leoni

Fidan Mustafa

Fidan Mustafa: Fuqia amerikane dhe e ardhmja e Kosovës në Ballkan

Fuqia Amerikane në Ballkan dhe Evropë, po dëshmon edhe njëherë se mbetet e pakrahasueshme nga forcat politike evropiane e botërore. Proceset e rëndësishme të cilat zhvillohen në rrafshin ndërkombëtar si ajo e NATO-së, Klimës, Ekonomisë dhe boshtit të ndikimit evropian në vendet e Ballkanit, dëshmon qartë se roli i SHBA-së mbetet substancial për të ardhmen e kontinentit të vjetër dhe Ballkanit në veçanti.

Pavarësisht llojeve të pushteteve nëpër vendet evropiane, qofshin ato liberale, konservatore apo nacionaliste, pushtetet e shteteve në Evropë e Ballkan janë mjaftë formale përballë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare e gjeopolitike amerikane. Ato marrin trajtën e ndryshimeve sa herë që kërkon nevoja e një interesi me rëndësi gjeostrategjike amerikane.

Shembujt e protestave në Paris, Tiranë e Beograd, të dala nga hiqi, dëshmojnë qartë se gjithçka ngrihet dhe bije si rezultat i marrëdhënieve politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fuqitë evropiane vazhdojnë të mbesin brenda kohezionit të një mendësie të vjetër të peshës e protokolleve formale e gjithashtu strategjive boshe, të cilat e vënë në pikëpyetje të madhe vendimmarrjet e rëndësishme ndërkombëtare përgjatë proceseve të rëndësisë dhe sigurisë gjeostrategjike, veçanërisht karshi të ardhmes së Ballkanit dhe ndikimit Rus.

Britania e Madhe, tashmë ka rrëshqitur në Brexit prej BE-së, si një vend i rëndësishëm dhe domethënës për shumë zhvillime në Evropë gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Gjithashtu Britania ishte e rëndësishme edhe për sigurinë dhe zhvillimet e ardhshme në BE por që po humbiste si rrjedhojë e burokracisë dhe paqartësisë gjeostrategjike.

Turqia gjithashtu po kalon përskaj procesit të rrëshqitjes gjeostrategjike si njëra ndër aleatët e para dhe më të rëndësishme të NATO-së mes Azisë, Rusisë dhe Evropës. Turqia mbetet një hapë mbrapa në këtë aspekt për shkak të interesave të ngushta në Ballkan dhe peshën e saj në dekadat e ardhshme ndërvepruese me linjat e energjisë dhe linjat ekonomike ndërmjet Azisë, Rusisë dhe Evropës.

Mirëpo, pavarësisht këtyre parametrave mes lindjes e perëndimit, mes Evropës, Rusisë e Turqisë, Kosova shumë shpejt do të transformohet prej një vendi të korruptuar në një vend shembull për rajonin. Do të kthehet në një fuqi ekonomike e ushtarake, njësoj sikurse Japonia, Koreja e Jugut, Kuvajti, të cilat u bënë përmes mbështetjes amerikane dhe interesave gjeopolitike të saj.

Rrugët energjetike dhe e rrugët e mëndafshta ekonomike mes Azisë, Rusisë, Turqisë dhe Evropës, kalojnë mes përmes trojeve shqiptare, rëndësi të cilën e kanë analizuar shumë hollësisht SHBA-të dhe se kjo ‘portë’ e kontrollit mund të funksionoj vetëm përmes faktorizimit dhe forcimit të shqiptarëve në Ballkan, miqtë më pro amerikan në botë.

Ndonëse Kosova po kalon nëpër një proces formal të konsumimit të mekanizmave të te drejtës ndërkombëtare për vetëvendosjen e popujve karshi ngritjes së shtetit, negociatash, bërjen e ushtrisë dhe shtrirjen e sovranitetit, gjithsesi bota tashmë ka përjetuar ndryshimet radikale në mënyrën amerikane siç ka ndodhur në shumë vende të botës. Kosova mbetet segmenti i saj i ndryshimeve të shpejta në dekadën e ardhshme politike, ekonomike e ushtarake me apo pa miratimin e BE-së.

Fuqia amerikane tashmë ka mësuar nga ndërhyrjet nëpër botë se gjeni i një kombi nuk ndryshon për një ditë e as një dekadë, por kur ai të ndryshon për 100 vjet, mbetet i tillë edhe për 100 të tjera, ky është kombi i transformuar shqiptaro – kosovar.

Populli ynë nga ky transformim do të humbas disa nga elementët e rëndësishëm kulturor, fetar e kombëtar, gjithsesi ky është çmimi që do të paguajmë për të shpëtuar dhe ribërë edhe njëherë Shqipërinë e madhe nga një komb që varet e ardhmja e Ballkanit dhe vet fati i shqiptarëve.

Rezistenca jonë kulturore mund të duket e mjaftueshme për publikun, megjithatë tashmë shenjat e para të këtij ndryshimi jemi duke i përjetuar brenda familjeve tona. Ndryshimet të cilat prekin fizionominë e jashtme, janë mesazh i qartë se organizmi ynë veçse ka ndryshuar.

Zoti e ndihmoftë popullin tonë liridashës!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …