Rilind Gërvalla: Logjika puthadore e Isa Mustafës, ofenduese për qytetarët


(“Popujt kërcënohen kur nisin ta refuzojnë të
qenit vullnetarisht shërbëtor” – Alain Badiou)

 

Jam rritur me nënën që punon arsimtare që nga viti
1972. Jam rritur me babën që pas instalimit të masave të dhunshme nga Serbia u
dëbua nga TVP, por vazhdoi aktivitetin duke dhënë kontributin në Këshillin për
Financim për ta ndihmuar arsimin. Kam vazhduar studimet në Fakultetin e Gjuhës
Angleze nëpër bodrumet e rrugës “Xhemail Ibishi” e Shkollës fillore “Nazim
Gafurri” që rastisi të jetë edhe vendi i punës së nënës, ku unë kam
mbaruar shkollën fillore. Motra më ka punuar si infermiere e akushere në vitet
‘95-‘98 brenda Shkollës Fillore “Emin Duraku”.

Nuk ka ofendim më të madh se të bësh analogji midis
“Zajednicës” (këtij projekti shovinist) dhe rezistencës gjithëpopullore e
vetorganizimit të profesorëve, arsimtarëve, nxënësve, studentëve, mjekëve e
infermiereve, punëtorëve etj.

Populli i Kosovës organizoi sistem paralel për t’i
rezistuar pushtuesit, kurse “Zajednica” po themelohet për ta rikthyer e rritur
ndikimin e Serbisë.

 

Ja se çfarë thotë kryeministri: “Kjo nuk duhet
t’i pengoj askujt, sepse ne e kemi përjetuar vetë, sa rëndë është kur dikush ta
mohon të drejtën të mësosh fëmijët e tu e të shërohesh ashtu siç t’i
dëshiron”.

Sipas kryeministrit, “Zajednica” na qenka punë e të
drejtave të njeriut dhe e respektimit të minoriteteve.

Shih shih, po kërkesa për “Zajednicën”, të erdhi nga
Serbia apo qytetarët serbë?! Nga Serbia, s’do mend. Por, kjo s’është veçse një
grimcë kontradikte, karshi përhumbjes totale që e ka kapluar kryeministrin. Isa
e ka humbur toruan. Sipas tij, ne deri para Marrëveshjes kemi ushtruar
represion. Ai ka dyshime edhe më të mëdha. Krahasimi me represion e viteve ’90
që është ushtruar ndaj shqiptarëve e përgatitë aluzionin për legjitimitetin e
kërkesave të Serbisë për ndarje, kurse Kosovën e nxjerrë si shtet pushtues.
Kështu është kur problemi i Kosovës shkëputet nga historia duke u reduktuar tek
sasia e të drejtave, apo numërimi se kush çfarë mori nga tavolina. Kosova është
pushtuar dhunshëm nga Serbia, dhe kjo 
punë nuk fillon as me Millosheviqin as me Rrahman Morinën, daton së paku
prej vitit 1912.     

 

Kjo është logjikë puthadore, është logjikë
autonomiste e viteve ‘80-’90-të që ka vdekur politikisht, por që shohim se
jetuaka ende në mendjen e Isa Mustafës. KY ËSHTË OFENDIM!

Kjo mendësi është e kundërta e asaj që kishim bërë
në vitet 90-ta kur u organizua padëgjueshmëria ndaj regjimit serb, paralelizmi
në arsim e shëndetësi e që shpesh LDK i merr si meritë ekskluzive të saj, e jo
të popullit që mendonte LDK-në si Lëvizje gjithpopullore.

Isa Mustafa si drejtues i Fondit të 3%, akuzohet
publikisht nëpër media për keqpërdorim, e si ministër në ekzil e paska harruar
edhe se si u financua arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti e edhe
partitë politike në vitet 92-99, që u bënë vija krahasuese me “Zajednicën” e i
krahason ata/ato që sakrifikuan nën regjimin fashist të Millosheviqit me
strukturat paralele serbe që Kosovën e quajnë pjesë të Serbisë.

Ja përkujtojmë që së pari janë formuar Këshillat e
prindërve për vetëfinancim, më pas Këshillat Financiare Komunale për Arsim, më
pas Këshilli Qendror për Financim në krye të së cilit ka qenë Mehmet Hajrizi e
më pas Ismajl Kastrati. Në Këshillin Financiar për Komunën e Prishtinës në
kohën kur ti sodisje Perëndimin, kanë filluar punën Shefki Ajeti, Shukri Fetahu
dhe që ta bëjë Këshillin Financiar profesional, udhëheqjen e merr Abdyl Hoxha,
i biri i Ramiz Cërnicës, i cili ne Lidhjen e Prizrenit thotë: “JO ME
SERBI, PO, TË MADHE ME SHQIPËRI”.

 

Isa Mustafa dhe këshilltarët e tij tërë ditën flasin
për të drejtat që ua japin të tjerve kur përmendet “Zajednica”.

Flasin për fjalën e lirë, përfshirë edhe ofendimet
direkte nga kryepushtetari që ka në dorë tërë aparatin e dhunës, por nuk e
durojnë kritikën qytetare në FB zyrtar që menaxhohet nga taksat e po këtyre
qytetarëve. Përpos fshirjes masive të komenteve të qytetarëve e bllokimit të
tyre që të mos komentojnë më, fshin edhe një koment të një nxënësi që kritikon
gjuhën e pushtetarit, vetëm pse ka 244 pëlqime, më shumë se 230 pëlqimet e
kryeministrit.

Kjo gjuhë e mënyrë e të komunikuarit që nxit tërë
aparatin e dhunës kundër atyre që kundërshtojnë “Zajednicën” duke i arrestuar,
anatemuar, linçuar është gjuhë e tjetërsuar nga një regjim millosheviqian që
iku e rri vetëm në mendësinë e “Kryeministrit” që nuk e do përballjen.
E për më keq, ai nuk debaton me qytetarët publikisht.

Në mbledhje të Qeverisë, Kryeministri paska kërkuar
që institucionet e vendit të marrin masa kundër çdo kundërshtarit të tij dhe
familjes së tij. Nuk turpërohet për aferën e BMW-së, bile thotë që nuk ka nevojë
për aq pak para. Po na i përsërit masat e dhunshme dhe tashmë edhe e kuptuam
porosinë:

 

Regjimi ka një drejtues të ri të MISIONIT TË RI e
një KTHESË drejt autokracisë, Isa Mustafën!

 

Dhe për fund, këtu është bërë luftë çlirimtare dhe
betim e ata/ato që e kanë bërë dhe ata/ato që vazhdojnë ta kenë në mendje e
shpirt, nuk do ta lejojnë kurrë që jo JU, po as ata të shantazhuarit në
koalicionin qeverisës që e kanë braktisur idenë e UÇK-së ta realizoni
“Zajednicën” si projekt.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …