leoni

Izet Ibrahimi

Izet IBRAHIMI: Kolosët që ideali për Shqipërinë i bashkoi dhe as varri nuk i ndau

 (Kronikë e shtegtimeve atdhetare të dëshmorëve Arif Shala, Sokol Brahimi e Izet Gjoshi)  

 

Trajtimi i ngjarjeve nga periudha e lavdishme e veprimtarisë atdhetare të Komiteteve të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare (LpTSH) – NDSH-së, ҫetave të “Besës Kombëtare” dhe grupeve tjera politiko-ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore edhe pse ka filluar të trajtohet nga shumë autorë shqiptarë, kryesisht pas viteve të 90-ta të shekullit XX, ka shumë ngjarje dhe personalitete veprimtaria atdhetare e të cilve është e mbuluar ende nga pluhuri i arkivave ku ruheshin për 50 vite më radhë, ose edhe më keq se kaq, në disa raste ajo vazhdon të prezantohet në opsionet “copy past”, sipas trajtimit dhe gjykimeve që i kanë bërë autorë serbë ose edhe të atillë që kishin punuar për interesat e UDB-së famëkeqe. Në mesin e ngjarjeve të anatemuara pa dyshim se është edhe periudha 1944 – 1947 e Komiteteve të Organizatës nr.2 të LpTSH-së dhe ҫetave të “Besës Kombëtare” në Drenicë, Dukagjin dhe treva tjera shqiptare, të cilat kishin për strehë, sofër dhe pushkë të ndezur për armikun, selinë e Komitetit të Parë të LpTSH-së-Komitetin e Kamaranit, i cili udhëhiqej nga Sokol Brahimi, Arif Shala e Izet Gjoshi.

Historiografia shqiptare brezave që po vijnë ua ka për borxh që trajtimin e këtyre ngjarjeve ta bëj ashtu siҫ ishin ato në të vërtetë;

–          Koncepti luftarak – ishte motoja e kësaj lëvizjeje; Komitetet e LpTSH-NDSH-së dhe ҫetat e “Besës Kombtare” ishin bërthama të organizimit ushtarak, të cilat angazhoheshin në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë natyrale, si dhe po punonin në drejtim të organzimit të një force ushtarake e cila do ta vazhdonte luftën aty ku e lanë Shaban Palluzha, Mulla Idris Gjilani, Hysen Terpeza dhe Adem Voca.

–          Orientimi politik e atdhtetar i Komiteteve të LpTSH-NDSH-së dhe ҫetave të “Besës Kombëtare”  ishte hapësira etnike shqiptare, ndërsa aleanca antifashsite anglo-amerikane ishte orientimi i tyre politik.

Do të ishte me interes jetik, në qoftë se trajtimi i kësaj periudhe të luftës për ҫlirim do të ishte në përputhje me platformën, programin politik si dhe mesazhin që jepte kreu i saj, duke filluar nga intelektuali dhe patrioti emblematik Ibrahim Lutfiu, i cili thoshte: “Këtë luftë ne duhet ta bajmë, tashti për dy gjëra më kryesore: E para, jemi betuar se tokat e Shqipnisë etnike nuk do t’ia dorzojmë për se gjallët tanë, asnjë pushtuesi. E dyta, gjaku ynë ka për të qenë argument për kerkesat tona historike dhe armë për luftën e bijve tanë, që u lindën në kohën e këtyre luftrave për Shqipërinë etnike. Sepse, pas dyzetë vjeteve bijet tanë kanë me e kerkuar gjakun e baballarëve, të derdhur për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e Shqipënisë, që sot po e shkelin Fuqitë e mëdha të Botës…!?” Për të thirrrur më pas “çdo kush që nuk e njeh Kosovën, e cila qind për qind asht shqiptare, në pikpamje patriotike bân nji gabim të madh. Ne atje si popull ekzistojmë me shekuj e për shekuj dhe, mund të themi se atje asht Shqipënia e vërtetë. Nuk jemi shovinista, ato janë tokat tona, janë vaditë me gjakun shqiptar dhe n’ato toka janë vetëm shqiptarë…. Ne jemi gati me vdekë burnisht për liri, por jo në luftën e vllavrasjes…E dim se ҫdo derdhje gjaku e kotë humbë fuqinë e organzimit t’onë kombtar për të nesrëmen qi na asht mjaftë e qartë. Kosova asht e vendosun me derdhë edhe pikën e fundit të gjakut për Shqipninë e Vjetër”, [1]. Edhe prof. Ymer Berisha porosiste se; “Ne jemi të vetëdijshëm ma shumë se kurrë se lirinë nuk na fal askush, por atë duhet ta fitojmë dhe ta mbrojmë me forcën e armës dhe me gjakun e derdhur për të”[1]. Dhe së paku, nëse për analizë të mirëfilltë shkencore do të merrej për referencë, kundërshtimi që kryetrimi Shaban Palluzha do t’i bënte kreut të komunistëve jugosllavë për Kosovë, Fadil Hoxhës; “…, ne nuk do t’i ulim armët për ruajtjen e trojeve tona, nderin dhe moralin tonë, për të ruajtur ekzistencën e fëmive dhe të grave tona, për ti rujtur varret tona, o Fadil!!!!’ [2]. Kështu që edhe Arif Shala, Sokol Brahimi, Izet Gjoshi dhe pjesa tjetër e kreut të Komiteteve të LpTSH-NDSH dhe ҫetave të armatosura të “Besës Kombëtare” nuk mund të zgjidhnin tjetër rrugë përveҫ asaj që u kishte lënë amanet kryetrimi Shaban Palluzha dhe krerët tjerë të luftës për ҫlirim dhe bashkim kombëtar: “Të mos lihej Kosova pa mbrojtësit e shqiptarisë së saj, të bëhej riorganizimi i rezistencës sipas rrethanve politke mbisunduese, … Në dhe, por, jo të vdekur…![3]

