Jakup Krasniqi: Pse Isa Mustafa duhet ta dorëzojë mandatin

Ka arsye të shumta të cilat janë lehtë të verifikueshme se përse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duhet ta dorëzojë  mandatin dhe të jep dorëheqje të pa revokueshme dhe kështu tu hapte rrugë zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjedhja më e urtë në këto rrethana të trazuara. Në ketë rast opinionit publik dëshiroj t’ia ofroj disa nga arsyeje, perse duhet dorëzuar mandati për ti hapur rrugë kërkesës për një mandat të ri. Mandat i cili mund të fitohet vetëm me zgjedhje të reja, të lira, ferr dhe demokratike.


 


Të gjithë që kemi pasur sy e veshë, për të përcjellë, dëgjuar, lexuar e parë, fushatën zgjedhore për zgjedhjet e qershorit 2014, e dimë sesa pa durueshmëri ka pasur në mes Kryeministrit të tashëm, Isa Mustafa dhe Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi. I gjithë stafi drejtues i LDK-së që kanë defiluar nëpër televizionet kombëtare e lokale, në asnjë formë nuk i kanë dhënë mundësi një koalicioni me partinë e Hashim Thaçit. Duke u arsyetuar, se është kapur shteti dhe se me Hashim Thaçin nuk shkapet ai. Madje kjo jo një herë është përsëritur gjatë kohës se ekzistimit të VLAN-it. Pra, Isa Mustafa votat i ka marr për ta ndryshuar qeverisjen, për ta ç’kapur shtetin dhe krijuar një perspektivë të re për qytetarët e Republikës, për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Çka ndodhi në të vërtetë, “për sa qelë e mbyll sytë”,  zhduken premtimet “zëforta” dhe përkundër çdo morali njerëzor e qytetar, u lidh një koalicion jo parimor. Nuk besoj që ka ndonjë njeri me arsyeje të shendosh e me kujtesë normale që mund t’i mohoj këto fakte te verifikueshme.


 


Pa dyshim, në rastin tonë kjo që u tha deri më tani nuk janë arsyeje më të forta e as më të rëndësishmet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Arsyet më të forta, mbase edhe të domosdoshme, pse Isa Mustafa duhet të dorëzojë mandatin, janë këto që do i numërojmë në vazhdim. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në fushatat e tyre zgjedhore të stërzgjatura e të jashtë ligjshme ( ligji zgjedhor e kufizon kohën e fushatës), nga qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar mandatin për qeverisje të mirë e të lirë, kanë premtuar sundim të ligjit e të Kushtetutës, kanë premtuar forcim te sovranitetit, kanë premtuar integrimin e veriut të Kosovës me pjesët tjera të Kosovës, kanë premtuar mbrojtje të shqiptarëve jashtë Kosovës, se do të jenë “gardianë të shqiptarëve” në rajonin tonë, kanë premtuar shtetin qytetar, laik dhe multietnik, kanë premtuar qindra e mijëra vende pune. Asgjë nga këto nuk ka ndodhi dhe nuk ka mundësi të ndodh me ketë koalicion keq qeverisës.


 


Në fakt çka ka ndodhë gjatë qeverisjes se Isa Mustafës. Qeverisja është e keqe, më e madhja dhe më ë shtrenjta në Kontinentin e Vjetër, ketë nuk ua kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet e qershorit 2014 apo jo. Isa Mustafa nuk e ka kërkuar votën nga qytetarët për dezintegrimin e vendit, kështu si ka ndodhur me marrëveshjet e Brukselit. Me ato marrëveshje, Republika e Kosovës nuk është më shtet qytetar, multietnik dhe unik, madje nuk është as shtet laik. Me Kushtetutë (neni tre), “Kosova është e shqiptarëve dhe e komuniteteve të tjera …”. Tani me Marrëveshjen e Brukselit kemi dy shtete. Njëri është i shqiptarëve dhe i komuniteteve të tjera pakicë ( ku gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja), e tjetri i Bashkësisë së Komunave serbe (pra i një etnie), bile aty do të jenë edhe kishat serbe me territorin e tyre. Gjuhë zyrtare do të jetë gjuha serbe. I pari (shteti i Kosovës) do të jetë i gjithë qytetarëve të Kosovës, ndërsa i dyti, Bashkësia e Komunave serbe, është vetëm i serbëve. As këto çështje nuk kanë qenë pjesë e premtimeve te partive politike shqiptare në zgjedhje e qershorit 2014. As zvogëlimi i hapësirës territoriale nuk ka qenë pjesë te fushatës zgjedhore.


Nuk ka asnjë dyshim që as humbja e sovranitetit të shtetit në Sistemin e Drejtësisë, nuk ka qenë premtim i partive te koalicionit. As formimi i këtij koalicioni nuk ka qenë pjesë e premtimeve zgjedhore. As bashkëkapja e institucioneve te shtetit dhe e institucioneve të pavarura, nuk u është premtuar qytetarëve në zgjedhjet e kaluara, a po jo?! As ikja e mbi 100.000 njerëzve nuk ka qenë premtim.


 


Janë të gjitha këto fakte e shumë të tjera të pa thëna, që e obligojnë Isa Mustafën, që të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të parakohshme, për t’i pyetur qytetarët se a i miratojnë ata këto marrëveshje që i kanë bërë krerët e partive politike te koalicionit. A pajtohen ata me ketë keq qeverisje. Ky besim duhet të verifikohet domosdo në zgjedhje të reja, të lira e demokratike. Vetëm atëherë, partitë e koalicionit mund të thirren në verdiktin e qytetarëve të Republikës.


 


Gjendja faktike e gjithë kësaj që u tha deri më tani, konfirmon katërçipërisht, se liderët politikë të partive të koalicionit, në zgjedhjet e kaluara i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës. Krejt çka ka bërë kjo qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa, del si në dritën e diellit, se jo vetëm i kanë mashtruar qytetarët e Republikës, por i kanë tradhtuar ata. Tradhtia brirë nuk ka.


Pasi partitë e koalicionit, qytetarëve ua kanë bërë një mashtrim të madh politik dhe ekonomik, qytetarët kanë të drejtë që ti shfrytëzojnë e ti përdorin të gjitha format e veprimit demokratik për të verifikuar vullnetin e tyre në zgjedhje të reja. Kjo qeveri nuk ka mandat ta qeverisë ketë vend e ketë popull me gjithë këto dëme të mëdha e vështirë të riparueshme që ia kanë bërë vendit për një kohë kaq të shkurtër te qeverisjes.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …