J. Krasniqi

Jakup Krasniqi: Vendimet e guximshme sjellin ndryshime të mëdha

 Jam i bindur se të gjitha gjeneratat e ilegales po të kërkohej nga prindërit e tyre, mbase me ndonjë përjashtim, për përfshirje në organizata revolucionare e çlirimtare do ta merrnin një përgjigje: “Është punë e vështirë të luftosh me shtetin – Jugosllavinë e Titos dhe UDB-në Rankoviqiste me zagarët e tyre!” Por, ata të ilegales nuk vepruan ashtu, ata nuk kërkuan, as pyetën, por vepruan fshehur të gjithëve, veç bashkëmendimtarëve të tyre të idealit! Ata kërkuan dhe pyetën vetëm ndërgjegjen e tyre, bindjet e tyre që i kishin krijuar nga realiteti i hidhur i robërisë, nga shëmbëlltyrat e tyre historike që i mbushnin me dashurinë për lirinë dhe dijet e fituara se asgjë nuk ndryshohet pa bindje, guxim, konsistencë e konsekuencë dhe, mbi të gjitha, pa integritetin personal të secilit ilegalisht.

Cili prind do t’i kërkonte Adem Demaçit t’i kalonte 30 vjet nëpër burgjet jugosllave? Edhe pse nëna i kishte thënë e përsëritur: “Nëna është e vdekshme, Shqipëria është e pavdekshme!”. Por Adem Demaçi e nisi një rrugëtim pa u lëkundur dhe atij rrugëtimi sikurse edhe idealit të tij për çlirim e bashkim kombëtar iu qëndroi besnikërisht deri në fund të jetës së tij. Adem Deamçi në gjithë atë rrugëtim tregoi integritet ndër më të veçantët e gjithë brezit të tij duke u bërë kështu krye frymëzuesi i gjithë luftëtarëve të Lëvizjes Kombëtare Ilegale për Çlirim e Bashkim Kombëtar.

Një maksimë thotë: “Të luftosh edhe mund të humbësh, por pa luftuar nuk ka fitore, nuk ka liri!”

Nga kjo urti duhet të jenë udhëhequr shumë breza, të cilët edhe përjetuan shumë beteja jetësore, deri te ajo e Adem Legjendarit, i cili pos që pati një integritet të veçantë pati bindjen absolute se pa luftë e flijim nuk ka liri, nuk ka çlirim e bashkim kombëtar. Pa fije dyshimi, ai e pat një të veçantë, shok bindjeje e lufte e pati Xha Shabanin, babain e tij dhe gjithë familjen e tij, që në ditët tona pak kush do ta kuptojë këtë në përmasën e duhur! Përndryshe,me armikun shekullor, shtetin e Serbisë, kjo familje nuk do të luftonte në periudha të ndryshme, qysh nga 1991, për të kulmuar në janarin e 1998-tës dhe përfundimisht marsin e 1998-tës! Por, duhet nënvizuar edhe këtë: Sikur Adem Legjendari të kërkonte apo të pyeste politikanët e Prekazit, të Drenicës dhe sidomos të Kosovës së kohës, se a duhej luftuar për liri, pa dyshim nga të gjithë, pa përjashtim, nga të gjithë do ta merrte një përgjigje: “Serbia është e fortë, armë e njerëz për këtë luftë nuk kemi. Serbia na shfaros me shtëpi e katandi!” E tillë ishte bindja e njerëzve që donin ta “çlironin “ vendin pa luftë, i cili vend do të ishte “i hapur nga Serbia e Shqipëria”! Po kështu nuk mendoi Legjendari – Adem Jashari dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirim që e mbështeti vazhdimin e luftës për liri.

Sa mirë bënë që as nuk e kërkuan këtë e as nuk i pyetën pritësit!

Adem Legjendari luftën e filloi më 30 dhjetor 1991, ndërsa jetën e përmbylli me lavdi ndër më të veçantat në historinë jo vetëm të kombit tonë, por edhe në atë të përbotshmen! Legjendari lirinë s’e arriti e as e përjetoi, por pas një viti Kosova e tij u çlirua e më pas edhe shteti u pavarësua. Familja e tij është përtërirë me nipër e mbesa si drita diellore! Jasharët legjendarë ishin të bindur se Liria për një komb vjen vetëm atëherë kur pjesëtaret e tij s’i druhen vdekjes për komb e atdhe, siç e thotë një aforizëm qartë e bindshëm: Liria vjen kur s’i druhesh vdekjes!

Lufta e tij çlirimtare, sakrifica e tij dhe kushtrimi që i solli gjithë popullit të tij bënë që kombi ynë të fitojë miq të rinj me të cilët e bashkërenduan lirinë, pavarësinë dhe së fundi Ushtrinë e Kosovës! Nuk thuhet kot: “Miku i mirë për ditë të vështira!”

I thashë si më sipër, shkurt e shqip, kërkesën imediate, ngulmimin dhe përkushtimin shekullor, për të treguar se njerëzve e kombeve në jetën e tyre politike mund t’ju falen shumëçka tjetër, por kurrë Liria, Pavarësia, Sovraniteti.

Shumë zhvillime të reja që po ndodhin rreth nesh këtyre ditëve, përfshirë sidomos këto të fundit, rreth taksës 100% dhe ushtrisë, konfirmojnë se për disa gjëra fundamentale, në mesin e tyre edhe shtet-ndërtimi, po u kërkua apo të pyetet pa skajshmërisht lidhur me veprimet e domosdoshme imediate as nga më të afërmit nuk të ketë izë dhe se këtë po e shohim si në pikun e ditës, e të mos flasim për sojin që ka interesa nga më të ndryshmet! Një gjë duhet pasur parasysh: janë interesat që po e udhëheqin Botën dhe jo vetëm sot!

Sepse ky fenomen nuk është vetëm i kohës sonë!

Botës dhe në Evropës duhet t’ju thuhet qartë: Edhe ne kemi të drejtën e ligjshme për Liri, Paqe e Siguri si çdo komb e shtet në Botë! Nuk janë ushtarët ata që rrezikojnë kombe e shtete, por janë politikat luftënxitëse e gjenocidale ndaj të tjerëve ato që kanë rrezikuar e rrezikojnë  kombe e shtete.

E kaluara jo e largët na e dëshmon ketë!

Ndaj për proceset vendimtare duhen vendime e veprime për ndryshim e jo pritjejet që te përgjumin e të shpien në pus të pafund!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …