Për 600 vjet, askund në historinë shqiptare nuk mund të gjesh as edhe një fakt se shqiptarët kanë vrarë njëri-tjetrin mbi baza fetare, urrejtje apo për ekzistencën e “ekstremizmit fetar”, siç potencohet nëpër media tona e tryeza të disa portaleve. Madje, kjo tolerancë ndërfetare është ruajtur, kultivuar, prezantuar në formën më të mirë të ndërveprimit ndër shqiptar pa bërë asnjë dallim mbi baza fetare, me theks të veçantë nga shumica fetare ku dhe janë gurthemeli i tolerancës ndërfetare në Kosovë.
Sot, problemet shoqërore tek shqiptarët në Kosovës për 15 vjet i kanë atribuar të gjithin ‘ekstremizmit fetar’. Madje kohëve të fundit po hasim analiza të atilla se problemi primar dhe kërcënues për shtetin e Kosovës dhe qytetarin e saj qenka ‘ekstremizmi fetar’ më i rrezikshëm se vet instalimi i Serbisë me strukturat paralele në Kosovë, mafisë, krimit të organizuar, korrupsionit, prostitucionit etj.
Më lejoni të ju rikujtojmë se nga viti 1999 deri në vitin 2015, në Kosovë janë vrarë mbi 1.500 qytetarë në forma të ndryshme nga mafia, krimi i organizuar, kriminelët të cilët për 16 vjet qëndrojnë në liri pjesa dërmuese e dorasëve. Më lejoni të ju rikujtoj se më shumë komandantë të luftës së Kosovës janë vrarë paslufte sesa gjatë luftës së Kosovës me Serbinë. Pjesa dërmuese janë të pazbuluar apo të manipuluar në Gjykatat e Kosovës.
Për 16 vjet në Kosovë nuk sundon ligji por sundon mafia lirshëm (madje në Kosovë nuk ekziston as ligji antimafi). Kriminelët arrestohen nga policia, lirohen nga gjykatat e Kosovës pa asnjë ditë burg, por këtu ndodh edhe e kundërta kur qytetarët që lajmërojnë krimin, ata kërcënohen, persekutohen, dënohen e madje edhe vriten në mungesë të drejtësisë dhe shpallen raste të pazbardhura siç janë të tilla mbi 500 në Kosovë.
Për 16 vjet në Kosovë ka lulëzuar prostitucioni gjithandej, vetëm nga periudha e luftës e deri më 2014 janë trafikuar rreth 600 persona (kryesisht të mitur) për prostitucion. Trafikimi i qenieve njerëzore kryesisht edhe në Kosovë po udhëhiqet nga kriminaliteti i jakës së bardhë sikurse në shumë vende të Bashkimit Evropian e më gjerë.
Për 16 vjet në Kosovë është vjedhur e shkatërruar çdo ndërmarrje publike, shitur, eksportuar për skrap, manipuluar në emër të privatizimit, zhvillimit ekonomik, duke i kthyer fabrikat në depo, markete, kafiteri e çka jo tjetër, e krahas kësaj ata që udhëheqin këtë dikaster u bënë miliarderë mbi kurrizin e popullit, ndërsa sot të njëjtit po flasin për zhvillimin ekonomik, po informojnë për rrezikun e Kosovës!!!!.
Për 16 vjet në Kosovë krimi i organizuar ka ngulfatur qytetarin e tyre. Çdo vit nga buxheti i Kosovës vidhen mesatarisht 30-40 % e buxhetit të shtetit apo hiq më pak se 500-600 milionë euro nga krimi i organizuar me anë të tenderëve, prokurimit publik, mafisë së instaluar në çdo segment të institucioneve shtetërore.
Për 16 vjet në Kosovë papunësia vazhdon të mbetet problemi kryesor, rreth 65% e qytetarëve janë të papunë, ndërsa për të gjetur një vend punë në institucionet shtetërore ose duhet të jeni militantë partiak, familjar i ndokujt në institucione apo me favore të seksit dhe të ryshfetit. Ndërsa, shumica e të punësuarve në institucionet publike mbajnë nga dy, tri e katër vende pune dhe po ashtu kanë punësuar edhe gjyshet e tyre (edhe pse janë të vdekur).
Për 16 vjet në institucionet arsimore më shumë kanë diplomuar politikanë sesa studentë të UP-së. Vetëm në një universitet në Pejë (Universiteti ‘Haxhi Zeka”) sipas raporteve policore nga 505 të diplomuar, vetëm 3 ishin studentë të rregullt, 502 ishin diploma të tregtuara për nevoja të ‘shtetit’ krimit të organizuar institucional. Asnjë i arrestuar për këtë rast.
Sot të kërkosh të vërtetën mbi problemet e qytetarëve në Kosovë por edhe rreziku i cili kërcënon Kosovën është shumë i thjeshtë të gjesh të vërtetën, të gjithë të japin 5 përgjigje të shpejta se cilat janë problemet e qytetarit: 1) Krimi i organizuar, 2)Moszbatimi i ligjit, 3)Korrupsioni, 4)Papunësia, 5)Strukturat paralele të Serbisë.
Pas gjithë kësaj që cekëm më lart, ende mendon se problemi kryesor është EKSTREMIZMI FETAR NË KOSOVË!!!???