Zonja Mogherini po Ju citoj vetëm njërin prej MIJËRA dokumenteve, që Ju, duhej t’i kishit pasur parasysh, kur u keni rekomanduar (apo imponuar) udhëheqësve të Republikës së Kosovës nënshkrimin e „marrëveshjes“ mbi bashkimin e komunave serbe në Republikën e Kosovës.
Gazetari austriak Leo Frojdlih, në librin e tij „Golgotha shqiptare“, shkruan kështu: „Me qindra e mijëra kufoma (shqiptarësh, Gj.D.), të masakruara, notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundnin t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë sërbe, i grumbullonin në vende të caktuar dhe u jepnin nga një plumb kokës. Më keq e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imët që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, të fshehurit gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin dhe, pasi bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë dhe, pasi u nxirej fëmija, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjvet. Pas masakrimit, sërbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata, gjatë therjes, mblidhnin gjakun (e shqiptarëve, Gj.D.) në kupa dhe e hapnin gostinë me të.“ (Krs. revista „Lemba“, nr. 18-19, 2014, f.35)
Nëse nuk i keni lexuar të këtillë „episode“ rrënqethës, Ju duhet të jepni dorëheqjen, thjeshtë sepse jeni e paditur, injorante, në çështjen që po udhëhiqni. Nëse i keni lexuar dhe i njihni të këtilla „vepra“ të paraardhësvet të sërbëvet të sotëm, Ju duhet të jepni dorëheqjen, sepse jeni E PADENJË.
Jeni E PADENJË, jo vetëm si funksionare e lartë e BE-së, por edhe si NJERI, si GRUA dhe si NËNË. Nëse do të ishit E DENJË si NJERI, si GRUA e si NËNË, Ju duhej t’ia kishit nxjerrë mbi tavolinë këtë dokument Zotit A.Vuçiq dhe t’i kishit thënë: „Kërkojini ndjesë kombit shqiptar për këto që kanë bërë paraardhësit tuaj, paguajini reparacionet përkatës kombit shqiptar, pastaj kërkoni, jo bashkësi komunash sërbe, por LEJE që të keni të drejtë të jetoni në tokat shqiptare.“
Nuk kam pse zgjatem më tej, Zonja F.Mogerini. Nëse nuk jeni një grua prej teneqeje, grua llamarinë, ose ende më keq, nëse nuk jeni e të njëjtit brumë me ata që i ka përshkruar gazetari Leo Frojdlih, Ju, ose duhet ta anuloni „marrëveshjen“ mbi bashkimin e komunavet sërbe në Republikën e Kosovës, ose të jepni dorëheqjen dhe të shkoni në shtëpinë Tuaj, pa guxuar kurrë më të kërkoni apo të pranoni ndonjë post që synon të rregullojë marrëdhënie midis kombesh.