leoni

Gjokë Dabaj mbron të vërtetën ashtu sikur e mbrojti Sokrati në kohën e tij

“Detyra ime është t’u tregoj se virtytet nuk i blejnë dot me para, por paratë dhe mirësia e njeriut fitohen duke pasur virtyte. Në qoftë se mendoni që këto që ju thashë janë gabim dhe ju sjellin të rinjve dëme, atëherë mund ta quaj veten fajtor. Por po doli ndonjëri prej jush e thotë se ti nuk na ke mësuar diçka të tillë, atëherë ai gënjen”. Këto fjali janë shkëputur nga vepra e filozofit të madh grek Platon, “Mbrojtja e Sokratit”.

 

             Një mundi të tillë me një përkushtim të jashtëzakonshëm i ka hyrë edhe shkrimtari, analisti e veprimtari shqiptar, Gjokë Dabaj, jo në mbrojtje  të Enver Hoxhës, por në radhë të parë në mbrojtje të së vërtetës së kohës së Enverit, duke e matur atë kohë, me kutin e vet por edhe me kutin e sotëm.

           Gjokë Dabaj në studimin analitik, “Përse duhej të vritej Enver Hoxha”  i pari i këtij lloji i studimeve realiste dhe faktografike në letrat tona për kohën e regjimit komunist të Shqipërisë, me durimin e shqiptarit, mendjen e ndritur të shkencëtarit, fjalën dhe nderin e burrit, me fakte e argumente të pakontestueshme, ia çori maskën fushatës 25 vjeçare, populiste e anarkiste kundër Enver Hoxhës. Me forcën e argumentit, mendjen e kthjellët, qëndrimin burrëror dhe të paluhatshëm, Gjokë Dabaj në këtë studim ka shpalosur të vërtetën lakuriqe, pa e fshehur, pa e mistifikuar, pa e lakuar dhe deformuar, meqë si intelektual, edhe pse i përndjekur nga regjimi jugosllav e një kohë edhe nga regjimi i Shqipërisë, nuk mori qëndrim hakmarrës. Duke parë dhe duke e ndier thellë në qenie  katandisjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këto 25 vitet, pas rënies së regjimi të Enver Hoxhës, ai bën “hesapin me kohën” duke sjellë një mal me fakte që nuk mbulohen me asnjë plaf të matrapazëve dhe shkapërdarëve të sotëm të Shqipërisë, përgjithësisht të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

               Duke u përqendruar në aktivitetin e Enver Hoxhës në ngritjen e bujqësisë si mbështetjen primare për të siguruar bukën në vend, për të gjithë shqiptarët, të cilët në kohën e Zogut edhe kishin vdekur urie, Enver Hoxha e kishte fare të qartë se sigurimi i bukës do të thoshte sigurimi pavarësisë shtetërore, të një të tretës së trungut të Shqipërisë, që e kishte trashëguar nga traktatet e Evropës imperialiste.

              Dabaj flet për 300 studimet e fjalimet e Enver Hoxhës për bujqësinë, blegtorinë, pylltarinë duke i përmendur shumicën me fakte e argumente, me ditë, muaj e vit, në vendin e caktuar në fshat apo në debatet politike partiake. “Ta sigurojmë bukën në vend” kjo ishte detyra që i kishte caktuar vetes Enveri dhe shokët e tij. Sepse sigurimi i bukës, do të thoshte sigurim i ardhmërisë së një pjese të kombit më të keqtrajtuar, më të nëpërkëmbur e më të përbuzur të Kësaj Evropës së  sotme me barby shkëlqim dhe asaj Evropës Putanë të Gjergj Fishtës. Sigurimi i bukës ka qenë dhe ka mbetur angazhimi primar i çdo shtëpiaku, i çdo prindi që e ka vatrën plot me bij e bija dhe kujdeset që ata të mos bëhen lypsarë, por të punojnë, të dërsijnë dhe bukën ta fitojnë me djersë, sepse “nuk ka asgjë më të ëmbël  sesa  buka e tokës sonë”. Kush mund ta provojë të kundërtën nga kundërshtarët e sotëm të regjimit të Enver Hoxhës nga ata që sa ishte gjallë Enveri, kishin rastisur t’ ia shtrëngonin dorën dhe pastaj nuk begenisnin t ia merrnin dorën askujt tjetër, sepse dora që kishte  shtrënguar dorën e Enverit, kalonte kufijtë e delirit.

 

           (Në një libër që kam lexuar për Hrushqovin nga djali i tij Aleksej, më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme angazhimi “mbinjerëzor” i tij, për rritjen e rendimentit të  misrit, në mënyrë që Rusia Sovjetike të mos varej nga gruri amerikan dhe ai  i botës së tretë. Aq shumë ishte angazhuar duke bërë analiza dhe duke punuar në arat e pëlleshme, madje edhe në tërë  kohën kur duhej të pushonte, sa kishte harruar se ishte kryetari i njërit ndër dy shtetet më të mëdha të botës.  Pavarësisht qëndrimeve antagoniste të Nikitës dhe Enverit, ju kujtohet reportazhi i TVSh-së, kur Hrushqovi viziton një kooperativë bujqësore, në Shqipëri, përvjel mëngët, kap shatin dhe me krejt forcën fillojë të tregojë se si duhet punuar toka).

 

            Paramendojeni sot Putinin, Obamën, Nishanin, Berishën Ramën me   shat apo lopatë në dorë. Paramendojeni Hashim Thaçin në kohën e sotme  me shat në dorë, dhe harrojeni  atë Thaçin e dikurshëm që kishte prashitur misrin bashkë me ortën e moshatarëve të Mburojës.

Sot ka ndryshuar koha, kanë ndryshuar njerëzit, regjimet, sundimtarët, janë përsosur tekniket e pasurimit pa asnjë pikë djerse, por duke zhvatur djersën e tjetrit, duke ia marrë bukën nga goja. Sot shtetet jetojnë nga taksat që vjelin në dogana, nga tatimet e qytetarëve dhe nga gjobat që i shkojnë në favor shtetit. Shteti lejon të gjitha llojet e trafiqeve, madje kur nuk shkon puna mbarë mpleks në te edhe policë e prokurorë, vetëm që të ketë sa më shumë lëndë për krim, sepse nga krimi nxjerr dobi, në radhë të parë shteti, sepse punon policia, prokuroria, gjyqet, avokatët, burgjet, tërë sistemi, paçka se gjuhet korrupsion, se tekefundit a është ndërtuar ndonjëherë dhe a mund të ndërtohet një shoqëri kapitaliste pa korrupsion?.

              Gjokë Dabaj kurrë nuk ka qenë enverist, në kuptimin politik të fjalës. Ai ka qenë dhe ka mbetur disident, njeri me frymë dhe shpirt të lirë. Kurrë nuk ka qenë llaskuç si ata që dje ngitnin  në qiell Enverin e sot e shajnë dhe e përbuzin, kurrë nuk ka qenë mësallë me dy faqe, por ka qenë dhe ka mbetur një idealist tipik, një Sokrat i paepur, një shqiptar i mbëltuar me palcë Shqipërie, një burrë që të vërtetën e thotë troç, pavarësisht pasojave të mundshme nga rojet e territ, pavarësisht sesi do ta interpretojnë gojë e tru-çjerrët.

              Studimi i Gjokë Dabajt për një segment të jetës dhe angazhimit të Enver Hoxhës, mendoj se ka marrë formë, e frymëzim sidomos duke krahasuar Shqipërinë e sotme “të begatë” për oligarkinë, klanet në pushtet, hordat e trafikantëve të të gjitha segmenteve dhe klasën e kapitalistëve latifondistë, – me Shqipërinë “e varfër” të kohës së Enver Hoxhës, ku tërë një popull ishte angazhuar në zhvillimin e tërë një vendi, që kishte filluar nga zeroja jetën në Atdheun e çliruar me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë shteti.   

            Gjokë Dabaj, Kristo Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Koço Danaj, Hydajet Hyseni, Remzi Hasani e shumë studiues të tjerë të mirënjohur në vazhdimësi kanë thënë të vërtetën për kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Ata kanë qenë dhe kanë mbetur studiues objektivë dhe nuk kanë rënë pre e euforisë politike në fushatat, të cilat janë ndërmarrë kryesisht nga kundërshtarët e ish-regjimit, dikur dorë e zgjatur e po atij regjimi.

Ahmet Qeriqi

17. 10. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …