNMIK-u përdori dhunë kundër grave dhe fëmijëve, duke përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës pranë shkollës fillore. Ne jemi thellësisht të trishtuar dhe të frustruar që misioni i EULEX-it duket se nuk ka mësuar nga gabimet e UNMIK-ut, pavarësisht kërkesave tona.
Banorët e Krushës nuk mund të jetojnë në paqe sepse ata nuk i kanë varrosur të dashurit e tyre dhe atyre vazhdimisht ua rikujtojnë këtë përmes veprimeve të planifikuara dobët dhe mosveprimeve nga ana e aktorëve ndërkombëtarë. Drejtësia ende nuk është vënë në vend për krimet e kryera ndaj tyre.
Ne kërkojmë nga ju që t’u kërkoni menjëherë falje publike banorëve të Krushës së Vogël. Gjithashtu, i bëjmë thirrje EULEX-it që, nga sot e tutje, të sigurojë vënien në veprim dhe zbatimin e protokolleve të duhura që garantojnë ofrimin e informatave të plota për personat e prekur dhe informimin paraprak të komunitetit. EULEX-i duhet të takohet me banorët, t’ua shpjegojë qëllimet e veta në mënyrë të plotë dhe transparente dhe t’i trajtojë shqetësimet e banorëve. Luteni që t’i trajtoni pa vonesë shqetësimet tona.