RKL: Titistët e jugo-komunistët në postet kryesore të politikës, Rendit, Gjyqësisë, Prokurorisë

Koalicioni i fundit qeveritar në vendin tonë, koalicion të cilin e detyruan ambasadorët e huaj  të akredituar në Kosovë, veçmas ish ambasadorja amerikane, Xhejkobson, ka qenë dhe vazhdon të jetë koalicion i zorit dhe si i tillë i pa qëndrueshëm, jo sepse kanë dallime të mëdha politike mes veti PDK-ja dhe LDK-ja, por sepse është e panatyrshme të bashkë-qeverisin ndjekësit dhe të përndjekurit, xhelatët e viktimat, mercenarët e çlirimtarët, bijtë e kriminelëve me bijtë e viktimave. Kjo panatyrshmëri është e paqëndrueshme, sepse është e panatyrshme, sepse është e çoroditur dhe nuk bazohet në asnjë vlerë politike, shoqërore e  demokratike. Pikërisht për këtë koalicioni LDK-PDK, nuk mund ta qeveris vendin me sukses, sepse në brendinë e vetë mbart kontradiktat e thella shoqërore, në esencë të papajtueshme, pse jo edhe të pamoralshme.  I tillë ishte edhe ish-koalicioni qeveritar PD-LSI, në Shqipëri, i cili jo vetëm që nuk pati sukses, por e thelloi edhe më keq ndarjen dhe përçarjen mes forcave rivale politike. Duke folur për këtë fenomen të “çoroditjes së politikës”, filozofi italian, Domenico de Massi, thotë: “Nuk e dimë me saktësi se çfarë është e majta dhe çfarë është e djathta, e bukura dhe e shëmtuara, burri dhe gruaja, e vërteta dhe e pavërteta, madje edhe e gjalla dhe e vdekura. Çoroditje  (La stampa).


 


Fshirja e kufirit mes përkatësisë së forcave politike, pajtimi me kundërshtarin vetëm me qëllim për ta marrë pushtetin, pajtimi për të bashkë qeverisur viktima e xhelati, nuk janë vetëm fenomene të politikës shqiptare. Në aspektin ideologjik, PDK-ja doli nga e majta komuniste e Shqipërisë, ndërsa LDK-ja nga e majta komuniste e Jugosllavisë, por që të dyja me ideologji të majtë. Në Shqipëri të dyja forcat rivale politike dolën nga ish Partia e Punës së Shqipërisë, por në luftën politike për pushtet u diferencuan dy klasë të pjekura  nga i njëjti brumë.  Ky fenomen ka bërë që politika shqiptare të vazhdojë të jetë e mbarsur me sa e sa probleme, të cilat duan kohë që të kanalizohen dhe të krijojnë identitet të ri ideologjik e politik.


 


Bashkëqeverisja e dhunshme politike në Kosovë mes LDK-së dhe PDK-së, ka nxjerrë në sipërfaqe një koalicion të fortë me numra, por tejet të brishtë në brendi dhe tejet kontradiktor në bashkëqeverisje.


 


Qytetarët liridashës të Kosovës e dinë fare mirë se ky koalicion është rezultat i imponimit nga të huajt, të cilët, për fatkeqësinë tonë, gjithnjë i kemi respektuar më shumë se veten, edhe atëherë kur krejt hapur kanë vepruar kundër interesit tonë. Kështu po ndodh edhe aktualisht. Për hir të të huajve, “që aq shumë na paskan ndihmuar të çlirohemi pa e derdhur asnjë pikë gjaku”, politikanët me prejardhje nga Rezistenca dhe lufta çlirimtare e fitimtare, pranuan themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare kundër UÇK-së, pranuan që për hir të “miqësisë” me Malin e Zi, (krijesë politike shtetërore e Rusisë dhe Forcave të Mëdha, e ngritur mbi trojet shqiptare prej vitit 1852), t’i bëjnë tapi dhjetëra mijëra hektarë male e pyje këtij shteti fqinj, pranuan që në veri të Kosovës, të krijohet, sa për fillim një shtet i vogël serb, që nuk do të quhet shtet por ASK, pranuan dhe pranojnë të nënshkruajnë gjithçka që Brukseli u vë në tavolinën e bisedimeve.


Kjo ndodh sepse, Beogradi zyrtar ka shumë më tepër ndikim në BE sesa Kosova. Dhe, Brukseli zyrtar me qëllim për t’i  përfillur të gjitha kërkesat e Beogradit, në kreun politik vendimmarrës të Kosovës ka postuar “autoritete” të dëshmuara  të ish regjimit komunist jugosllav.


 


Në krye të Qeverisë së Kosovës, është postuar, Isa Mustafa, ish komunisti më i devotshëm dhe më besnik i LKJ-së deri edhe në regjimin e Milosheviqit, në krye të Prokurorisë, persekutori më i çoroditur i ish Jugosllavisë, Reshat Millaku, në krye të Policisë, Shpend Maxhuni, djali i një inspektori të  devotshëm të UDB-së. Në parim djali nuk është e thënë të jetë si babai, por ky djalë i mirë në krye të Policisë së Kosovës, asnjëherë, të paktën moralisht, nuk ka kërkuar falje nga  viktimat që i ka persekutuar babai i tij, inspektor i lartë i UDB-së në vitet ’80-90, te shekullit të kaluar.


 


Të gjitha dikasteret me rëndësi për shtetin, sigurinë, ekonominë, gjyqet, prokuroritë, ministrinë e Rendit, administratën civile,  i udhëheqin apo i dominojnë në bashkëqeverisje kuadrot e ish regjimeve okupatore, në mesin e tyre kriminelë që kanë vrarë shqiptarë dhe kanë persekutuar mizorisht protestues  në demonstratat  e vitit 1981, 1989, 1990, por edhe në kohën e luftës së UÇK-së.


Me kuadro të tilla Kosova ditë e më tepër po e humb sovranitetin.


Këtë nuk duhet ta lejojmë, në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim.


Andaj rrëzimi i këtij koalicioni, është detyrë mbi detyrat për të gjithë qytetarët liridashës të Kosovës dhe jo vetëm detyrë e opozitës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …