Poemë për NJË MOLLË LUNDRON NË VARRE
( Shplomi vuajtjet Shqipëria ime
shihmi flakët sa janë mbi mua
shpërngujla kurrë mos ju raftë
plaga ime kurrë mos ju prektë!..)
Re të luftës,.. dallgë dhe stuhi
S´na u hoqën kurrë mbi qepallë
Më të fortë ishim se vetë Sparta
Natën mbi Trojën nuk di ta falë
Dielli mbi Shqipëri nuk shuhet
Kjo është e thënë mbi të bardhë
Roma Çezarit, Nata Osmanlliut
Ilirinë e dogjën me hekur e zjarr
Me një Konventë të vitit 1937
Midis qeverisë Serbe dhe Turke
1 mijë fshatra e qytete të Mollës
së kuqe, shpërngulja i bëri të huaj
ua shkuli substancën biologjike
tërë një Krahine të shqiptarëve
Serbi fëmijët në prehër na i theri
flet pema që udhëton mbi varre!
2
Në këtë poemë të gjëmëshme
e kam vështirë të bëjë pyetje
pse mungojnë kryengritjet
ku ishte populli ynë, pse nuk
ia dha dorën vëllëzërve të vet
përgjigjje gjatë s´do të ketë
se ata që bën gjenocid mbi ne
të bekuarit e Evropës ia lejuan
Shpërgulja ishte e dhunshme
me djegie të shtëpive, vrasje
therrje bajonetash, dhunim
grash. Shqiptarët e Krahinës
së Mollës së kuqe, ndiqeshin
nga Ushtria serbe, dhe nga
trojet denbabaden shqiptare!..
Nënat pyesin, pyesin baballarët
përse asnjë nga fqinjët tanë
kurrë për asnjë krim s´u dënuan
Dhe përse Evropë e asnjë kohe
ç´ështjen e tokave të pushtuara
dhe gjenocidin mbi shqiptarët
kurrë nuk e shtroi për zgjidhje!..
Por, krajla, mbretër, perandor
që kurrë s´i patëm kurrë asgjë
ata neve na e gatuan kalvarin
Shpërnguljen – atë gjëmë ferri!..
3
Kosovë, hapi arkivat e kohës
lexo shekullin e 19 dhe 20-të
dhe 5 qind vjetët me Turqinë
brenda i kemi 200 kryengritje
Udha për në Selanik me qerre
mbete një dramë më shumë
një përgjakje e papërshkruar
dhe një shkretim i njeriut tonë
I përndjekuri, Amir Kosova
pjesëmarrës i (tre) luftërave
me lot në sy më drejtohet;
si t´ia fshij gjakun plagës, dhe
si t´ia fshijë plagën zemrës?!
Në çastin kur më dëbuan
tregon miku ynë i shpërngulur
putha pragun e shtëpisë sime
mora një qese me dhé e qava!..
Shqiptarë të të gjtha trojeve
deri kur gjëmë e shpërnguljes
do t´i zbrazë tokat tona me ne
duke mos lënë prapa asgjë
as gjysh, as gjyshe, as fëmijë!..
4
Në ato vite të shpërnguljes
Stambolli ishte një vetvrasje
ku “vetëdorzohej” identiteti
gjëja më e çmuar e njeriut!
Në Bashkinë e Stambollit
në zyrat e tyre për të huajt
tek po prisja në korridor
të merrja kombësinë turke
në radhët me ne, ishte një
Vajzë bjonde, vjeç 14 , nga
Keçekolla e Prishtinës, serbët
vajzës ia kishin vra 52 anëtar
të familjes; vëllëzërit, xhajat
ndërsa vajza kishte shpëtuar
duke u futur thellë në plevicë
Për t´mos dëgjuar gjëmën e
pushkatimeve të xhelatët serb
Se dorëzimi i identitetit tim
Bërtiste Hanifeja në Bashki
Qenka më i rëndë se gjithçka
Më i rëndë s´e vrasja në luftë!
Në këtë dhé krejt të huaj
gjuhës unë i kërkoj ndihmë
që fjalët t´ia pastroj çdo ditë
me gjuhë të mos harrohem!..
5
Në këtë dhe krejt të huaj
unë nuk bëhem turke, as
sllave, dhe as anadollake
Ç´janë këta regjistra turpi
dua të kthehem në Kosovë
te varri i mamit dhe babit
dhe te varri i 3 vëllëzërve
Dua të kthehem tek Molla
te varret e 47 kushurinjve
o e gjallë s´ndërroj komb
Daja, dhe ju njerëz të mirë
dua diellin e fshatit tim
mëngjesin e kopshtit tim
më leni të kthehem n´atdhé;
te livadhet me fytyrë bari
te malet me fytyrë lisash
te krojet me fytyrë qielli
dhe te shpatijet me lule
atje dua të bëhem nënë
dhe të lindi shumë fëmijë!..
O më të mirët e shpirtit
Gjergj, Aleks , Trëndëlinë
dhe juve që s´ po u njoh
gjuamëni me gurët tuaj
Se unë Azgani, biri juaj
6
do të duhej të isha me ju
të jepja dhe unë pak gjak
nga ( gjaku ) i trupit tim
Malli ka një hënë të veten
të pjekur në prush të yjeve
rrallë zgjohem i hareshëm
mëndja më vete në Kosovë
Në varrezat e Stambollit
prehen me mijëra shqiptarë
thonë se vdiqën në këmbë
me mall dhe sy nga atdheut
Tragjedinë e shpërnguljes
e kam përjetuar në Selanik
në një anije të vjetër greke
që transportonte shqiptarët
për në humbje dhe harrim
Në ato vite të shpërnguljes
me sytë e mi e kam parë
një grua nga rrethi Gjilanit
pasi gjuan djalin nga anija
edhe ajo pas hidhet në det!..
7
Në botën e të shpërngulurit
ikja vret gjumin e pafajshëm
thyen krahët e zogut të ri, dhe
i shpërnguluri vuan çdo ditë
për të siguruar një gropë varri
dhe një ëndërr për atdheun
Të dëbuarit Çamë në Turqi
me mund e bëmë këtë jetë
i këputur, i degëtisur, i huaj
shpërngulja çdo ditë më vret
Kosovën një jetë se kam parë
Tiranën çdo natë e ëndërroj
lexuar kam mjaft për atdheun
për fushat, malet dhe detin
Me mall për atdheun po vdes
moshë më s´ më ka mbetur
veshët më ushtojnë shumë
e shoh se jam i përmalluar
Tokë e florinjtë është Çamëria
tronditëse është ëndrra e çamit
kur trapi mbi valë dremitet
dhe çami me çamen puthen!..
8
Mosha s´më lë të kapi largësi
fëmijët po na i përtëritin emrat
për ju që e kuptoni këputjen
degën e thyer edhe era e than!..
Atdhé, o i shtrenjti im atdhé
Nxirre këngën që ti vetë e di
Na lësho një za prej atje, të
mos vdesim të huaj e të pa liri
I huaji në dhe të huaj, as varr
nuk ka, ligjet e shtetit të huaj
Edhe për varre lypin qëra!..
O vëlla i gjakut tim, o zemër
jam lindur ku rritet rrushi
jam lindur ku piqet molla
kam gjakun e dheut të atdheut
aty ku i njoh dhe më njohin!..
( Atdheu nis tek zemra, tek
Gjuha, flamuri, se në dhé të
huaj, ndrron emrin dhe guri!..)
9
Shploma dhimbjen Shqipëria ime
shkruajnë nënat e shpërngulura
dhe të rënët e Mollës së kuqe
fjalorër e kujtesës dhe identitetit!
Të gjallë të atdheut! Na bëni një
gur varri, na kujtoni me shkronja
se s´ mjafton një pemë tek varri
duami një ditë të përkujtohemi
shkruajnë nënave e shpërngulura!
Shqipëri pellazge, dardane,iliriane
është, zëri i Nënave të Kosovës
zërin i nënave të Ohrit, të Prespes
zëri i nënave të Kumanovës dhe
Tetovës, zëri i nënave të Shkupit
të Preshevës, dhe të Medvegjes
Koha është të ecim kah bashkimi
për t´i mbajtë në gji, trojet tona
Maqedonin, Mollën dhe Çamërinë!
Jona, gjuha që s´shkruhet, thahet
dhe tretë, gjuha që s´shkruar
as varri s´e flet! O zot im i madh!
Pse kjo hënë e jona kaq e ligë?
dhe kjo tokë e jona kaq e ngrënë!?
10
Mollën te varri zia nuk e thau
po guri i shkulur dhe i humbur
Atdhe, vuajtja ime e pashpluar
shpërngulja qenka vetë gjëma
Shkulka familje, krahina të tëra
zogu im, falma fluturimin tënd
pa dheun tem vaji më del i huaj!..
( Grykën e Bosforit, pyeteni
s´e flet; gjysma është lot,
dhe gjysma është det!..)
Kjo luftë e ky mundim, do
të sjellë një ditë të bardhë
edhe sikur koha të zbres
në zero, shqiptarët do të
jenë një, dhe të bashkuar!.
Rrustem Geci – Stamboll, prill,1993