Dhjetori shënon 71 vjetorin e rënies heroike të Arif Shalës, Sokol Brahimit dhe Izet Gjoshit, tre nga udhëheqësit emblematik të këtij organizimi politik e ushtarak kombëtar – “Organizatës Nr. 2”-, e cila falë mbështetjes, dijes dhe guximit të pashembullt të tyre gjalloi në një periudhë trishtuese të shtetrrethimit policor e ushtarak jugosllav, të cilët edhe pas shtatëdhjetë vitesh vazhdojnë të jenë të anatemuar. Edhe pse droja nga qortimet për inkompetencë në fushë të historisë më ka përcjellur gjatë gjithë këtij shkrimi, ajo që më ka nxitur ta publikoj këtë shkrim është mësimi nga historia si dije dhe shkencë, e cila disa nga këto ngjarje dhe nga akterët e saj i ka të shënuar, por disa nga akterët e tyre i ka heshtur apo “harruar”, kurse disa i ka evidentuar si fakte me një lidhje kauzale tepër të pasaktë. Kështu që, do të përpiqem të rishfaq vetëm disa nga përmasat e udhës së kësaj eminence shqiptare për ҫfarë jo rastësisht ata mbetën të anatemuar dhe të ndarë nga sofra e historisë që, siҫ thoshte këtyre diteve prof. Qosja, po shkruajnë politikanët.

Studiusi i njohur i histories, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, gjatë shfletimit të një kronike, duke spikatur përmasat atdhetare të kësaj gjenerate luftëtarësh me rastin e rivarrimit të eshtrave të Arif Shalës, Sokol Brahimit dhe Izet Gjoshit, në vitin 1990, nuk hoqi dorë nga epiteti   i tij për; “tre luftëtarët e orëve të para” dhe tha se “ATA ndër të parët kuptuan se Kosova nuk është ҫliruar, por është ripushtuar dhe ishin ngritur që ripushtimit t’i kundërvihen me armë në dorë deri në rënien e tyre”, për të vazhduar të dëshmoj tutje se tek secili nga këta tre dëshmorë është spikatur ngapak kujtesë historike e gjithë altruistëve të kombit që  përkufizohet në udhën e tyre atdhetare, në udhën e lirisë dhe me rënien e tyre heroike për një qëllim e gjakim shekullor, siҫ thoshte Hoxhë Avdia – Arif Shala, “për ta bërë Shqipërinë, ashtu siҫ e deshi dhe e bëri i madhi Zot –Një dhe të pandarë”.

Arifi, Sokoli dhe Izeti vërtetë flijuan jetën, për Atdheun e tyre, mirëpo vdekja nuk ishte fjala e tyre e fundit!

Atëherë, kur shqipja ishte e ndaluar dhe “poslanikë, kryetarë, naҫallnikë, e lloj-lloj tuxharësh” të kralit serb po i shtynin shqiptarët e varfër për të ikur në Turqi, duke i thirrur njerëzit në edukimin shqip, dhe duke dalë hapur kundër politikave kolonizatore të Serbisë, ATA ndoqën shembullin e figurave themelore të shqiptarizmës dhe ia dolën. Drenica ishte me më së paku të shpërngulur dhe me një armatë të tërë nxënësish që po mësonin dhe përhapnin librin shqip.

Atëherë kur atdheu i tyre, Shqipëria, kishte rënë nën okupimin nazi-fashist, ATA po ashtu u ngritën edhe kundër pushtuesve nazi-fashist, duke dhënë shembullin se si mbrohet dhe duhet atdheu.

Që nga momentit kur kreu i PK për Kosovë, duke qenë i orkestruar nga kreu i PKJ-së, po paralajmëronte fillet e tradhëtisë dhe dredhitë antishqiptare, përmes mohimit të së drejtës për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar, ATA kishin vënë lidhjet me prof. Ymer Berishën, i cili bashkë me një grup nxënësish dhe disa profesorë patriotë, po përgatiteshin që mbi supet e veta ta mbanin një luftë, e cila do të mbetej në histori si ndër luftërat më të përgjakshme dhe më të lavdishme që bënë shqiptarët për ta kundërshtuar ripushtimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.  Kështu që, me fillimin e marshimeve ri-pushtuese të brigadave jugosllavo-serbe, kreu politiko-ushtarak i saj, i prirë nga Dushan Mugosha, Svetozar Vukmoroviqi, Fadil Hoxha, Spasoje Gjakoviqi, Ali Shukriu dhe shokët e tjerë, të tyre titisto-rankoviqist, udhëzonin kreun e brigadave partizano-ҫetnike, që të niste spastrimin e Kosovës nga bandat reaksionare – ekzistenca e të cilave, po i prishte planet serbe për formimin e Jugosllavisë së re, mbi kufinjtë e së vjetrës. Ata, në letërën që po percillnin komesarëve politk prososininë edhe këtë: “Edhe pse KosovëMetohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhet lukuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit, e këtë do ta bëjnë shtabet. Në fshatrat që është bërë rezistencë duhet gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t’i gjykojë menjëherë, e fshatarët t’i çarmatsë…”[4]. Në kohët kur ekzistenca e popullit shqiptar po mbytej në pellgun e trishtë të zvetënimit nga vërshimi masiv i dritëhijeve të pushtuesit serb, dhe pikërisht atëherë kur kreu i ushtrisë dhe UDB-së jugosllave në Kosovë, kërkonte që t`i vrasë shqiptarët duke ndenjur gatitu, Arifi, Sokoli, e Izeti kishin vendosur për t’u bërë zëdhëndës të lajmit “se Kosova, nuk është çliruar, por është ripushtuar” dhe këtij ripushtimi iu kundërvun me armë në dorë.

Atëherë kur kryetrimi Shaban Palluzha i pralajmëronte shqiptarët se; “Nëse vazhdojmë rrugën për në frontin e Sremit, do të likuidohemi pa arritur atje, kurse, në anën tjetër, në Kosovë të tjerët pa kurrfarë mëshire as pengesash do të bëjnë terror mbi gratë dhe fëmijët tanë” [6], ATA, nuk do ta braktisnin atdheun, por ishin vendosur në istikame që “të mos lihej Kosova pa mbrojtësit e shqiptarisë së saj, të bëhej riorganzimi i rezistencës sipas rrethanave politike mbisunduese, … Në dhe, por, jo të vdekur…![5]. Dhe nën moton, “ja tani, ja kur për atdheun”, armikut armën me armë ia kthyen, dolën në mal-komitë, dhe aty ranë dëshmorë, për t’u bërë kështu meteorë në qiellin e copëzuar shqiptar. Kështu që, me përmasat e udhës së tyre atdhetare, ATA mund të radhiten në Panteonin e dëshmorëve, diku në ballë të oxhakut, jo vetëm për atë që ata kishin vendosur të vazhdonin luftën, por edhe për faktin se ajo luftë mbeti një mesazh i qartë historik për orientimin politik e atdhetar të shqiptarëve liridashës, të cilët në rirreshtimet e tyre, pikërisht 52 vite më vonë, me luftën e UҪK-së, filluan një histori, e cila me përpjekjet e bijve të vet më të mirë fitoi edhe betejën e fundit drejt ҫlirimit përfundimtar dhe arriti që përjetësisht, aty ku ra gjaku i dëshmorëve dikur, sot e përgjithmonë, çdo gjë të frymoj shqiptarisht.  Ata ishin kolosë që ideali për Shqipërinë i bashkoi dhe as varri nuk i ndau.

(Autori është veprimtar politik e atdhetar, luftëtar i UÇK-së, pas luftës kryetar i Komunës së Drenasit, pedagog universitar…)

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …