Elife Luzha

Elife LUZHA: SHTETI DHE E DREJTA

Në përditshmërinë tonë shpeshherë ndeshemi me nocione për shtetin, ligjin, të drejtën e të padrejtën, por pa u pyetur thua asnjëherë se ç’kuptim kanë ato? Kështu vazhdojmë t’i rrokullisim ditët, bashkë me hallet, ngarkesat e mendimet tona të turbullta, pa ndonjë brengë të madhe për atë se çfarë është duke ndodhur në shtëpinë tonë të përbashkët të quajtur shtet.

Historia e krijimit të shtetit është e hershme, kurse të dhënat e para i gjejmë në veprën “Historia” të Herodotit. Ishte kjo koha e qytetet-shteteve greke (poliset), që u bënë burim i rëndësishëm për të gjitha proceset e mëvonshme të krijimit dhe të zhvillimit të shteteve. Barazia ishte synimi kryesor i qyteteve-shtete greke, ndaj dhe të gjithë qytetarët e kishin të drejtën e pjesëmarrjes në pushtet. Se sa e rëndësishme ishte pjesëmarrja, më së miri e dëshmon fjala e filozofit dhe e reformatorit të demokracisë athinase, Perikliut, kur thotë: “Ata që nuk interesohen për punët e shtetit, ne nuk i konsiderojmë si qytetarë, por si qenie të padobishme”. Gjithsesi, edhe teoritë e para për shtetin dhe të drejtën kanë lindur në Greqi, ku vepronte “ligji i lirisë”, por edhe normat zakonore.

“Shtetet janë krijuar në kalimin prej komunitetit primitiv në sistemin skllavopronar”, thotë autori Zejnullah Gruda (Gruda, 2003, f. 71). Por nuk duhet lënë anash fakti se familja është ajo që e përfaqëson shoqërinë më të hershme dhe modelin e parë të shoqërisë politike. “Familja e krijoi bashkësinë shtetërore, ashtu sikurse çdo bashkësi është e krijuar për shkak të ndonjë të mire, e ajo që synon një të mirë më të lartë se të gjitha të tjerat, quhet shtet, apo bashkësi shtetërore”, thotë Aristoteli në veprën e tij “Politika”.

Edhe autori McDonalld (Lee Cameron McDonald), në librin e tij “Teoria politike perëndimore”, duke shpjeguar bashkësitë shoqërore, thotë: “Bashkësia më e rëndësishme është ajo për të cilën ne do të jepnim edhe jetën” (McDonald, 2006, f. 12). E nëse pyetemi se cili vallë është qëllimi i krijimit të shtetit, atëherë, me të drejtë, në rastet më të shumta, shteti përkufizohet si rol apo ndikim që ka në shoqëri.

Me evoluimin e shoqërisë kanë evoluar edhe shtetet, lindja e të cilëve thuhet të jetë një fakt i thjeshtë e që shtrihet jashtë sferës së normave juridike. Ka mendime të ndryshme rreth asaj se çfarë është shteti dhe që të gjitha, në një mënyrë apo në një tjetër e përkufizojnë si “organizatë politike ekonomike, juridike e shoqërore, i cili vepron brenda një territori të caktuar, ku jetojnë njerëz me përkatësi të njëjtë apo të ndryshme nacionale”(Kelmendi, 2015, f. 17).

Ekziston edhe mendimi se shteti, për t’u përkufizuar si organizatë, duhet të ketë tri elemente:

        Territorin

        Popullsinë

        Pushtetin sovran

Shpjegimi për shtetin dhe rolin e tij do të na mbetej i mangët, po qe se nuk paraqesim edhe kronologjinë historike të zhvillimit, që ndahet në disa periudha, si:

    Historia e kohës së vjetër

    Historia e kohës së mesme

    Historia e kohës së re

    Historia e kohës më të re

Sipas kësaj ndarjeje, shteti dhe e drejta skllavopronare zgjati prej shekullit VI-IV p.e.s, deri në shekullin V të erës sonë.

Prej shekullit V të erës sonë njihet shteti edhe e drejta feudale, periudhë kjo e njohur edhe si periudhë e ndarjes së Perandorisë Romake në atë të Lindjes dhe të Perëndimit.

Ndërsa nga shekulli XVIII-XIX, nën frymën e ideve të Lokut, Hobsit, Rusoit, Monteskiesë etj., nisim ta njohim shtetin dhe të drejtën liberale, që njihet edhe si periudhë e kapitalizmit, por edhe e imperializmit.

E sa i përket të drejtës, duhet thënë se ka lindur bashkë me shtetin, dhe sipas fjalorit: “Littre” është bashkësi rregullash që rregullojnë sjelljet e njeriut në shoqëri”(Bufi, 2010, f. 39). Disa autorë të drejtën e konsiderojnë si sinonim të shtetit, që mbron interesat e klasës në pushtet. Ato jetojnë dhe e ndihmojnë njëra-tjetrën, prandaj ashtu sikurse është shteti, është edhe e drejta, sepse nga interesat e klasës në pushtet varet karakteri i shtetit.

 

Po çfarë është e drejta?

Që nga mesjeta e drejta njihet si “arti i së mirës dhe i barazisë”. Por edhe vitet në vijim e drejta u konsiderua si “barazi apo ekuilibër në raportet midis njerëzve”. Shteti dhe e drejta janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ndaj thuhet se çdo herë kur flasim për të drejtën, flasim edhe për shtetit, sepse nuk mund të ketë shtet pa të drejtën, e as të drejtë pa shtetin”. Por duhet ta kemi të qartë se e drejta nuk është sistem i vetëm normash. Ajo përbëhet nga dy sisteme të pavarura të normave të sjelljes shoqërore si: Sistemi i të drejtës natyrore dhe sistemi i të drejtës pozitive.

Sistemi i të drejtës natyrore është i lidhur me natyrën e njeriut, pavarësisht rregullave pozitive. Nga pikëpamjet etike, e drejta natyrore është e papërcaktuar për të drejtën pozitive, prandaj e drejta pozitive gjithmonë duhet harmonizuar me të drejtën natyrore, në të kundërtën duhet vlerësuar si “kundërnatyrore”, “jomorale” apo e pavlefshme. Ky mendim na vjen që nga antikiteti, me qëndrimin e Antigonës, sipas së cilës është e lejuar të shkelet ligji pozitiv i shtetit, nëse ai u kundërvihet ligjeve të pashkruara. E mendimi i Aristotelit për të drejtën natyrore ishte se “e drejta natyrore gjithkund ka të njëjtën vlerë dhe nuk varet nga ajo se a është miratuar apo jo. Kurse e drejta pozitive “herë thotë kështu e herë ashtu”, gjë që nuk guxon të ndodhë me vendosjen e ligjit” (Zenaid Xhelmo, pun. dip., 2006). Hugo Grotius, si themelues i shkollës të së drejtës natyrore, në vitin 652, në librin e tij “Mbi të drejtën dhe paqen”, bëri përpjekje që të drejtën dhe raportet ndërshtetërore t’i paraqesë si dukuri e së drejtës natyrore. Sipas kësaj shkolle, pos të drejtës pozitive, ekziston edhe e drejta natyrore dhe përbëhet nga disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë:

        E drejta e lëvizjes,

        E drejta e lumturisë,

        E drejta e zgjedhjes së profesionit,

        E drejta e fesë dhe e ndërgjegjes,

        E drejta e barazisë para ligjit,

        E drejta e pronës private,

        E drejta e sigurisë,

        E drejta e kundërshtimit të shtypjes etj. (Kelmendi, 2015, f. 37).

“Shkolla natyrore konsiderohet si shkollë progresiste, sepse propagandonte përmbysjen e feudalizmit dhe të monarkisë absolute, e në vend të saj kërkonte të drejta natyrore, meqë sipas saj njeriu lind me disa të drejta natyrore, ndërsa shteti duhet t’i ruajë këto të drejta që i rrezikon shoqëria e paorganizuar” (po aty).

Sistemi i të drejtës pozitiviste që në antikitet është njohur si rregull e shpallur nga autoriteti kompetent, (ligje të formuluara nga Parlamenti).

Rreth shek. XIX, kur shoqëria kishte filluar të konsolidohej, e në anën tjetër shkenca kishte marrë primatin e shpjegimit të fenomeneve shoqërore, e drejta pozitive triumfoi mbi mësimet për të drejtën natyrore. Këtu bëhet fjalë për fenomenin juridik të të drejtave, që “janë sistem rregullash për të arritur drejtësi. E drejta është bashkësia e rregullave dhe e normave të përcaktuara dhe të pranuara nga subjektet, me qëllim rregullimin e raporteve sociale dhe garantimin e tyre, duke i sanksionuar nëpërmjet ndërhyrjes së një fuqie publike, pra shtetit. Me një fjalë, rregulla e së drejtës është një rregull sociale, e vendosur nëpërmjet një autoriteti publik, e përhershme dhe e përgjithshme në zbatimin e saj” (Bufi, 2010, f. 39).

Pra, siç mund të dalim në përfundimin, respektimi i së drejtës sanksionohet me forcë dhe ka disa karakteristika:

        Karakteri social: E drejta nuk duhet të ngatërrohet me rregulla të tjera, si ato të zakoneve, të moralit ose të etikës.

        Karakteri detyrues: Qytetarët e njohin karakterin detyrues të rregullës së të drejtës, si të nevojshme për mbarëvajtjen e shoqërisë. Urdhri që buron nga e drejta është kategorik!

        Karakteri shtetëror: Rregullat duhet të ndërtohen nga organi kompetent shtetëror.

        Karakteri i përhershëm: Ajo mbetet në fuqi dhe është e detyrueshme deri në abrogimin, shfuqizimin ose zëvendësimin e saj etj.

 

Cilat janë burimet e së drejtës

Burimet e së drejtës shërbejnë si pikënisje për lindjen e rregullave juridike. Përgjithësisht janë katër burime:

    Burimet reale: janë ato burime që, nëpërmjet ekzistencës së tyre prodhojnë drejtpërdrejt lindjen ose krijimin e së drejtës, p.sh., revolucioni.

    Burimet formale: janë procedura, nëpërmjet të cilave shprehet e drejta.

    Burimet materiale: janë ato që bëjnë konkrete ekzistencën e së drejtës dhe e shpërbëjnë materialisht për lindjen e së drejtës.

    Burimet dokumentare: lidhen kryesisht me të drejtën ndërkombëtare, sipër shembull, konventat ndërkombëtare, protokollet, kartat dhe parimet e përgjithshme të së drejtës, të njohura nga shumica e vendeve (Bufi, 2010, f. 41).

Sipas Ylli Bufit, “sot ligji (prej latinishtes, lex, legies, që do të thotë gjë e shpallur), që është urdhër nga një institucion legjitim, është burimi kryesor i së drejtës. Por, thotë ai, duhet bërë dallimi midis sistemit të së drejtës dhe sistemit juridik.

Sistemi i së drejtës: është tërësia e normave unike juridike në çdo shtet, të cilat rrjedhin nga struktura social-ekonomike e shoqërore.

Sistemi juridik: përfshin gjithsesi aparatin gjyqësor, por edhe aparatin administrativ. Në botë janë katër sisteme juridike:

    Sistemi i së drejtës civile, nëpërmjet të cilit rregullat ndryshohen nëpërmjet qeverive

    Sistemi Commonlaw (anglo-sakson) zhvillohet nëpërmjet rregullit të precedentit gjyqësor

    Sistemi zakonor

    Sistemi fetar

Megjithatë, e drejta ndahet kryesisht në: të drejtën publike dhe të drejtën private.

    E drejta publike është e drejtë e shtetit, që studion normat, të cilat rregullojnë organizimin dhe funksionimin e shtetit apo të institucioneve të tij, si dhe raporti ndërmjet individëve dhe organeve, të cilave u njihet statusi i veçantë i të qenit subjekt i së drejtës publike (e drejta kushtetuese, e drejta parlamentare, e drejta elektorale, e drejta administrative, e drejta për të huajt).

    E drejta private është bashkësia e rregullave, që rregullojnë raportin midis personave privatë, fizikë ose juridikë. E drejta civile është pjesë e së drejtës private (personat, familja, detyrimet, të mirat, trashëgimia) (Bufi, 2010, f. 42).

Sipas studiuesve, e drejta zakonore përkundër pranisë së saj, gjithnjë e më pak po paraqitet si burim i së drejtës, edhe pse nëse flasim për Kosovën, e drejta zakonore vazhdon të mbetet aktive. Për këtë ekzistojnë me mijëra dëshmi, por nuk është qëllimi i temës që t’i shpjegojmë ato.

Si përfundim mund të japim një përkufizim, se shteti dhe e drejta janë institucionet më dëshmuese të qytetërimit. Nuk ka shtet pa të drejtë e as të drejtë pa shtet, çka do të thotë se, pa njërën nuk funksionon as tjetra. Respektimi i drejtësisë nga një shoqëri e organizuar në shtet, krijon rregull, harmoni e, mbi të gjitha, paqe të qëndrueshme. Në të kundërtën, anarkia apo “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve” do të merrte fuqi. Por, siç thotë Rusoi, “kur janë zhdukur Sparta e Roma, atëherë cili shtet vallë do të jetonte përgjithmonë”?

Biografi

Bufi. Ylli, Tempulli i demokracisë, “OMBRA GVG”, Tiranë, 2010.

Kelmendi, Muhamet, Historia e shtetit dhe e së drejtës, Prishtinë, 2015.

Zenaid Xhelmo, Hyrje në drejtësi, Punim diplome, 2006.

Jean-Jacques Rousseau, Mbi kontratën shoqërore, ose Parimet e së Drejtës Politike, Pema, Prishtinë, 2018.

Aristoteli, Politika, Elta BS & Artini. Botimi i parë, Rilindja, Prishtinë, 1978.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …