Bilall Sherifi: Dy kutet e Isa Mustafës

Reagimet e Isa Mustafës me rastin e
“sulmit” nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në pronat e familjes
së tij në Prapashticë nxitën komente nga më të ndryshmet. Sikur për shumë
çështje tjera edhe për këtë çështje 
komentet shkuan nga një skaj te tjetri: ata që mbajtën qëndrim kritik e
gjykuan trajtimin e rivalëve politik si “gomarë” ndërsa nuk munguan edhe
qëndrimet që arsyetonin sjelljen e Isa Mustafës.

Edhe pse me një numër qëndrimesh publike pajtohem
plotësisht, në këtë shkrim do të kufizohem në një aspekt që nuk u përmend nga
askush. Së paku, për aq sa kam mundur t’i përcjell mediet, nuk kam hasur
qëndrime që fokusojnë, njëkohësisht, vëmendjen në rolin e Isa Mustafës si
Kryefamiljar dhe në funksionin e tij në krye të Qeverisë së Kosovës.

Të gjithë ata që patën mundësi ta përcjellin
intervistën e Isa Mustafës në RTK, më 28 gusht 2015, ishin dëshmitar se ky
Kryefamiljar për të “mbrojtur” pronën dhe familjen e vet i referohet “të
drejtës zakonore”. Madje, në mbështetje të normave kanunore ai shkoi aq larg sa
shtroi edhe hipotezat e zhvillimeve të mundshme të “konfliktit”: “Ose të ha
qeni ose e han qenin”! U mbetet teleshikuesve që të vlerësojnë se sa i ka hije
një kryefamiljari që çështjen e divergjencave të cilësdo natyrë, në shekullin e
XXI, ta ulë në nivel qensh!

Por, çështja qëndron në atë se çka e shtyri atë të
reagoj kaq ashpër. Çka do të kishte ndodhur me të sikur kryefamiljari Isa
Mustafa, të mos vihej në mbrojtje të familjes dhe të pronës së tyre në
Prapashticë por, të fillonte negociata me “sulmuesit” për të gjetur
një zgjidhje paqësore për kërkesat e tyre.

 

Meqë kërkesa e “sulmuesve” ishte që
kreyefamiljari i Prapashticës Isa Mustafa t’i shesë pronat e veta, ai, duke i
dashur shumë familjen dhe pronën e tij dhe duke qenë i vetëdijshëm se
bashkëpronarët tjerë, që në këtë rast janë anëtarët e familjes së tij, nuk do
të pajtoheshin me ndonjë vendim eventual për të pranuar kërkesat e
“sulmuesve” dhe si pasojë do t’ia merrnin të drejtën për ta përfaqësuar
familjen e vet, pa u hamendur aspak refuzoi këto kërkesa dhe nxori kanunin në
mbrojtje të familjes dhe të pronës familjare.

Cili do qytetar i një shoqërie demokratike, në rast
të ballafaqimit me “presion për të shitur pronat e veta dhe të familjes së vet”
do të ishte përgjigjur shkurt se pronat që nuk nxirren në treg nuk kanë çmim
sepse nuk janë në shitje. Me kaq do ta kishte mbyllur këtë çështje. Në rast të
vazhdimit të presionit ai do t’u drejtohej institucioneve shtetërore që të
ndërhynin në përputhje me ligjin për të hequr presionin. Është obligim i
shtetit që funksionon mbi parimet e së drejtës që të përdor edhe forcat e
rendit, madje edhe qentë nëse ka nevojë, për të ruajtur rendin dhe
pacenueshmërinë e të drejtës së pronës për secilin qytetar.

 

Por, qytetari i Kosovës Isa Mustafa kërkon që  çështjet të zgjidhen me kanun! Ai i fton në
konflikt “kundërshtarët” e tij dhe këtë ftesë e bën në përputhje me kanunin:
mos vijnë me gra, vajza dhe fëmijë, por le të vijnë ata që janë trima dhe ata
që janë burra!

 

Cili do qytetar i një shoqërie demokratike që do të
bënte një thirrje të tillë për konflikt do të impononte ndërhyrjen e
institucioneve shtetërore. Por, në rastin e qytetarit Isa Mustafa puna qëndron
ndryshe.

 

Krahas rolit të Kryefamiljarit të një familje të
Prapashticës Isa Mustafa është në funksionin e 
Kryetarit të Qeverisë së Kosovës.

 

Të qëndrosh në krye të qeverisë së një vendi e ke
për obligim që të përfaqësosh dhe mbrosh interesat e të gjithë qytetarëve si të
ishin anëtarë të një familjeje.

 

Si veproi Isa Mustafa në funksionin që e vë në krye
të interesave të secilës familje të Kosovës? Në rastin e nënshkrimit të
marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe ai nuk ka vepruar
njëjtë si në rastin e rolit të tij të kryefamiljarit nga Prapashtica.
Përkundrazi, ai bëri krejt të kundërtën. Në cilësinë e të parit të familjes së
vet ai nuk pranoi as të negociojë me “sulmuesit” e lëre më të bëj ndonjë
kompromis me ta. Ndërsa në rastin e të parit të Kosovës, duke nënshkruar
marrëveshjen e dëmshme për vendin, veproi në kundërshtim të plotë me vullnetin
e anëtarëve të të gjitha  familjeve të
Kosovës. Me këtë veprim Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa shkeli rëndë
Kushtetutën e Kosovës duke bërë pazare me pronat dhe interesat e të gjithë
qytetarëve të vendit.

 

Në vend që të përgjigjet për këtë shkelje të rëndë
të interesave dhe pronës së qytetarëve të Kosovës,  Isa Mustafa mobilizoi forcat policore të
Kosovës për të mbrojtur pronën e tij private dhe interesat e familjes së tij. I
njëjti njeri i cili në cilësinë e Kryeministrit të vendit i fal pronat dhe
interesat e qytetarëve të Kosovës për “presionin që t’i shesë pronat e veta” ai
angazhoi policinë e Kosovës.

Vendimi i Isa Mustafës si përfaqësues i të gjithë
qytetarëve dhe të gjitha familjeve të Kosovës po has në kundërshtime të mëdha
nga qytetarët e Kosovës.  Askush nuk
pranon vendimin e tij për t’i bërë koncesione Serbisë. Është e drejtë e
pakontestueshme e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë vendim që ta shprehin
kundërshtinë e vet. Madje lirshëm pa u frikësuar se a do t’i pëlqejnë apo jo
këto reagime Isa Mustafës dhe bashkëmendimtarëve të tij.

 

Kurdo qoftë dhe kushdo qoftë që në cilësinë e
përfaqësuesit bën një veprim në kundërshtim me vullnetin e atyre që i
përfaqëson duhet të jetë i gatshëm të pranoj kritikat, madje, të jetë i gatshëm
edhe të heqë dorë nga përfaqësimi i tyre.

 

Tani është në dorën e qytetarëve të Kosovës, në emër
dhe në kurriz të cilëve edhe është nënshkruar kjo marrëveshje, të tregojnë
qëndrimin e tyre rreth kësaj çështjeje. Është në dorën e atyre që nëse nuk
pajtohen me këtë marrëveshje të kërkojnë dorëheqjen e Isa Mustafës nga
funksioni për t’i përfaqësuar interesat e familjeve dhe qytetarëve të
Kosovës.  Qytetarët e Kosovës kanë aq
dije dhe guxim sa të mbrojnë interesat e çdo qytetari dhe të çdo familjeje të
Kosovës. Madje edhe familjen dhe pronën e kryefamiljarit të Prapashticës, Isa
Mustafës. Këtë mund ta bëjnë pa pasur nevojë as ta hanë qenin e as që t’i hajë
qeni! Hiq ma pak me e sjellë ujkun në torishtë!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …