Afrim Berisha: Kosova, UNESCO dhe trashëgimia natyrore!

Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Kulturë dhe Shkencë (United Nation Educational, Scientific and Cultural Organisation), është hapur edhe debati për vlerat e trashëgimisë së Kosovës, të cilat mundë të jenë pjesë e listës së trashëgimisë botërore. Nga sa kam lexuar, dëgjuar dhe kam parë deri me tani nga këto debate, shkrime e opinione pjesa më e madhe e diskutimit është orientuar në vlerat e trashëgimisë kulturore të Kosovës, dhe pothuajse aspak ose fare pak nuk përmenden vlerat e trashëgimisë natyrore.

 

Sa për informacion në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, janë të listuara objektet e trashëgimisë me karakter  kulturor, natyror dhe të përzier (natyror dhe kulturor). Aktualisht në këtë listë janë të regjistruar 1031 objekte (802 kulturore, 197 natyrore dhe 32 të përziera). 31 nga këto objekte janë me karakter ndërkufitarë.

 

Për ti kontribuar këtij debati dhe për të sjellë në vëmendje edhe vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës, që mundë të jenë pjesë e listës tentative të trashëgimisë botërore, do të mundohem të përmend vetëm disa nga vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës dhe asyeshmërinë e përfshirjes së tyre në këtë listë, bazuar në kriteret e përcaktuara nga UNESCO.

 

Duhet sqaruar se nga gjithsej 10 kritere të përcaktuara për përzgjedhjen e objekteve për listën e trashëgimisë botërore katër prej këtyre kritereve janë për objektet e trashëgimisë natyrore.

 

Fillimisht le ti hedhim një sy kritereve të UNESCO për përzgjedhjen e objekteve të trashëgimisë natyrore dhe të shohim  se çfarë duhet të përmbajë një objekt natyrore për tu futur në listën e trashëgimisë botërore. Sipas këtyre kritereve objektet natyrore duhet të përmbajnë/duhet të jenë:

 

Kriteri 7: të përmbajë fenomene natyrore të veçanta apo zona me bukuri të jashtëzakonshme natyrore dhe me rëndësinë estetike;

Kriteri 8: të jenë shembuj të dukshëm që përfaqësojnë fazat kryesore të historisë së tokës, duke përfshirë fakte dhe të dhëna për jetën në toke, procese të rëndësishme gjeologjike në vazhdimësi e sipër për proceset gjeologjike në zhvillimin e formave të tokës, ose të kenë karakteristika të rëndësishme gjeomorfologjike dhe fiziko-gjeografike;

Kriteri 9: të jenë shembuj të dukshëm që përfaqësojnë aspekte të rëndësishme në vazhdimësi e sipër të proceseve ekologjike dhe biologjike në evolucionin dhe zhvillimin e tokës, ujit, ekosistemeve detare dhe bregdetare si dhe të komunitetit të bimëve dhe kafshëve;

Kriteri 10: të përmbajnë habitate shumë të rëndësishme dhe të veçanta natyrore për ruajtjen in-situ të larmisë biologjike, duke përfshirë edhe ato që përmbajnë specie të kërcënuara me vlera të jashtëzakonshme universale nga pikëpamja e shkencës ose konservimit.

Por cilat janë objektet dhe zonat natyrore në Kosovë që përmbushin kriteret e kërkuara nga UNESCO.

 

Parku Kombëtar Sharri-përfaqëson një nga zonat natyrore më të rëndësishme të Ballkanit, që karakterizohet me vlera të rralla natyrore që përmban ekosisteme të pyjeve endemorelikte, me habitate të llojeve të rralla bimore e shtazore, me vlera gjeomorfologjike e hidrologjike. Spikatë në veçanti prania e liqeneve glaciale (të akullnajave), që konsiderohen si vlera të rralla të natyrës dhe dëshmi e evolucionit natyrorë. Sharri karakterizohet me bukuri dhe vlera të veçanta natyrore (biologjike, biogjeografike, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, klimatike dhe peizazhore) që kanë rëndësi të posaçme shkencore, edukative-arsimore, kulturore-historike, rekreative-turistike dhe estetike. Rëndësi të veçantë ka biodiversiteti i pasur endemik i florës dhe faunës që Sharrin e bënë qendër specifike të endemizmit të maleve të larta në Ballkan dhe Evropë. Këto vlera që përfaqëson Sharri janë në harmoni me të gjitha kriteret e UNESCO-s, për përzgjedhjen e objekteve të trashëgimisë natyrore. Pikërisht bazuar në këto kritere, Serbia përmes Institutit të saj për Mbrojtjen e Natyrës, në vitin 2002 e kishte propozuar Malin e Sharrit për listën tentative të vlerave të trashëgimisë natyrore të UNESCO-s.  

 

Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”-” për nga përbërja gjeologjike, gjeomorfologjike, floristike dhe faunistike paraqesin masivin më të rëndësishëm dhe më interesant jo vetëm të Kosovës, por edhe të tërë Gadishullit Ballkanik. Bjeshkët e Nemuna janë ndër masivet malore më karakteristike të Ballkanit për sa i përket llojllojshmërisë floristike dhe vegjetative. Në këtë aspekt Bjeshkët e Nemuna paraqesin masivin malor ndër më të begatshmit në Ballkan me prani të mbi 1.000 llojeve deri më tani të hulumtuara. Sipas të dhënave të deritanishme në Bjeshkët e Nemuna janë të pranishme 33 lloje endemike dhe 6 subendemike si dhe disa lloje relikte. Masivi i Bjeshkëve të Nemuna karakterizohet me një faunë mjaftë të pasur, heterogjene, endemike dhe interesante. Kjo pasuri faunistike është si rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar, eurosiberian dhe atij nordiko-alpin, si dhe ndryshimeve te shpeshta të kushteve ekologjike në të kaluarën. Këto vlera që përfaqësojnë  Bjeshkët e Nemuna janë në harmoni me të gjitha kriteret e UNESCO-s për përzgjedhjen e objekteve të trashëgimisë natyrore.

 

Ujëvarat e Mirushës- Disa nga kriteret e UNESCO-s për objektet e trashëgimisë natyrore, i përmbush edhe Kanioni i Mirushës. Ky kanion është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës. Lumi Mirusha në pjesën e poshtme të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë pjesë e të cilit janë 16 ujëvara me liqene që e përbëjnë pjesën më atraktive të tij. Gjithashtu prania e shumë llojeve endemike bimore dhe shtazore si dhe fenomenet e ndryshme gjeologjike dhe morfologjike janë unikate dhe shumë të veçanta.

 

Gryka e Rugovës- edhe kjo zonë përfaqëson një monument të rrallë të natyrës me vlera të veçanta gjeomorfologjike, gjeologjike, hidrologjike dhe me biodiversitet të pasur, që plotëson kriteret e kërkuara, që e bën atë zonë potenciale për listën e objekteve të trashëgimisë natyrore të UNESCO-s. Përveç pasurive në aspektin e florës dhe faunës (biodiversitetit), Gryka e Rugovës, prezanton bukuri të peizazhit, gjeodiversitetit si dhe karakteristika hidrologjike që rrallëkund mund të gjenden. E krijuar me punën e erozionit vertikal fluvial, kryesisht në gëlqeroret e triasikut, para dhe pas periudhës glaciale, Gryka e Rugovës, përfaqëson një shembull të rrallë të fenomeneve gjeologjike dhe gjeomorfologjike.

 

Bifurkacioni i Nerodimes- Një nga shembujt më unikat të llojit të tij, Bifurkacioni i lumit Nerodime paraqet fenomen natyrore jo vetëm për Evropën por edhe për botën. Fenomenet e derdhjes së një lumi në dy dete, janë të rralla dhe unikate. Ky kuriozitet natyror është mjaft tërheqës për shumë studiues (gjeograf, gjeolog, hidrolog,) etj., dhe ka rëndësi të madhe edukativo-arsimore, shkencore dhe turistike. Është në linjë sidomos me kriterin 7 të UNESCO-s, për zonat e trashëgimisë natyrore.

 

Pyjet natyrore të Ahut në Bjeshkët e Nemuna- përfaqësojnë një nga vlerat e trashëgimisë natyrore të Kosovës, e cila tashmë është bërë pjesë e iniciativës “Pyjet e ahut – Trashëgimi Natyrore e Përbashkët e Evropës”, iniciativë kjo që këto pyje ti fus në listën e trashëgimisë natyrore të UNESCO-s.

 

Kosova ka edhe zona, shpella e fenomene natyrore që munde të jenë pjesë e listës tentative të objekteve të trashëgimisë natyrore botërore, por këto që u përmenden më lartë janë ato më reprezentativet. Po ashtu duhet përmendur edhe faktin që në shumicën e këtyre zonave ka edhe objekte të trashëgimisë kulturore, që do të mundësonte që disa nga to të propozohen për listën e objekteve të përziera (natyrore e kulturore). 

 

Madje, disa nga këto zona mundë të jenë edhe zona potenciale  për tu futur në listën e trashëgimisë botërore të objekteve të trashëgimisë natyrore ndërkufitare. Të tilla janë p.sh. Parku Kombëtarë Bjeshkët e Nemuna dhe   Parku Kombëtarë Sharri. E para është pjesë e iniciativës për shpalljen e zonës ndërkufitarë të mbrojtur në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të zi, kurse dyta pjesë e iniciativës për shpalljen e zonës ndërkufitare Sharr-Korab-Deshat, në mes të Kosovës-Maqedonisë dhe Shqipërisë.

 

Një nga përparësitë që kanë objektet e trashëgimisë natyrore të Kosovës, për të qenë pjesë e listës botërore të objekteve të trashëgimisë natyrore, është fakti se të gjitha janë nën mbrojtje ligjore nacionale. Kjo do të mundësonte një zbatim shumë më të lehtë të programeve dhe kërkesave të UNESCO-s.

 

Duke përmendur se pjesë e UNESCO-s, janë shumë programe shkencore dhe hulumtuese që në fokus kanë trashëgiminë natyrore dhe mjedisit. Në kuadër të tyre veçohen programet sikurse janë:  ndryshimeve klimatik dhe trashëgimia botërore, trashëgimia botërore dhe zhvillimi i qëndrueshëm, zvogëlimi i rreziqeve natyrore në trashëgiminë botërore, shkëmbimi i përvojave në menaxhimi i trashëgimisë botërore, trashëgimia botërore dhe turizmi i qëndrueshëm, programi i trashëgimisë botërore për pyjet, programi për peizazhin kulturor, vullnetarët e trashëgimisë botërore etj. 

 

Të qënurit anëtare e UNESCO-s, veç tjerash do të mundësojë Kosovës përfitimin e fondeve të ndryshme, implementimin e këtyre programeve si dhe zhvillimin e hulumtimeve shkencore në fushën e trashëgimisë natyrore.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …