leoni

F. Graiçevci: Ata që na thonë ta pranojmë AKS-në a do ta pranonin Al Qaiden në vendet e tyre?

Ka kohë të gjatë që burokratët vendorë e ndërkombëtarë nuk po ndalen së mbajturi ligjërata për pranimin e “Zajednicës”, duke i dhënë  jehonë në medie të caktuara me disa analist miopë që hiqen dhe trajtohen si vizionar të së ardhmes sonë! Përveç këtyre, fatkeqësisht kemi edhe një kastë politike me politikanë që janë të dijshëm, të guximshëm dhe kritik kur janë në opozitë por jo edhe kur ulen nëpër kolltuqe të buta të cilat mandej po ua zbusin zërin e tyre kritik, po ua ndryshojnë qëndrimet e besa po ua tjetërsojnë edhe idealet!!!

 

Është shqetësues fakti se ne në vend që për vendin tonë të rezonojmë dhe të marrim vendime me kokën tonë, ne po vazhdojmë të marrim vendime për të ardhmen e shtetit tonë duke u bazuar në atë që na sugjerojnë “miqtë tanë ndërkombëtar” thua se ata, familjet dhe kombi i tyre do të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë e jo ne, qytetarët e saj! Dhe kjo qasje për të rregulluar shtëpinë tënde sipas shijes dhe qejfit të mysafirëve, duket tejet normale, e pazëvendësueshme dhe që duhet zbatuar patjetër!!! Është interesant edhe nëse e zbërthejmë mirë e mirë fjalën  mik pasi në kulturën tonë fjala mik i rezervohet një personi të dëshmuar për këtë epitet ndërsa sot ky epitet i ofrohet çdo kujt nga çdo kush, pa vrarë më parë mendjen se a e meritojnë të gjithë këtë epitet tejet të çmuar në kulturën dhe kujtesën tonë kolektive! Nuk besoj të jetë keqpërdor ndonjëherë kaq shumë epiteti mik sa është duke u keqpërdor nga vitet e ’90 nga kasta politike, medie vasale dhe analist të shquar për vardisje ndaj pushtetarëve!

 

Është për keqardhje se ku është katandisur kasta jonë politike e cila në pamundësi për të gjetur argumente bindëse se përse duhet pranuar “Zajednicën”, argumenti i tyre kryesor, në i thënçin argument, është se ne duhet pranuar këtë sepse kështu po kërkojnë miqtë tonë ndërkombëtar!!!

Nuk di nëse e kanë vrarë mendjen e tyre politikanët e mjerë të Kosovës se a do ta pranonin këta “Miq” ndërkombëtar një “Zajednicë” të tillë në vendin e tyre!? Ose thënë ndryshe, këta burokrat ndërkombëtar që po na sugjerojnë të krijojmë “Zajednicën” a do ta lejonin te hapte degë të saj ne shtetin e tyre “Al Qaiden!?

Duke marrë parasysh se vardisësit e Brukselit dhe Uashingtonit do të nxitojnë ta  bëjnë punën e Serbisë para saj, duke thënë se krahasimi i “Zajednicës” me “Al Qaiden” është i paqëndrueshëm, duhet përkujtuar disa fakte.

Së pari, “Zajednica” është krijuar pas kërkesës së Serbisë dhe këmbënguljes së saj e qytetarët liridashës të Kosovës i dinë shumë mirë krimet shekullore të Serbisë në Kosovë, krime për të cilat asnjëherë nuk ka kërkuar falje dhe që i tejkalojnë shumë herë krimet e Al Qaides!!!

 

Së dyti, qytetarët liridashës, historianët, politikanët, intelektualet, analistët,… që nuk kanë lejuar të ju shpërlahet truri, e dinë se Serbia ende vazhdon të udhëhiqet nga ata që kanë pasur pozita në Serbi kur ushtria, policia dhe organizatat e saj terroriste kanë bërë krime të tmerrshme kundër popullit shqiptar në Kosovë dhe popujve tjerë fqinj. Qytetarët që e duan Kosovën edhe kur nuk e qeverisin atë, por që duan që ajo të jetë shtet i pavarur, sovran dhe funksional sot, nesër dhe për jetë e mot e dinë se politika e jashtme e Serbisë sot udhëheq nga Ivica Daqiqi, ish zëdhënësi i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit i cili për fat të mirë nuk kishte fuqinë e Hitlerit se do ta tejkalonte edhe atë. Por jo vetëm kaq. Serbia sot ka për kryeministër Aleksander Vuqiqin, pasuesin e Vojisllav Sheshelit, i cili akuzohet me të drejt nga prokuroria e Hegës për krime lufte por që gjykatësit e saj e lirojnë të gjezdiset nëpër Serbi kryetar i së cilës është një radikal tjetër, Tomisllav Nikoliq – bashkëmendimtar dhe bashkëveprimtar i të akuzuarit për krime lufte, Vojisllav Sheshel! Është marrëzi e shkuar marrëzisë të besosh se kur kanë kërkuar krijimin e “Zajednicës” këta qeveritar të Serbisë e kanë bërë për të mirën e Kosovës e jo të Serbisë!?

Athua a do të bisedonin burrështetasit e Francës, Anglisë, Polonisë e të shteteve tjera me zëdhënësin e Adolf Hitlerit, ashtu sikur po bisedojnë dhe po bëjnë foto miqësore politikanët tonë me Ivica Daqiqin i cili dihet botërisht se ka qenë zëdhënës i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit!?

 

Së treti, dëmet që i ka shkaktuar “Al Qaida” Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vende tjera janë dukshëm më të vogla se ato që i ka shkaktuar Serbia Kosovës dhe vendeve fqinje. Të përkujtojmë se nga sulmet e “Al Qaides” janë vrarë disa mijëra qytetarë të pafajshëm ndërsa nga ushtria dhe policia e Serbisë dhe organizatat terroriste serbe janë vrarë qindra mijëra qytetarë,  janë dhunuar dhjetëra mijëra vajza, janë dëbuar miliona jo serb nga vatrat e tyre, janë rrëmbyer me mijëra të tjerë, janë të shumta rastet kur njerëzit janë mbytur duke ua vënë zjarrin për së gjalli, janë vrarë me mijëra foshnje e fëmijë nga afërsia dhe krime të tjera kundër njerëzimit sa të bëjnë të harrosh shkatërrimin e ekonomisë shtetërore, shoqërore e private dhe shkatërrimin në themel të monumenteve historike e fetare jo serbe!

Fatkeqësisht, sot fal angazhimit të kastës politike të Kosovës, medieve vasale të tyre dhe analistëve vardisës, kërkesa e Serbisë për të krijuar “Zajednicë” në Kosovë duket normale dhe e pranueshme por do të reagonin me gjuhën më të ashpër nëse “Al Qaida” do të kërkonte të hapte degët e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Francë e vende të tjera. Jam i sigurt se Prishtina zyrtare do ta kundërshtonte këtë kërkesë të “Al Qaides” para Uashingtonit, Berlinit dhe Parisit zyrtar! Nuk duhet harruar për asnjë moment se Serbia asnjëherë deri më tani nuk ka kërkuar falje për krimet monstruoze që ka bërë kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe ekonomisë së saj. Megjithëkëtë, kasta politike e Kosovës, pa asnjë grimë turpi por me zell të pashembullt kërkon që të plotësohet kërkesa e Serbisë për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë.

 

Duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se Serbia nuk do të këmbëngulte për të krijuar “Zajednicën” pa u siguruar mirë e mirë se ajo do të jetë një instrument i saj në Kosovë nëpërmjet të cilit do ta përdorë kundër Kosovës dhe mirëqenies së saj. Duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se krijimi i “Zajednicës” po kërkohet nga po ata qeveritar serb që kanë gëzuar poste dhe privilegje në strukturat e larta udhëheqëse të Serbisë kur ushtria dhe policia e saj ka vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë qytetar të të gjitha moshave dhe kategorive, përfshirë afër 2 mijë foshnje dhe fëmijë, ka dhunuar 20 mijë femra shqiptare, ka dëbuar dhunshëm një milion shqiptar liridashës, ka shkatërruar në themel ekonominë e qindra mijëra familjeve dhe krime të tjera por as edhe njëherë të vetme nuk ka kërkuar falje! Të gjitha këto krime nuk ia kanë dalë mbanë të thyejnë shpirtin liridashës për realizimin e idealit për bërjen e Kosovës të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.

 

Por fatkeqësisht, fal kastës politike të pa ndërgjegjshme, vendore dhe ndërkombëtare, në komunat e dominuara nga serbët ku veprojnë strukturat e paligjshme nuk ka liri të lëvizjes, madje as për persona zyrtar joserb. Të përkujtojmë se gjatë përpjekjeve të dështuara për vendosjen e rendit dhe ligjit në këto vendbanime, nga strukturat serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar janë vrarë pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe pjesëtar të KFOR-it. Është marrëzi e shkuar marrëzisë të besosh se komunat e dominuara nga pakicat serbe dhe të dirigjuara nga Serbia do të pushojnë së vepruari kundër Kosovës pas fuqizimit të tyre në kuadër të “Zajednicës” e cila do të bëjë ato shumë më të fuqishme se sa më parë. Duhet thënë troq dhe pa ekuivoke se “Zajednica” do të ju mundësoj komunave të dominuara nga pakica serbe lidhje speciale me Serbinë, autonomi në disa fusha qenësore për fuqizimin e mëtejme të pakicës serbe e cila thënë figurativisht do të jetë një bombë brenda Kosovës me telekomandë në Serbi!

 

Duke marrë parasysh dërdëllisjet e politikanëve të sojit të Edita Tahirit, nuk mund të mos i përkujtojmë edhe disa fakte. Bartës dhe eksponent të kastës politike të Kosovës, dy vite më parë, të gjithë krekoseshin për përfitimet që kishte vendi ynë nga Marrëveshja e 19 Prillit, Marrëveshje nga e cila ka dal edhe krijimi i “Zajednicës”. Atëherë është trumbetuar se me Serbinë janë marrë vesh që ajo të mos e pengoj Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare ndërsa sot të gjithë jemi dëshmitar për angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, fetare dhe kulturore të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESKO! Ky është edhe një shembull tipik për ta demaskuar politiken hipokrite të të gjithë politikanëve që mbanin ders dy vite më parë mbi përfitimet që kishte Kosova nga Marrëveshja e 19 Prillit. Kush kishte sy për të parë, vesh për të dëgjuar dhe mendje për të menduar nuk duhet shumë mund për të konstatuar se me angazhimin e saj për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovën në UNESKO, Serbia ka shkelur Marrëveshjen e 19 Prillit të vitit 2013 në të cilën në mes tjerash thuhet se palët janë marrë vesh që të mos pengojnë njëra tjetrën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare! Por pavarësisht kësaj, ashtu sikur para dy viteve që dërdëllisnin pa asnjë grim turpi edhe sot e kësaj ditë, po të njëjtit politikan që sot pa pikë turpi dhe duke na trajtuar si qytetar idiot e me tru peshku provojnë të na bindin mbi domosdonë e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Për çudi, këta politikanë edhe sot e kësaj dite pa pikë turpi vazhdojnë të mbajnë ders nëpër medie të ndryshme dhe adresa elektronike për pranimin e “Zajednicës” meqë sipas tyre kjo na qenka në interes të Kosovës dhe se heqja dorë nga nënshkrimi për krijimin e saj qenka fundi i historisë së botës apo thënë me gjuhen fetare, shenjë e ardhjes së kiametit! 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …