Ditën e shtunë, më 29 gusht në magjistralen
Prishtinë – Fushë Kosovë ndodhi një aksident i rëndë automobilistik në të cilin
u lëndua vozitësi i makinës i cili edhe e shkaktoi aksidentin. Deri këtu asgjë
e pazakontë. Pasiguria në komunikacion që shkakton numër treshifror viktimash
çdo vit në Kosovë pothuajse është bërë një lajm i rëndomtë. Fatkeqësisht,
Kosova është një arenë e frytshme aksidentesh, dhe jo vetëm atyre rrugore. Një
mënyrë e pazakontë e raportimit të aksidentit medoemos ta tërhiqte më shumë
kërshërinë se sa vetë rasti fatkeq. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, i
aksidentuari i përkiste nacionalitetit turk, por nuk dihej ende nëse ishte
shtetas i Kosovës apo jo. Pyetja që të vërdalliset vetvetiu ndër mendje është:
çfarë lidhje, ose çfarë rëndësie ka xhanëm përkatësia etnike e dikujt në një
aksident rrugor? Kujt i hyn në xhep feja, etnia, profesioni apo datëlindja e të
aksidentuarit?
Në Kosovën e pasluftës folklorizmi patriotik dhe
ikonografia kombëtare nga një strumbullar rreth së cilit është mbajtur së
bashku kombi në periudhat e rënda të dekadave të kaluara, është kthyer në
mitologjinë më të favorshme për të fituar kredibilitet dhe financa.Për një
popull dhe komb ku korrupsioni, vjedhja, krimbja e sistemit gjyqësor, vdekja e
atij arsimor mund të jenë të krahasueshme vetëm me vende të largëta të Afrikës
dhe Azisë është gjetur ilaçi i mashtrimit dhe ky është patriotizmi. Por jo një
patriotizëm dhe atdhedashuri që të nxitë për t`i luftuar të gjithë krimbat e
mësipërm, por një kombëtari boshe e cila vetëm sa i bën vend më të rehatshëm
apatisë dhe gjendjes së rëndë të aksidentimit të kombit. Çështja e kombit, dhe
rrjedhimisht nga kjo e patriotizmit, kur del prej suazave të prakticitetit dhe
dobisë së gjithëmbarshme shoqërore dhe vepron vetëm në terrenin e miteve dhe
përrallave, atëherë bëhet faktor destruktiv, naiv e qesharak. Aq shumë jemi të
bombarduar me përrallat mitologjike për kombin sa që edhe në një rast fatkeq
siç është aksidenti rrugor i përmendur në fillim të këtij shkrimi ne shohim
kombe përpara vetë aksidentit!
Çfarë rëndësie mund të ketë nëse i aksidentuar është
shqiptar apo turk apo amerikan? Në ndonjë rast të krimit etnik do të mund të
ishte me rëndësi të dihej nëse dikush ishte shqiptar, rom apo serb, por në një
aksident kujt i hyn kjo në punë?! Fatkeqësisht kjo është një rrjedhojë e
pashmangshme e klimës ku jetojmë. Gjithandej jemi të rrethuar me flamuj, këngë
patriotike, statuja, iliromani dhe mitologji të cilat identifikohen me
patriotizëm dhe kombëtari për të ushqyer popullin me krenari boshe në mungesë
të mirëqenies së vërtetë. Kudo nëpër Afrikë, Azi e bile edhe në Amerikë
kërkojmë ilirët e humbur. Krenohemi me gjatësinë disametërshe të Skënderbeut
dhe Edi Ramës! Droni ‘patriotik’ i Beogradit është lajm i majave për disa muaj
rresht, bile më i rëndësishëm edhe se negociatat me Serbinë në Bruksel. Thirrja
për të ndihmuar financiarisht dronistin e Beogradit merr më shumë jehonë se
cilado thirrje për t`i ndihmuar ndonjë të vobekti. Shtoja kësaj edhe ndonjë
këngë ku krejt koti përmendet ndonjë ilir, shqiptar apo dëshmor dhe kaq, u bë
kombi, u bë Kosova, u bë Shqipëria.
Në rastet e tilla nuk ka si të mos kujtohet Ernest
Koliqi. Në kryeveprën e tij ‘Tregtarët e
Flamujve’, shumë kohë më parë ai e vëren se krejt kjo maskaradë me flamuj, komb
dhe patriotizëm është në fakt tregti hesapi për interes të një grushti
njerëzish e në kurriz të popullit. “Posi. U bë Shqipnia – thotë ai nëpërmjet
karakterit të veprës së vet – Dalin të marrët e vikasin “Rrnoftë Shqipnia. Ti i
meçëm, përgjigjesh tue bërtitë në kupë të qiellës ‘Rroftë po, e shpejt me
porositë flamuj’. Na shkyeju ‘rrnoftë’ e ti shit, ban pare tue tregtue me
ndjesitë tona. Lojë e bukur, por s’të ka dalë”. Gjithçka e saktë përveç fjalëve
të fundit. Sipas Koliqit kjo tregti me flamuj e me komb nuk ka për të pasur
sukses, kurse ne sot shohim se suksesi i kësaj shitjeje të kombit për
ikonografinë dhe përrallat mitologjike kinse patriotike është marramendës. Nga
kjo tregti flamujsh e kombesh bëhen këngë që shiten për mijëra euro, bëhen
pallate milionëshe me ashensor, bëhen pushime, sigurohet ardhmëria e
stërnipave, kurse të tjerëve e tëra që u ngelet nga tregtia është një dyfjalësh
i marrë “Rrnoftë Shqipnija” ose “Kosova Republikë”!
Politikani shqiptar i pasluftës e ka përdorur më së
miri folklorin e kësaj tregtie me flamuj në raport me shtetin dhe popullin. Për
shkak të mungesës së kredibilitetit politik apo edhe korrupsionit deri në fyt,
ky soj politikani e ka të domosdoshme që të kërkojë mbështetje ose tek bëmat e
tij të luftës, ose tek përrallisja për të atin, gjyshin apo bile edhe
stërgjyshin që ka luftuar dhëmbë për dhëmbë me turkun, serbin apo komunistët,
ose tek loja me flamuj, ose tek rugovizmi, Skënderbeu apo Gonxhe Bojaxhiu.
Koncepti i politikanit të tillë për shtetin është tribalist. Në një vend normal
në rastet kur kërcënohet kryeministri i vendit, bie fjala, thirret në
funksionim të organeve të rendit, kurse kryeministri i Kosovës së aksidentuar
mëton t`i luftojë kërcënimet ndaj tij me kanun, shqiptari, luftë mahallash dhe
dërdëllisje për të atin e tij patriot. Kallëpi i tillë i politikanit, e që në
fakt është soji mbizotërues në Kosovë, nuk është i interesuar për funksionim
përsëmbari të shtetit, por e kupton pushtetin si mundësi të shtrirjes së interesave
familjare e fisnore në një territor më të gjerë. Politikani i tillë, përndryshe
i vogël në pikëpamjet e tij ndaj botës, e ka të vështirë që të dalë mbi
konceptin e ikonografisë dhe patriotizmit sipërfaqësor për shkak të babëzisë së
papërmirësueshme dhe prandaj synim karriere e ka që popullin ta bindë jo me
punë, por me përralla flamujsh e kombesh duke e luftuar edhe varfërinë me
flamur; edhe papunësinë me Ilir Shaqirin; edhe korrupsionin me Zahir Pajazitin;
edhe krimin e organizuar me Skënderbeun!
Ky është kombi shqiptar i ditëve të sotme, i
aksidentuar rëndë në një rreth vicioz gërshetimi feudesh, principatash dhe
skllavopronarësh modernë që vetë bëjnë mitet për flamujt dhe kombin, vetë i
shesin dhe vetë përfitojnë kurse popullin e thërrasin në sakrificë për to.
Prandaj e ripërsërisim, Kosova është një arenë e frytshme aksidentesh, dhe jo
vetëm atyre rrugore! Kosova dhe shqiptarët janë të aksidentuar rëndë me
vjedhjet, varfërinë, politikanët e pangopur, arsimin e pështirë, gjyqësinë e
korruptuar. U ardhtë fundi!