leoni

Behxhet Shala: Kosova e vogël me halle të mëdha

Kosova, një vend i vogël që po mundohet të bëhet shtet ka një sipërfaqe pak më të madhe se 10.000 km dhe e cila po tkurret pas çdo shënjimi të vijës kufitare me shtetet që përkufizohet që e kanë trashëguar një instinkt prej grabitqari. Deri më tani Kosova u nda keq pas demarkacionit të kufirit me Maqedoninë dhe protestat e shumta të banorëve nuk dhanë rezultate sepse politika servile vendore gjeti rrugë dhe mënyrë t’i heshtë ato. Serbia nuk i njeh kufijtë e Kosovës fare duke i konsideruar si vija administrative e që edhe “miqtë“ ndërkombëtarë përafërsisht ashtu mendojnë!


 


Në këtë kontekst Shqipëria po tregohet më e drejtë sepse nuk synon të marrë edhe as një milimetër të territorit të Kosovës. Madje, në shumë raste, sidomos para ndërkombëtarëve deklaron se Shqipëria nuk është e interesuar për ndryshim të kufijve me Kosovën në ndërkohë që këta kufij po zhvaten nga shtetet që kufizohen me Kosovën sikur të ishte “lëkurë qeni“. Shënjimi i kufijve me Malin e Zi shkaktoi pakënaqësi të madhe të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe banorëve të Dukagjinit në veçanti. Reagimet shkuan deri në kërcënim të hapur se:” do të derdhet edhe gjaku në mbrojtje të pronave….”. Ishte një përplasje e madhe verbale midis pozitës që thoshte se Kosova nuk humbë asgjë nga ky demarkacion sikur që opozita pohonte se Kosova humbë mbi 8000 hektarë në këtë biznes territoresh. Komisioni Qeveritar për Demarkacion ishte dhe mbeti zëri i qeverisë sepse, në fakt, po i zbatonte politikat e saj. Ramush Haradinaj nuk ishte aspak i mëshirshëm me kryesuesin e këtij komisioni ndaj të cilit përdori shprehjet më fyese të mundshme sikur që në drejtim të tij hodhi hartat kadastrale. Ndërkombëtarët, si ndrikulla të këtij demarkacioni, në stilin mafioz duke vepruar në hije dhe duke deklaruar se: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran prandaj vet vendosë për fatin e saj ..” po shiten si virgjëresha të shtëpive publike. Çfarë cinizmi, ironie dhe dhunimi ! Nuk është vështirë të gjeni një grusht të mjerë politikanësh injorantë kosovarë dhe nga ata të kërkoni përmbushjen e detyrave shtëpiake të cilat nuk do t’i pranonin as të çmendurit në shtetet e tyre. Pastaj, sipas një automatizmi përshëndesin: “çdo marrëveshje të arritur midis palëve ndonëse Kosova kryesisht po ndahet si palë e humbur“. Nuk jam fare ekspert për mënyrën si shënohen kufijtë por kësaj pune (sidomos me Malin e Zi ) po i vjen shumë era dhe në lojë duket të jetë një poshtërsi e madhe. Mali i Zi, çdo raport me Kosovën e kushtëzonte me demarkacionin e kufirit sepse llogaria i shkonte në favor shumë! Duket se ia arriti qëllimit falë injorantëve tanë që e kryen punën e tyre. Realisht , banorët e Dukagjinit kanë më shumë njohuri për këta kufij dhe atyre duhet besuar.


 


E kuptoj hidhërimin dhe reagimin e Ramushit ndonëse nuk e arsyetoj fjalorin e komunikimit. Dhe, nuk e besoj se këtë po e bënë për të fituar vota. Merreni me mend se ku do t’i vendosë kufijtë Serbia nëse pranon të bëjë përkufizimin shtetërorë me Kosovën ?! Ku të dojë , pa dyshim! Mbeten në ndërgjegjen e deputetëve të Kosovës ta votojnë apo të mos e votojnë këtë krim kundër territorit të Kosovës. Presidentja e Dellit , nëse do të jetë përcaktues nënshkrimi i saj, do ta nënshkruaj, pa asnjë dyshim ! Kërkoj falje për një gabim teknik më lartë kur u thirra në ndërgjegjen e deputetëve të Kosovës!! Sepse, disa prej tyre kanë shumë problem me ndërgjegjen dhe nuk e njohin si kategori morale dhe psikologjike! Prandaj, turruni o komshi grabitçarë të Kosovës sepse Kosova nuk është në shitje, madje as me çmim 0.99 centë sikur plaçkat kineze)!


 


Kosova është në falje! Për një interes personal dhe për një territor karrike të dikuj!


 


Dikush po e quan Asociacion, dikush Bashkësi, dikush Zajednicë e dikush edhe OJQ-së e që në fakt po del të jetë Bima e Dreqit. Dikush po i jep kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë ndërsa të tjerët, kryesisht pushtetarët dhe bishtat e tyre nuk po i japin as edhe një gram pushtet, as të parë, as të dytë , as të tretë e as të dhjetë ! Kohëve të fundit ishte shumë aktive “ministresha për dialog “ ndryshe ish kandidate e Piter Fejt për presidente të Kosovës , tash e veshur si Kësulkuqja të cilën nuk do ta hajë as edhe ujk më i vetmuar dhe më i uritur në rruzullin tokësor, “diplomatja” e parapaguar dhe kujdestare , Edita Tahiri. Që nga fillimi kur Hashim Thaçi i dha rolin e “Hyjneshës“ së Brukselit, ajo bëri çdo gjë përveç se ishte e sinqertë me qytetarët dhe katundarët e Kosovës. Ishte, sidomos kohëve të fundit “redaktore kujdestare “thuaja në shumicën e medieve elektronike në përpjekje që t’i bindë bashkëbiseduesit por edhe shikuesit për karakterin beninj, jovdekjeprurës, të Asociacionit në ndërkohë që edhe ajo e dinë se kjo Bashkësi serbe është një kancer malinj (vdekjeprurës) në trupin e brishtë dhe të dhunuar të Kosovës! Këtë po e thonë edhe shumë ndërkombëtarë por edhe serbë normal duke e zbutur me :” kjo Bashkësi do ta bëjë Kosovën jofunksionale nëse këtë e kërkon Serbia..”. Gabim e kanë kur ta kemi parasysh faktin se sa ka investuar Serbia në stabilizimin e Kosovës dhe sa qëndrim miqësor ka ndaj Kosovës!


 


Ndërkombëtarët e përshëndetën këtë Bashkësi sepse ishte pjellë e tyre ndërsa vendorët që u ngulën në kunj që nga fillimi , nuk kanë si të reagojnë ndryshe ! Serbët e ngazëllyer me këtë dhuratë të pamerituar po deklarojnë se ky është proces i pakthyeshëm sepse ka garanca ndërkombëtare për formimin dhe zbatimin e këtij mekanizmi dhunues . Nuk e kam pasur asnjë mëdyshje për karakterin shkatërrimtar të këtij mekanizmi të Serbisë në Kosovë sikur që as sot nuk dyshoj për këtë. Tash, disa të padijshëm të veshur me tituj shkencorë , akademikë dhe analistë të “spikatur“, po kërkojnë që shqiptarët në Luginë ta formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare sipas modelit të Zajednicës. Ta frikësojnë arushën me tupan! Duke injoruar faktet që kanë ndikuar në formimin e Zajednicës dhe që janë kundër “zajednicës“ së Luginës. E para, edhe territoret e Zajednicës në Kosovë kanë qenë dhe janë 100% nën kontroll të Serbisë sikur që edhe Lugina kontrollohet 100 % nga Serbia. Kosova nuk ka as 0.1% kontroll mbi këto territore. E dyta, bashkësia ndërkombëtare ishte kumbarë i themelimit të Zajednicës dhe do të jetë mbrojtës i saj në ndërkohë që po kjo bashkësi ndërkombëtare është kundër themelimit të Zajednicës në Kosovën Lindore. Madje, është e gatshme ta lejojë Serbinë t’i përdorë të gjitha mjetet shtypëse kundër kësaj Zajednice. E treta, Serbia me të gjitha mjetet e ka përkrahur themelimin e Zajednicës së saj kurse, gjithashtu, me të gjitha mjetet do e shtypë Zajednicën e shqiptarëve. Serbia ka investuar dhe investon qindra – milionë euro në këtë zajednicë ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë investuar disa dhjetra – mijëra euro në Zajednicën e Lindjes, Serbia ishte dhe qëndron prapa Zajednicës së saj me tërë resursin shtetëror ndërsa Kosova dhe Shqipëria e udhëzojnë Luginën  të trusë dhe të mos shkaktojë probleme. Serbët e veriut protestonin në shi dhe borë, natën dhe ditën, ditë pune dhe ditë feste, fëmijë, gra, pensionistë dhe të rritur ndërsa tanët pinin çaj rusi dhe nbushnin kafeteritë.


 


Politikanët serbë më shumë kohë kalonin me serbët e veriut se me gratë dhe fëmijët e tyre kurse tanët kujdeseshin për të dashurat e tyre duke i dërguar në udhëtime zyrtare me para të shtetit! Serbët e Zajednicës po i mbrojnë kriminelët e tyre ndërsa ne po votojmë për një Gjykatë Speciale për trafikim me organeve. Zajednica e Serbisë po e ndanë Mitrovicën dhe Kosovën ndërsa ne po këndojmë:” Dhe krejt në fund, Zajednicën e Kosovës e ka pranuar Brukseli dhe Uashingtoni pas bisedave “teknike“ kurse Zajednicën e Luginës nuk ka gjasa që as teknikisht ta pranojnë Brukseli dhe Uashingtoni e lëre më politikisht! Zajednica e Luginës do ta ketë fatin e Republikës së Melkizedekut! Dhe pas gjithë kësaj nga ne po kërkojnë të veprojmë me koka të ftohta kur nga prapa po na dalin flakët. Sa e pamoralshme !


 


Blloku opozitar kundër vetvetes


 


Pas zgjedhjeve të qershorit 2015, u krijua koalicioni V-LAN me qëllim ta eliminojnë nga mundësia për ta marrë pushtetin partinë që i fitoi zgjedhjet, PDK-në! U krijua një dashuri e panatyrshme brenda koalicionit sepse ëndërronin për një shtrat 4-vjeçar (mandati qeverisës). U ndanë postet qeveritare, institucionale, në ndërmarrjet dhe shtëpitë publike, në medie dhe me nder me thanë shoqëri civile. U caktua se kush do të largohet nga puna dhe se kush do të arrestohet. Mirëpo, të padijshmit strategjinë e tyre e hartojnë jo në përputhje me rrethanat, faktorët që vendosin por ekskluzivisht në interesin e tyre. E injoruan faktin se nëpër proceset që do të kalojë Kosova (“marrëveshjet “me Serbinë, Gjykata Speciale, Zajednica, demarkacioni i kufijve dhe diskutimi për pronat që do të pasojnë më vonë ) lënia në opozitë e PDK-së do të ishte i pamundur sikur që do të ishte i pamundur funksionimi i koalicionit V- LAN. LDK, si parti me embrion puro komunist të Kumrovecit e luajti lojën e përkryer të një kurtizaneje politike. Ditën ia tregonte pakëz prapanicën e rrudhur Lëvizjes Vetëvendosje! AAK-së dhe Nismës ndërsa natën bënte orgji të shfrenuar me PDK-në! Ndërkaq ndërkombëtarët, së bashku me Lista Srbska u kërcenin të gjithëve. Këto zhvillime të fundit vetëm sa e dëshmojnë pohimin tim.


Lëvizja Vetëvendosje ! në vend se të mbledhë mend dhe ta vazhdojë luftën opozitare e vetmuar në ndërkohë që në raste të veçanta do të koordinohej me të tjerët, vetëm sa është duke u devalvuar politikisht. Ashtu si po vepron vetëm sa po shërben si rrip sigurie apo shpëtimi për AAK-në dhe Nismën me gjasë që të mbytet së bashku me ta. Po të kishte një organizim qytetarë, jopartiak, kjo qeveri do të binte brenda tre muajve. Me këtë opozitë ka rrezik ta çojë mandatin deri në fund me mundësi edhe për një mandate tjetër! Kjo opozitë nuk do ta rrëzojë qeverinë sepse vet është e rrëzuar. E shtrirë për toke. Nëse nuk do të ketë aktivizëm qytetar, të gjithë do të bëhemi kandidatë për rrugëtim drejt humnerës! Në Kosovë kurrë nuk ka pasur rrethana më të favorshme për përmbysje të qeverisë dhe disponimi është i madh por jo me këtë opozitë! Model i Ukrainës dhe” revolucioni i kadifejtë “këtu nuk kryen punë. Ndryshimin mund ta bëjnë vetëm ata që e duan këtë vend në ndërkohë që, as pozita e as opozita nuk vdesin nga dashuria për këtë vend! Madje, për mendimin tim , zgjidhja më e mirë do të ishte të shkohej në zgjedhje të parakohshme ku shumica e këtyre deputetëve që kanë mungesë elementare të përgjegjësisë e të cilët janë bërë deputetë me 100 mijë dallavere , nuk do të kishin mundësi as të sillen rreth ndërtesës së Kuvendit e lëre më të ordinojnë brenda tij. Sikur që disa ministra, analfabetë politikë dhe intelektualë, do të përfundonin të qenit kondomë të njerëzve të prapaskenës politike!


 


Aksionet qoftë edhe simbolike kundër kryeministrit Mustafa nuk e rrezikojnë postin e tij. Këto aksione ndikojnë në tenin e fytyrës së kryeministrit, njëherë mund të ngryset, të marrë ngjyrë qivit të zezë, të zbehet, të bëhet ngjyrë prej qelibari apo dylli ndërkaq , në raste shumë të jashtëzakonshme mund edhe të skuqet që nuk është karakteristikë e shumicës së politikanëve tanë!


 


Lexoni ..dhe nga ju varet nëse do të besoni


 


Vullnetarisht e votuam Gjykatën Speciale. Vullnetarisht e votuam Zajednicën. Vullnetarisht nuk po duam të bëjmë ushtrinë. Vullnetarisht ia falëm tokën Maqedonisë dhe Malit të Zi. Dhe tash, vullnetarisht po e vendosim Gjykatën Speciale në Holandë! Merreni me mend, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i paska filluar bisedimet me shtetin e Holandës e cila po e kërkon pëlqimin e Kosovës që Gjykata Speciale të jetë në Holandë! Rrenë o rrenë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …