Përkujtohen Dëshmorët e Kombit, Astrit Bytyqi, Hysni Kajtazi dhe Besim Qarri

Paraditen e së premtes, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale, babain e Dëshmorit të Kombit Astrit Bytyqi njëherit kryetarin e shoqatës së familjeve të dëshmorëve Gafurr Bytyqi, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, familjarë të dëshmorëve dhe dhjetëra qytetarë, bën homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në përkujtim të rënies heroike të Dëshmorëve të Kombit, Astrit Bytyqi, Hysni Kajtazi dhe Besim Qarri. Në këtë ditë, në të njëjtën orë kur në Kuvendin e Republikës së Kosovës po votohej për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se kjo simbolikë, kjo datë është ditë e përzgjedhur, ditë që tregon përpjekjet, sakrificat dhe përmbledh gjithë historinë e flijimit të popullit tonë. “Sot është një ditë e veçantë sot, 14 dhjetori por përulja është e përjetshme, ne sot jemi përulur para tre dëshmorëve të Ferizajt, të cilët ranë heroikisht në Betejën e Gorozhubit, në zonën e Pashtrikut së bashku me Komandantin Mujë Krasniqi – Kapuçin dhe shumë veteranë të asaj kohe, shumë dëshmorë të sotshëm, shumë heronj të sotshëm dhe në fakt kjo ditë është ditë e përzgjedhur, është ditë që tregon përpjekjet, sakrificat, ditë që tregon dhe përmbledh në fakt gjithnjë histori të gjatë flijimesh dhe është ditë ku më në fund ai flijim, ajo ëndërr e shumë të rënëve për liri qoftë me pushkë me dorë, qoftë afër pushkës, sublimohet në atë që ekzistonte pra në Ushtrinë e Kosovës. Dhe sot duke u përulur sigurisht tregojmë vlerat, tregojmë sakrificat, por mbi të gjitha tregojmë edhe historinë, rrugën që kemi ndjekur si popull dhe si komb. Me këtë rast, ne përulemi para heronjve dhe dëshmorëve tanë, por njëkohësisht përulemi edhe para invalidëve me respekt ndaj tyre, veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirëve dhe gjithë atyre babgjyshërve, stërgjyshërve e prindërve tanë që kanë sakrifikuar për dekada e shekuj që ne të vijmë në këtë ditë. Sigurisht se është një ditë ku ne kemi një falënderim të veçantë, edhe për miqtë tanë të përjetshëm, këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikën, popullin amerikan, shtetin amerikan por edhe shtetet e Bashkimit Evropian që treguan se jemi me ta, janë me ne dhe jemi Evropë dhe gjithmonë kanë qenë mbështetës dhe do të jenë mbështet për këto vlera që në fakt ne i shpërfaqur për këto dekada dhe shekuj por që do të duhej dhe ndodhi ‘98-ta, ndodhi ’99-ta, ndodhi kjo sakrificë siç ndodhi kjo me 14 dhjetor, 20 vjet më parë për të dëshmuar edhe njëherë se përpjekjet për liri janë të vështira, sakrificat për liri janë të mëdha por mbi të gjitha, të gjitha këto bëhet me një mbështetje prej miqve, në këtë rast Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Le të më lejohet që me këtë rast të uroj qytetarët e Komunës së Ferizajt, por edhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha të uroj gjithë shqiptarët, kombin shqiptar për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Le të rroj gjithmonë, e paçim përgjithmonë Ushtrinë e Kosovës, e paçim përgjithmonë shtetin e Kosovës, lavdi gjithë heronjve e Dëshmorëve të Kombit, lavdi gjithë të rënëve në të gjitha periudhat e sakrificës së gjatë të popullit shqiptar” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Edhe Gafurr Bytyqi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, krenar për birin e tij që ra dëshmorë për lirinë e vendit, tha se kjo ditë, është ditë dhembje dhe krenarie. Krenari që po kurorëzohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës, atë që e deshën dhe për të cilën flijuan shumë gjenerata. Homazhet përfunduan me vendosjen e kurorave të luleve në gurin e varrit të Dëshmorëve të Kombit, Astrit Bytyqi, Hysni Kajtazi dhe Besim Qarri, si dhe përkulje pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …