Kryeministri rumun Victor Ponta dha dorëheqjen, pas protestave masive të popullatës nga kryeqyteti Bukuresht dhe qyteteve të tjera anëmbanë Rumanisë. Protesta, që shprehu revoltën e rumunëve pas zjarrit tragjik në një klub nate nga qendra e vjetër të Bukureshtit, ku për pasoja u vranë mbi 30 veta dhe u plagosën mbi 150, gjunëzoi një qeveri që nuk e lëkundi as skandalët e korrupsionit dhe vënien nën akuzë e vet kryeministrit një muaj më parë. Moto-ja e protestave, mjaft domëthënëse, ishte: “Korrupsioni vret!”, sepse jo vetëm që normat kundër zjarrëve nuk ishin respktuar në atë lokal, por politikanët e korruptuar mbajnë përgjegjësi morale të madhe për faktin se lokali kriminal funksiononte me autorizim.
Nuk synoj të komentoj shumë situatën politike në Rumani, por vetëm të bëj një paralele me Kosovën dhe të shtroj një pyetje: Pse kryeministri Isa Mustafa nuk vepron njësoj dhe nuk ndjek shembullin e Victor Pontës, duke dhënë dorëheqje morale pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë (për Zajednicën) dhe me Malin e Zi (për “demarkacionin”) Nuk është as Victor Ponta një shembull i moralitetit, por së paku ai kishte kuptuar atë që Isa Mustafa nuk e kupton dot: se kur opozita së bashku me popullin të kërkon dorëheqjen, duhet ta pranosh dhe të mos rrish duke i mbajtur dhëmbët të shtrënguar nga karrigu apo kolltuku i embël e duke shpërfillur vullnetin e popullit. Demokracia në Kosovë është ende në fazën e foshnjërisë: ka një fasadë institucionale, ku populli ka rëndësi vetëm në kohë zgjedhjesh, ku vlen si një numër pa personalitet në kutinë e votimit dhe ku korrupsioni dhe mafiozllëku bëhen rend dite. Por, besoj që në fund të tunelit të errët të ketë një dritë dhe mbi të gjitha që kryeministri Mustafa të mos veprojë më kokëçarje dhe të jep sa më shpejt dorëheqjen, pa lënë të përshkallëzohet situata. Në rast se nuk do të veprojë në këtë mënyrë, ai do të dëshmohej në shërbim të forcave të jashtme armiqësore serbe dhe malazeze! Rumani, 4 Nëntor 2015