Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka reaguar pas letrës së Bashkimit Evropian, dërguar Zyrës së kryeministrit në Kosovës, Ramush Haradinaj nga Mogherini, Hahn dhe Malstroem përmes së cilës thuhej se dialogu Kosovë–Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga kryetari Thaçi. Sipas KMLDNJ-së, oferta është fyese, nënçmuese dhe shantazhuese.
“Para takimit të radhës në Bruksel midis delegacionit nga Kosova i udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe treshes së BE –së, Mogherini, Hahn dhe Malstrom, po këta tre i dërguan kryeministrit Haradinaj një letër ofertuese për heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.
Oferta ishte fyese, nënçmuese dhe shantazhuese, e ambalazhuar me vullnet të mirë që nëse Kosova e heq taksën prej 100% para datës 17 dhjetor atëherë BE do të ndryshojë emërtimin, nga UNMIK në Kosovë, e që nuk ka fare dallim përmbajtjesorë përveç një mashtrimi ambalazhues.
Asnjë shtet në botë nuk e ka njohur Kosovën me fusnotë por kjo fusnotë është pjellë e presidentit aktual dhe Edita Tahirit që deklaronin se kjo fusnotë do ta ketë fatin e një fjolle bore e doli të jetë akull i Greendlandës.
Treshja e BE-së nuk është aspak e brengosur për qytetarët e Kosovës, të cilët anipse i kanë plotësuar 95 kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave janë ngujuar në një geto duke ua mohuar të drejtën elementare të njeriut, e drejta për liri të lëvizjes dhe të cilën nuk e ka të mohuar asnjë vend dhe shtet në Evropë.
Se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike për liberalizim të vizave ishte edhe vlerësimi i Komisionit evropian dhe një grupi të konsiderueshëm të deputetëve të Parlamentit Evropian që me një letër kërkuan që Kosova të ketë liberalizim të vizave për faktin se i ka plotësuar kriteret e kërkuara.
Tani po del se Kosova e ka edhe një kusht ekskluzivisht politik, vazhdimi i negociatave për të ashtuquajturin normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në kohën kur Beogradi, me përkrahje dhe në heshtje të BE-së, me të gjitha mjetet e mundshme po bënë përpjekje ta shkatërrojë Kosovën duke e bllokuar në të gjitha proceset integruese dhe duke blerë me armatim ç’njohjet nga vendet që edhe e kanë bërë këtë. Kjo, për BE–në, përkatësisht për Mogherinin dhe Han që skajshmërisht janë në anën e Beogradit nuk paraqet fare shqetësim.
Shqetësim paraqet fakti pse ka rënë eksporti i mallrave serbe dhe boshnjake në Kosovë, pse këto dy shtete armiqësore ndaj Kosovës po humbin qindra milionë euro dhe pse po rrezikohen vendet e punës dhe ndalimi i prodhimit për serbët e Serbisë dhe Bosnjës në kohën kur shumica e qytetarëve të Kosovës janë kategori sociale.
Nuk paraqet asnjë shqetësim për zonjën Mogerinin dhe ‘gospodin’ Hahn që serbët e Kosovës, që nga përfundimi i luftës nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar dhe shërbimet tjera, madje, për më keq, qytetarët e tjerë të Kosovës janë plaçkitur pamëshirshëm duke ua faturuar edhe shpenzimet që serbët nuk i kanë paguar dhe për këtë nuk janë kompensuar asnjëherë.
Taksa prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është e imponuar dhe paraqet refleks mbrojtës ndaj agresionit të paskrupullt të Serbisë dhe injorimit të çdo gjëje të Kosovës nga Bosnja; më lehtë e merrni vizën për Izrael dhe Sllovaki, se për Bosnje. Lëvizja e lirë është vlerë e demokracisë evropiane që në mënyrë aq të paskrupullt po e mohojnë Mogerini dhe Han.
Përveç taksës prej 100 % dhe e cila e ka përkrahjen e të gjithë qytetarëve apo pjesës dërrmuese të kosovarëve, Kosova duhet ta zbatojë 100% reciprocitetin ndaj Serbisë dhe Bosnjes , në të gjitha fushat ku diskriminohet.
Mogherini dhe Hahn, si dy musketarë të injorimit të Kosovës dhe ledhatimit të Serbisë, duan ta eliminojnë kryeministrin Haradinaj edhe për faktin se po kundërshton çdo lojë me kufijtë e Kosovës për të cilën janë deklaruar presidenti Thaçi, presidenti Vuçiq, disa udhëheqës të shteteve evropiane e sidomos Mogherini dhe Han!
Qytetarët e Kosovës janë më evropianë se vet evropianët dhe në asnjë rast nuk kanë diskurs anti-evropianë. Ata kanë bërë sakrifica të mëdha të bëhen pjesë e familjes evropiane mirëpo, evropianizmi i tyre është kushtëzuar dhe po shantazhohet nga Mogherini dhe Hahn, të cilët, nga prilli i vitit 2019 do të jenë vetëm një e kaluar, duke kërkuar nga ta që të bëjnë kompromis dhe lëshime që substancialisht e dëmtojnë pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj.
Mogherini dhe Hahn po e injorojnë Ekipin Negociator të formuar nga pozita dhe një pjesëz e opozitës duke deklaruar se ata e konsiderojnë Hashim Thaçin, si të vetmin udhëheqës të bisedimeve me Serbinë gjë që paraqet ndërhyrje flagrante dhe të palejueshme në punën e Kuvendit të Kosovës si dhe qeverisë së Kosovës.
Taksën prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, Mogherini dhe Han po e përdorin vetëm si pretekst për eliminimin e kryeministrit Haradinaj, ndërsa arsyeja kryesore është këmbëngulja dhe vendosmëria e zotit Hardinaj kundër korrigjimit të kufijve e që është vetëm eufemizëm për ndarje të Kosovës.
Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë të trajtohen si të gjitha vendet e tjera, as më shumë e as më pak.
Nëse Mogherini dhe Hahn insistojnë që Hashim Thaçi, president i Kosovës të jetë udhëheqës i vetëm i bisedimeve me Serbinë, ç’kuptim ka Ekipi Negociator dhe çfarë vlere ka Platforma e Qeverisë së Kosovës për bisedime me Serbinë ?! Edhe ashtu, kjo Platformë për bisedime ka shumë mangësi për faktin se mund të përdoret vetëm si lëndë e parë për një platformë përmbajtjesore dhe e pranueshme për qytetarët e Kosovës , pas një diskutimi publik me të gjithë akterët që mund të kontribuojnë në përmirësimin e saj.
Kurse, sa i përket Ekipit Negociator, KMDLNj vlerëson se është ekip i zorit , i formuar shpejt dhe shpejt dhe i cili përjashtuar pak rasteve ka mungesë të madhe të kredibilitetit dhe aty ka persona që nuk i plotësojnë as kushtet minimale të negociojnë për dhe në emër të Kosovës.
Ka anëtar që nuk kanë as edhe një anëtarë që e përkrahin, e kanë një të kaluar të dyshimtë, janë përfitues të paqes pasi kanë qenë kundër luftës, nuk i plotësojnë as standardet minimale morale, njerëzore dhe politike.
Këta individë nuk kanë legjitimitet politik, nuk përfaqësojnë asnjë forcë politike, asnjë deputetë apo kanë deputetë në gjurmë dhe si të tillë vetëm sa do ta diskreditojnë procesin e negociatave. Është vlerësim i KMDLNj –së se nuk ka bisedime dhe se asnjë marrëveshje për Kosovën nuk do të jetë e pranueshme pa pjesëmarrje të LDK-së dhe LV.
Marrëveshja mund të imponohet por në rrethana të tilla nuk do të implementohet. KMDLNj vlerëson gjithashtu se përgjegjësia për një marrëveshje të dëmshme dhe të keqe për Kosovën sa do të jetë përgjegjësi e presidentit apo e Ekipit Negociator po aq do të jetë përgjegjësi edhe e LDK –së dhe LV të cilat nuk do të amnistohen nga përgjegjësia për pasojat e mundshme dhe duket të pashmangshme, duke qëndruar anash dhe duke kritikuar çdo përpjekje dhe iniciativë! KMDLNj nuk është aspak e kënaqur edhe me përfaqësimin e shoqërisë civile në këto bisedime e cila po përdoret vetëm si arsyetim për gjithëpërfshirje.
Imponimi përmes kërcënimit i BE-së, se vetëm Hashim Thaçi është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë paraqet injorim dhe suspendim të Kuvendit të Kosovës dhe kompetencave të qeverisë së Kosovës sikur që është edhe përpjekje që këto dy institucione të rëndësishme të Kosovës të shndërrohen në servis të presidentit Thaçi e që është hyrje në një krize të re në Kosovë. Kushtëzimi se nuk ka vazhdim të bisedimeve pa heqjen e taksës për 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është paralajmërim se do të përdoret çdo mjet për të bindur kryeministrin Haradinaj të ‘korrigjohet’ , në të kundërtën ndaj tij do të ndërmerren të gjitha masat e lejuara dhe të palejuara.
Qytetarët e Kosovës duhet ta kundërshtojnë çdo përpjekje për korrigjim të kufijve dhe të përkrahin çdo politikan, subjekt politik apo institucion, qeveritar apo joqeveritar që angazhohet për mbrojtje të kufijve ekzistues. Derisa Kosovës i është ofruar me paturpësi nga Mogherini dhe Hahn, oferta për vazhdim të getoizimit përmes mosliberalizimit të vizave dhe zëvendësimi i emërtimit nga UNMIK në Kosovë*, në këmbim të hejkjes së taksës prej 100% për mallrat serbe dhe nga Bosnja, zoti Han e nënshkroi çekun prej 97 milionë eurosh për Serbinë, për të kompensuar dëmin për shkak të rënies së eksportit në Kosovë apo për të blerë armatim modern nga Rusia, si kusht për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, ende nuk e kemi të qartë! Me këto zhvillime Kosova definitivisht po hynë në probleme e që autorësinë për këtë e kanë burokratët e BE –së, me Mogherinin dhe Hanin në krye, politika shoviniste e Serbisë dhe politikanët e papërgjegjshëm kosovarë”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.