Prej kohësh Evropa është vetëm pasojë e vetvetes. Kriza e përgjithësuar e saj, në besimin thjesht teknik dhe monetar, qëndron larg çdo drejtësie dhe projekti drejtësie. Në këtë huq drejtësie, ne shqiptarët jemi loja e saj e radhës. Në këtë huq ne jemi shembulli i ftesës së dialogjeve të pabëshme që do të prodhojnë humbjet dhe krizat e ardhshme. Në këtë huq të saj, Evropa është sot dija e kufizuar e ekspertëve të vet, është mjaftueshmëria që vjen nga frika e një historie evropiane që evropianët e çdo tipi nuk mund ta menaxhojnë. Por është së pari sëmundja që ka mbërritur masën, jo të shkatërrimit të shëndetit, por të rrënimit të vullnetit.
Për të matur këtë rrënim vullneti ekzistojnë katër dëshmi rrëqethëse:
1. Në lidhje me sjelljen globalisht civile të saj, fraza boshe që meku miliona qenie të quajtur evropianë: jam Charlie, fraza që shprehte padijen se ç’mund të bëhej në ditët kur vriteshin ca njerëz që në fund të fundit ishin artistë;
2. Në lidhje me politikën e saj të jashtme, për sa që mund ta quajmë të tillë, kriza e refugjatëve që është masa e humbjes politike nëpër derivate të tregtisë së lirë mes vendeve. Kriza politike u prodhua nga pushtete me të cilët duhet ta mbanim mirë sepse diktaturat që kishin vendosur kishin nevojë për mallin neoliberal evropian, ndërsa për prodhimin e këtij malli duhet energjia e lashtë e hidrokarbureve. Tani kontabiliteti i fëlliqësisë së shkëmbimit mes parasë dhe energjisë është numri i refugjatëve të mbytur e të kthyer, i të vrarëve të luftës, shtëpive dhe tempujve të shkatërruar nga predhat, boshatisja e territoreve nga qenia dhe historia njerëzore. Direktiva liberale monetare po shndërrohet, nën pedagogjinë e udhëheqësve të shteteve, në spektakël humanitar social;
3. Syriza në sytë e evropianit është vetëm amnezia e përkohshme te votuesi grek i krimeve të pushtetit të korruptuar të djeshëm. Sepse duhet që t’u bëhet e ditur dhe e provuar grekëve se një forcë e tillë politike është e pamundur në Greqi, se fashistët dhe korrupsioni, reduktimi i saj në qendër turistike, përbëjnë të vetmin horizont politik. Politika e Evropës është politikë pashmangshmërisht shtetërore;
4. Dialogu Kosovë-Serbi është dëshmia e pafundme e vullnetit të kufizuar, tepër të kufizuar, për drejtësi. Evropa po shpreh në mënyrën më flagrante padijen e vet në lidhje me drejtësinë. Siç e bëri një herë e një kohë me kufijtë, territorializimin e popullatave pa asnjë lidhje me shpërndarjet etnike, sot po territorializon drejtësinë, po shpërndan padrejtësinë.
Personalisht më intereson vetëm kjo çështje e fundit. Më intereson vetëm ajo pyetje ku unë mund të ndërhyjë mendërisht dhe fizikisht. Ajo është pyetja e një shqiptari që ka ende fuqi të pyesë. Mbetet ta mendojmë pyetjen si të përbërë prej pjesësh dhe jo si imediate, as si të dhënë, as si urgjencë.
– Ç’do të thotë dialog?
– Kur bëhet dialogu?
– Mes kujt e kujt?
– Ku dhe me ftesën e cilit?
Të tëra këto pyetje janë elementë përbërës. Përkundrazi, dialogu si dhe zgjidhjet që iu dhanë Kosovës ishin të gjitha sui generis. Kosova është parku ku gjenden qenie me një status të paqartë, qenie që si të tilla nuk mund t’u ofrohet një zgjidhje e qartë. Ahtissari është emri i parë i biologut që i studioi dhe që dha një zgjidhje me dy kushtetuta. Një kushtetutë që i lidh kafshët shqiptare me njëra-tjetrën dhe një mbikushtetutë që duhet t’u kujtojë gjithnjë se ata nuk janë njerëz. Në këtë park ekziston Kuvendi ku disa qenie janë tri herë më vlefshme sa të tjerat. Në këtë park ka kosovarë dhe serbë, jo shqiptarë dhe serbë. Erdhi koha që kafshët, që menaxhojnë pjesën kosovare, të ftohen në dialog (të ftohen dhe në kuptimin e temperaturës). Evropa si zakonisht shpiku një dialog.
Por në të vërtetë dialogu nuk ka vend. Nuk mund të ketë vend për dialog mes paramilitarëve serbë dhe viktimave të tyre. Evropa shpiku një dialog të faktit: mes korrupsionit kosovar dhe vazhdimësisë raciste serbe. Si mund të ketë dialog në mungesë të subjekteve shprehës? Dialogu në vetvete i përbën subjektet folës, po aq sa këta e kanë të mundur të ndërtojnë dialogun. Pamundësia e dialogut është sipërmarrja mashtruese e Evropës.
Me kalimin e kohës, ditët e fundit, ravijëzohet përpara nesh figura e vërtetë e një prej folësve të këtij soj dialogu. Fytyra e trupës shqiptare, po aspak fytyra e trupit shqiptar, është fytyra e një fodullëku prej mjerimi dhe qesharakeje. Fytyra është Mustafa-Thaçi, njëri me përunjësinë e stërzgjatur të dinakut, dhe tjetri me arrogancën e pushtetit të zhveshur prej lavdisë. Njëri askurrë me lavdi ndër këta troje, tjetri me një lavdi tejet të shkuar e të dalun boje. MustaThaçi është koka përbindëshe me dy fytyra por pa trup, është mishërimi kokëfortë i një personazhi prej Konice: Denizullu-Serpe. Ky është emri i përfaqësuesit të Zululandit pranë mbretërisë së ndritur të Anglisë dhe republikës së dijshme franceze. Ka zgjedhur vetë, me sigurinë e të padijshmit, të përfaqësojë aspiratat e vendit të vet pranë korpuseve historikë të shteteve. Mjaft të lexohet Konica dhe dihet shpërndarja efektive sociologjike e të vërtetave nga vjen Denizullu-Serpe. Por, merren vesh po ashtu sjelljet tallëse të dijshmve dhe bartësve historikë të shtetit. Ajo që duhet theksuar është emri i përzjerë i përfaqësuesit të Zululandit. Është emër kreol ashtu si dija dhe gjuha e tij. Dhe në kreol asgjë nga gjuhët e huazuara nuk respektohet. Emri, dija, gjuha dhe mendimet e tij janë kreol. Shembëllizim i asaj që ka ndodhur në kohën e tij, Konicës ky emër nuk i thotë as më pak e as më shumë se linjën e tradhtisë dhe injorancës sllavo-ortodokse të inteligjencës shqiptare. Venizello-Serbi, kjo kakofoni është dhe kreoli i tradhtisë dhe injorancës që po bën kërdinë në trevat tona. Dyfishësia e tillë politike e mendimit zyrtar dhe përfaqësues ishte dhe shkaku i harresës këmbëngulëse të Faik Konicës prej historive që fabrikuan regjimet shtetëore shqiptare. Asnjë regjim nuk do ta shohë me dëlirësi intelektualin e vërtetë nëse nuk ndryshon mënyra sesi e shohim politikën. Denizullu-Serpe është sot çifti Mustafa-Thaçi që po e quajmë pra shkurt MustaThaçi. Ky është kulmi i degjenerimit të përfaqësimit. Meqë secili sillte një të keqe speciale, ndërkombëtarët – emër tjetër përbindës – menduan t’i bashkojnë të dy këto forca të së keqes për me mund me implementu si Gjykatën Speciale edhe Dialogun Special. Ndoshta e vetme, secila prej tyre, nuk do t’ia dilte dot. Çifti i injorancës dhe tradhtisë mund të shihet më gjerë si çiftimi i tradhtisë së paqes dhe tradhtisë së luftës. Kujdes, jo çiftimi i paqes dhe i luftës, por i tradhtisë së paqes dhe i tradhtisë së luftës. Çiftimi i dy tradhtive përsërit natyrën kreole të gjuhës së tyre, gjuhës që bashkon dy gjuhë pa respektuar asnjërën prej tyre. Ndaj, përkeqësimi i përfaqësimit të shqiptarëve nga përbashkim i dy të këqijave është përsosja e së keqes.
Këtë urtësi të së keqes kërkon Brukseli. Sepse varet se mes cilit e cilit do të vendoset dialog. Cilët mund ta bëjnë të mundshëm një dialog të gënjeshtërt? Dy të këqija duhet të barazohen. Folës me cen duhen gjetur për një dialog të tillë, të kërcënuar dhe cënues. Brukseli e di shumë mirë se përballë palës serbe nuk mund të vendosë as dinjitetin e viktimës ose paqes, as krenarinë e luftëtarit apo fitimtarit. Dhe meqënëse Serbia si shtet dhe shoqëri nuk ka ndërmarrë asnjë masë për rishikimin e vetes në tërë këtë histori, do të duhet që pala kosovare – në të vërtetë pala shqiptare – të përfaqësohet sa më keq, me një mendje dyfish tradhtare ndaj vetë shqiptarëve, mendje e korruptuar dyfish: insitucionalisht dhe historikisht. Sekreti i suksesit të dialogut qëndron në ngjashmërinë e dy palëve, në krahasueshmërinë e masave në të cilën i ka prekur korruptimi.
Pyetja “ç’është Serbia?” për ne mund të thuhet pa humbur asnjë peshë kuptimore edhe “ç’do të thotë Serbi”? ç’është qeveria serbe? Janë pyetje identike për sa që në përgjigje nuk lipset ndonjë nuancim i përpunuar: Serbia, qeveria serbe janë vazhdimësi dhe njëjtësi e qëndrimit antishqiptar. Si shqiptar e kam të vështirë të gjej si përgjigje ndonjë detaj ose virtyt tjetër për të përkufizuar Serbinë. Unë dhe pararendësit e mi njohim veç antishqiptarinë e saj. Mund të themi se Serbia është vendi i njerëzve që mendojnë si e si të zhdukin qenien shqiptare. Dikush do të më thotë se njeh shumë gjëra të mira të prodhuara në vendet e serbëve, por unë nuk jam as qorr e as i shitur që të mund të shquaj ndonjë gjë tjetër veç dëshirës së thekshme të serbëve për të zhdukur ata që mbartin si unë shenjuesin shqiptar. Serbia, pa bërë këtu asnjë dallim mes qeverive të saj, popullit të saj, shoqërisë së saj, është vazhdimi i krimit ndaj shqiptarëve. Serbia është po aq prodhimi i vazhdueshëm i fajit si mosnjohje e vazhdueshme e krimit.
Meqënëse nga njëra anë e tryezës së bisedimeve do të ulet kjo antishqiptari e thekshme, meqënëse Evropa e Brukselit kërkon bisedime me çdo kusht, duhet të gjejë e të mbushë anën tjetër të tryezës. Për ta mbushur këtë anë do t’i duhet një pjesë po aq kriminale, ose ndaj serbëve, ose … Por asnjë krim nuk mund t’u njihet shqiptarëve , asnjë krim e asnjë terror brenda territorit serb. Atëherë kuptojmë se Brukseli e njeh prej vitesh zgjidhjen: duhet të mirëmbajë në Kosovë një politikë aq të mbrapshtë dhe të krijojë një pushtet ku kjo mbrapshti të kapë masën maksimale të përfaqësimit. Ky është emri Mustathaçi. Emri i një krimi të gjatë e të brendshëm. Në tryezë shqiptarët duhet të përfaqësohen nga pjesa më e errët e tyre. Krimi serb, si vazhdim i krimit shtetëror serb ndaj shqiptarëve, për çdo shqiptar është i qartë. Madje, mund të themi se cilësimi ‘shqiptar’ i takon çdo qenieje që e shquan sot këtë krim.
E vetmja qenie që nuk ka turp të ulet në dialog me këtë lloj krimi është ajo që kryen ditë për ditë krimin e brendshëm ndaj shqiptarëve, përbërësi shqiptar i krimit ndaj shqiptarëve. Dhe ky krim ndër shqiptarët është i mbuluar me shumë keqkuptime. Por kjo pjesë ka për virtyt mos të ndihet keq kur ulet me Daçiçin dhe me Vuçiçin në tryezë, edhe pse këta janë vartësat e drejtpërdrejtë të Milosheviçit.
Qenia e vërtetë shqiptare nuk ndihet mirë kur di se përfaqësohet nga ata që e privatizuan, e shitën, që i dhanë luftën një gjykate speciale, që i bënë dhuratë Malit të zi territor. Pëbindëshi Mustathaçi është përbindësh i të njëjtit tip me VuDaçiç. Brukseli duket se i ka bërë mirë llogaritë për një botë ku nuk i duhet të ekzistojnë shqiptarët. Në tryezën e bisedimeve ajo ka ulur dy masa të turpit e të krimit. Nga njëra anë vrasësit shekullorë të qenies dhe kombit shqiptar, nga ana tjetër korruptuesit e sotëm të shtetimit dhe kushtetimit shqiptar. Evropa përfaqësohet në inteligjencën e kufizuar të Brukselit dhe Mogherinit, siç e bënte më parë në personin anakronik të Baroneshës, emri i së cilës mund të ekzaltojë e të kompleksojë vetëm baronët e Thaçit. Kjo inteligjencë e kufizuar në procese sui generis nuk mund të ulë anës tryezës as ndonë dinjitet serb – nuk ka punuar për një gjë të tillë – dhe as ndonjë dinjitet shqiptar – ka punuar shumë që të mungojë një dinjitet i tillë. Mund të kishte ndodhur ndryshe, krejt ndryshe… Po! por do të duhej një Evropë tjetër, ajo e drejtësisë, fytyrë të cilën nuk ia kemi parë kurrë. Tani për tani, dilaogjet për të cilët flasim kanë për sekret të suksesit bisedën mes bartësve të krimit të kryer mbi shqiptarët.
Prodhimi sui generis i një gjykate speciale, gjykim special i zbatuar mbi një qenie speciale si shqiptarët ishte trajta më e fundit e mendimit të përveçëm për këto qenie të përveçme si shqiptarët. Qëllimi i këtij emri tjetër përbindësh, EvroBruksel është ta mbajë Ballkanin në gjendje të ulët morale. I duhet të shpikë brenda vetes shembullin jugor dhe lindor të moszhvillimit. Është e natyrshme për një botë me Perëndim të zhvilluar të shënojë me gisht jugun dhe lindjen e saj si vende normale të krizës. Duket pra qartë, për të gjithë që duan të shohin, se për ndërgjegjen perëndimore ekziston fatalisht një Jug dhe një Lindje, të cilët edhe nëse negociojnë, negociojnë për të fshehur krizat që Evropa i shpik e i fabrikon vetë dhe vetiu. Po të mos ekzistojë termi Ballkan, metonimi e luftës dhe krizës, Evropa do të duhet t’i gjejë luftën edhe krizën brenda vetes. Por Evropa nuk është ende politike. Maksimumi i saj i politikës është gjeopolitikë, pra hiç politikë e drejtësisë, por vetëm prirje për status-quo interesash.
Pra, krizën e vërtetë, faktin që vetëm 5 shtete brenda saj, e për rrjedhojë mbarësia e Evropës, nuk e njohin Kosovën, pra gjenerimin e krimit në koncept dhe në të drejtë që Evropa e mbart në gji të saj, këtë masë të turpshme ajo e zhvendos në një tryezë dialogu që nuk do të ketë asnjë përmasë dhe asnjë kuptim historik të mundshëm. Dialogu mes serbëve dhe shqiptarëve (kosovarët në gjuhën evro-serbe) është monologu i një pale që në mënyrë shtetërore dhe akademike ka kërkuar zhdukjen fizike të palës tjetër. Dialogu me Serbinë është vetëm gjuhë serbe.
Nga pozitat shqiptare, pozitat nga të cilat sot do të mund të prodhohej politikë dhe drejtësi, nisur prej kushteve në të cilët jemi, në këtë aktualitet e në këtë dozim historik të ulët, duket më së miri se Serbia nuk është ende vendi, shteti ose populli nga ku mund të burojë ndonjë masë njohjeje për ekzistencën shqiptare. Serbët mund të njohin vetëm Denizullu-Serpen tonë. Evropa mund thjesht të qeshë e të tallet me fryrjen e përfaqësuesit tonë. Ndaj, nxitja me çdo kusht e një dialogu të tillë nga ana e Brukselit është në thelb racizëm. Dialoguesit në sytë e Evropës nuk janë subjekte të ndonjë evoluimi të mundshëm. Ata nuk meritojnë më shumë se një tryezë që maskon vazhdimësinë e krimit serb. Sot në gojën e presidentit serb Nikoliç fjala biologjike u lë shqiptarëve një mundësi për t’u bërë njerëz vetëm pas 200 vjetësh. Ky racizëm primar dhe kjo injorancë thelbësore prej presidenti serb nuk është se i shpëton Evropës. Pikërisht kjo i duhet. Dy injoranca ulur në tryezë, ç’ka më mirë për të ruajtur një stabilitet krizash dhe imoraliteti. Vonesa e paparë serbe VuDaçiç në lëndën e nevojshme për të prodhuar një shtet serb, tradhtia e paturpshme e injorancës MustaThaçi për të themeluar një kushtetutë shqiptare për Kosovën, këto janë vonesa që e hedhin Evropën pashmagshmërisht në fundin e shekullit XIX.
Përbërësi i pyetjes mbi dialogun që ka të bëjë me natyrën e subjekteve që do të shprehen flet për një shtet serb që ka nevojë të njihet më shumë se kurrë. Sot është po ai shtet prej Milosheviçi. Kosovës nuk i duhet as njohja dhe as dialogu me një përbindësh të tillë.
Evropës nuk i duhet vazhdimësia e një shteti të tillë serb. Nëse nuk ka ç’të bëjë, të paktën mos e instalojë në dëm dhe në kurriz të shqiptarëve. Por, duke qenë se Evropa, me këtë farë Brukseli, është bërë më shumë se kurrë eksperte e apolitikës, në tryezat e saj do të gjenden gjithnjë përfaqësues të krimit dhe korrupsionit. Në dialogjet e saj do të gëlojnë vetëm projekte antipolitikë. Nga tryezat e saj do të shpallen gjithnjë marrëveshjet apolitike dhe antihistorike të padrejtësisë. Ekspertët e saj do të jenë gjithnjë e më të rinj dhe të paaftë për të mbledhur në ndërgjegjet e tyre peshën e turpit.
Sa për kujtesë: kur serbët të spastrojnë shqiptarët nga Asociacioni i shpikur enkas për këtë spastrim, Merkel do të mund të njohë përqindjet e shqiptarëve në Asociacionin e Komunave Serbe në numrin e refugjatëve që do t’i kërkojnë azil administratës së saj. (Pashtriku org)
Autori është Profesor i Filozofisë