E nderuara zonja Lunacek, Fillimisht dëshiroj që t’ju falënderoj, për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kohës sa isha Kryetar i Kuvendit të Kosovës (2008 – 2014) dhe mbi të gjitha Ju falënderoj për angazhimet e sinqerta që në kontinuitet keni pasur për Kosovën dhe qytetarët e saj. E vlerësoj lartë edhe qasjen parimore që keni shfaqur në emisionin “INFO BOX” të RTV Dukagjini, ku keni kërkuar që marrëveshja e 25 gushtit për Bashkësinë (Zajednicen) e komunave serbe dhe demarkacioni, të cilat janë kontestuar nga opozita duhet të shkojnë në Kuvend. Reagimi fillestar i opozitës ka qenë për shkakun se Kryeministri (Qeveria) me marrëveshjen e 25 prillit e ka anashkaluar Kuvendin si institucionin që e ka të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare a ndërshtetërore. Të falënderoj për emisionin e cekur, ku në mes të tjerave thatë: “Të dyja (marrëveshjet – nën. im) duhet të shkojnë në parlament dhe nëse nuk do të miratoheshin atëherë do të zhbëheshin. Kështu funksionon demokracia, në të kundërtën marrëveshjet duhet të jenë valide. Unë kam pasur kritikat dhe dilemat e mija për dialogun me Serbinë, dhe qe nga fillimi kam kërkuar që ndërmjetësit evropian të jenë të hapur me publikun. Nëse ju kujtohet këtë ia pata kërkuar lehtësuesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, por të njëjtën e kam bërë edhe me ish-ndërmjetësuesen e dialogut, Cathrine Ashton, sepse publiku ka nevojë të di se çka po negociohet dhe po merren vesh palët. Përkundër këtyre dilemave, nëse marrëveshja shkon në parlament dhe miratohet, atëherë nuk kemi se si të mos e respektojmë marrëveshjen”. Cili njeri me përgjegjësi nuk do të pajtohej me ketë qasje? E nderuara zëvendëspresidente e PE-së, kjo kërkesë e juaja në një vend normal, me demokraci të avancuar do të ishte e pa nevojshme që të bëhej, pasi secili institucion do ti kryente detyrat e tij, konform ligjeve dhe Kushtetutës. Tek ne, sundimi i ligjeve dhe i Kushtetutës është në nivel tepër të ultë dhe duke qenë në ketë nivel, është prodhuar kjo krizë politike. Në ketë krizë politike e parlamentare, të shkaktuar nga koalicioni qeverisës, edhe po të kthehej marrëveshja e 25 gushtit në Kuvend, opozita është e bindur se në Kuvendin e Kosovës nuk do të kishte një zgjidhje valide për shkak te presionit që zhvillohet mbi deputetet nga shefat e partive te koalicionit. Ketë më se miri e ilustron fakti kur është votuar Gjykata Speciale, ku brenda pak dite deputetët kanë ndërruar mendim, nën një presion të frikshëm. Ndërsa qeveria po punon që friken ta shtrij edhe të opozita në Kuvendi dhe jashtë tij. Ndërkaq, dërgimi i marrëveshjeve për votim në ketë përbërje të Kuvendit, për opozitën është e papranueshme për shkak te presionit që ushtrohet mbi deputetët. Në rastin tonë, zgjidhja e vetme do të ishte Referendumi qytetar ose zgjedhje të parakohshme ku secili subjekt politik do t’i nënshtrohej verifikimit qytetar dhe pastaj ratifikimi i marrëveshjeve të bëhej në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e reja, ashtu siç keni propozuar Ju. Kjo është zgjidhja pa dhimbje që i duhet Kosovës. Vetëm atëherë do të pushonin të gjitha arsyet e opozitës për kundërshtim. E nderuara zëvendëspresidente, pranoni konsideratat e mija më të larta për korrektësinë dhe urtinë e treguar para opinionit publik të Kosovës! Prishtinë, më 29.10.2015 Nga ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi: MSA-ja dhuratë nga opozita
Duke e lexuar nenin e 13 të MSA-së, shihet qartazi se zhvillimet e fundit në Kosovë, ndodhitë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij e kanë përshpejtuar nënshkrimin e MSA-së në mes BE-së dhe Kosovës me fusnotë, pra me Kosovën rajon e jo shtet sovran. Kjo thuhet në nenin 2 të MSA-së, i cili thotë:
“Asnjë nga termat, formulimet apo përkufizimet e përdorura në këtë Marrëveshje, duke përfshirë Anekset dhe Protokollet e saj, nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga BE-ja si një shtet i pavarur apo nuk paraqesin njohje individuale nga Shtetet Anëtare për Kosovën nëse ato nuk e kanë ndërmarr një hap të tillë”.
Miratimi i kësaj marrëveshje do të thotë: marrje e obligimit për t’i zbatuar marrëveshjet e 25 gushtit të dakorduara në Bruksel mes Isa Mustafës dhe Vuciqit.
Jo vetëm nga kjo që shkruhet në nenin e 13 te MSA-se, na jep të drejtën të konkludojmë se pa reagimet e opozitës ndaj zotimeve të Isa Mustafës të datës 25 gusht 2015, Kosova nuk do të “shpërblehej” as me ketë nivel të MSA-së. Nëse qytetarët e Kosovës duhet ta falënderojnë dike në Kosovë, ky falënderim duhet t’i adresohet Opozitës së Bashkuar dhe assesi atyre që i bënë marrëveshjet e komprementuara. Çmimi që po e paguan Republika e Kosovës për MSA-në është goxha i madh.
Miratimi i MSA-së, Kuvendit ia kthej normalitetin!
Për tu bindur në ketë që po e them lexoni nenin e 13 të MSA-së!
NENI 13
1. Dialogu politik dhe dialogu për politika, sipas nevojës, kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
2. Siç parashihet në nenin 5, Kosova zotohet për angazhimet e vazhdueshëm drejt përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces do të sigurojë që të dyja vendet të mund të vazhdojnë rrugën e tyre përkatëse evropiane, duke shmangur bllokimin e njërës apo tjetrës palë në këto përpjekje dhe gradualisht të shpien në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, ku të dy vendet do të jenë në gjendje të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre.
3. Sipas kornizës së mësipërme, Kosova vazhdimisht duhet të:
(a) zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë;
(b) respektoj plotësisht parimet e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal;
(c) zgjidh përmes dialogut dhe frymës së kompromisit çështjet e tjera të pazgjidhura, në bazë të zgjidhjeve praktike dhe të qëndrueshme dhe do të bashkëpunoj për çështjet e nevojshme teknike dhe ligjore me Serbinë;
(d) bashkëpunojë në mënyrë efektive me misionin e Politikës së Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes përgjatë mandatit të tij dhe do të kontribuon në mënyrë aktive në përmbushjen e plotë dhe të papenguar të mandatit të tij në tërë Kosovën.
4. KSA-ja do të rishikojë rregullisht progresin në këtë proces dhe mund të marrë vendime dhe të lëshojë rekomandime në këtë drejtim. Komisioni i Stabilizim-Asociimit mund të ndihmoj këtë proces në përputhje me nenin 129.