A. Q : Pesë sanksionet e Kanunit të Lekës lidhur me sjelljet e kuvendarëve në Kuvend.

1.-Në Kuvend sa të flasë njëri, të tjerët kanë detyrë të heshtin dhe të dëgjojnë. Paragrafi. 1118


2.-Fjala e rëndë e fyese nuk lejohet në Kuvend. 1122


3.-Kanuni nuk lejon që të shahet dikush në Kuvend, Po e bëri kush këtë gjë do të gjobitet me çmimin e shitjes së pesë deshve. 1123.


4.-Po ndodhi  kush e i thotë kujt po rren, në Kuvend, do të gjobitet 500 grosh. 1224.


5.-Po i shkrepi kush kujt armën në Kuvend, shpija i digjet, vrasësi grihet katundisht e shkon gjakhupës. 1125. (KLD, Kanuni i Pleqnisë, f. 101)


 


 


Duke marrë para sysh sjelljet e pamira madje dhe të neveritshme të shumë deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë, fitohet përshtypja se gati askush prej këtyre deputetëve nuk e ka lexuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, (Të drejtën zakonore shqiptare) që në të kaluarën ka qenë dhe po mbetet një e drejtë analoge me të “Drejtën Romake”, apo  me “Ligjin e Manuit”, (“Manava Dharmasastra”). Edhe nëse e kanë lexuar shumica syresh nuk i përmbahen, as duket se kanë kod të tillë gjenetik të mirësjelljes e vetëpërmbajtjes. Të mos flasim për edukatë familjare dhe kulturë shoqërore.


 


Kanuni i Lekë Dukagjinit, është krahasuar madje edhe  me Biblën e Kur’anin, për disa segmente, meqë tërësia e Kanunit, si pako, në shumë elemente i përket së kaluarës, por  nuk mund të trajtohet ashtu sikur trajtohen Bibla, Toreja apo Kur’ani, që janë libra hyjnorë. Kanuni i Lekës nuk është libër hyjnor dhe nuk mund të vlerësohet kalueshëm në të gjitha segmentet.


Gama e problemeve që trajton Kanuni shqiptar, i takon së Drejtës shqiptare në përgjithësi, një kod që i ka përballuar shekujt dhe në disa segmente është më i avancuar se kushtetutat bashkëkohore. Kur i jap vetes të drejtë për të konstatuar kështu, mbështetem ne faktin se asnjë prej deputetëve tanë, të cilët përbehen në Kushtetutë, edhe nëse e kanë lexuar dhe e njohin përmbajtjen dhe nenet e kushtetutës, ata nuk duket se u përmbahen as në gjysmën, madje as në një të treten e asaj,  që dikur iu kanë përmbajtur pleq e stërpleq në Kuvendet shqiptare.


Gjuha e shkarë, e neveritshme, e ndragur  dhe e pa cipë e disa kuvendarëve tanë, mjerisht edhe e të shumicës së  krye-kuvendarëve me ndonjë përjashtim, është gjuhë e cila me Kanunin e Lekës ka qenë e sanksionuar dhe njerëzit e Kanunit iu kanë përmbajtur me rreptësi e rigorozitet.


 


Ja disa konstatime  unike, njerëzore në të cilat bazohet Kanuni i Lekës që do të duhej t i dinte çdo deputet dhe kryekuvendar.


 


Kanuni i Maleve të Shqipërisë, nuk bën dallime të njeriut  prej njeriut. I miri dhe i keqi,


kanë të njëjtin çmim. Del i miri prej të keqit, ashtu sikur i keqi prej të mirit, në kandar të vet secili peshon 400 dirhem. Shpirt për shpirt sepse dukjen e njeriut e ka falë Zoti.  Nderin secili e ka për veti dhe nuk ka të drejtë askush t i përzihet në të. “Dy gisht nderë në lule t ballin na i ka falë i Madhi Zot”. ( KLD Libri i Tretë, Ndera vetjake, f. 65.)


Ky përkufizim, si në aspektin sociologjik, psikologjik, filozofik, ashtu edhe në të drejtën njerëzore në përgjithësi  dhe në të gjitha kodet e kushtetutat e botës  ka bazament të fortë të vetëdijes shoqërore e morale të njeriut shqiptar ndër shekuj.


 


Lidhur me të drejtat njerëzore e qytetare, Perikliu, i cili ka jetuar në Athinë rreth viteve, 495 – 429 para epokës sonë thoshte:


 


Ne  përdorim një kushtetutë që s’ua ka zili ligjeve të të tjerëve, përkundrazi jo vetëm nuk imitojmë të tjerë, po jemi shembull edhe për disa. Emri i kësaj kushtetute është demokraci, mbasi qytetin e qeveris jo një pakicë, po shumica e qytetarëve; për sa u përket mosmarrëveshjeve të qytetarëve në jetën e tyre private, të gjithë kanë të drejta të barabarta sipas ligjeve, në zgjedhjen e atyre që marrin ofiqe në jetën publike, dhe preferohet, jo ai që është prej kësaj ose asaj partie, po ai që është i zoti për degën ku caktohet; qytetari që është i vobektë, po është i zoti t’i bëjë të mira qytetit, nuk pengohet kurrë të marrë ofiqe nga fakti që rrjedh prej një klase shoqërore të ulët.”


(Elegjia e Perikliut sipas Thukididit,); Periudha gjatë së cilës ai udhëhoqi Athinën, nga 461 në 429 para epokës ndonjëherë njihet si “Epoka e Perikliut”, e aplikimit të demokracisë në Athinë.


 


Po të krahasohen këto dy përmbajtje përkufizuese, shihet mjaft mirë se kanuni i Lekës, sa i përket qasjes ndaj njeriut, barazisë si qenie  nuk kundërshtohet në asnjë segment me “kanunin” e Perikliut të lashtësisë. Për më tepër shpreh një barazi të lartë, pa përmendur fare klasën dhe pozitën shoqërore kur kemi të bëjmë me njeriun si qenie.


 


Ja disa shembuj që përkufizojnë dhe sanksionojnë  sesi duhet të sillet anëtari i Kuvendit në mesin e burrave.


 


1.-Në Kuvend sa të flasë njëri, të tjerët kanë detyrë të heshtin dhe të dëgjojnë. Parag. 1118


 


2.-Fjala e rëndë e fyese nuk lejohet në Kuvend. 1122


 


3.-Kanuni nuk lejon që të shahet dikush në Kuvend, Po bani kush këtë gjë do të gjobitet me çmimin e shitjes së pesë deshve. 1123.


 


4.-Po bani kush e i thotë kujt po rren, në Kuvend, do të gjobitet 500 grosh. 1224.


 


5.-Po i shkrepi kush kujt armën në Kuvend, shpija i digjet, vrasësi grihet katundisht e shkon gjakhupës. 1125. (KLD, Kanuni i Pleqnisë, f. 101)


 


Katër paragrafët e parë, thyhen në Kuvendet tona nga deputetët pa kurrfarë keqardhje, madje nga shumica dërrmuese e kuvendarëve, ndërsa paragrafi i fundit, është kufizuar me rrahje, grushte e gjakosje.  Duket se dukuria e rrahjes në Kuvend, nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën, përndryshe do të ishte sankcionuar edhe një veprim i tillë. Vrasja, ka mundur edhe të ketë ndodhur, meqë kuvendarët kanë pasur jo vetëm të drejtë por edhe obligim për të mbajtur armën me veti gjatë punimeve në Kuvend.


 


1.-Në Kuvendet tona, deputetët, jo vetëm që nuk dëgjojnë çka thotë kolegu i tyre por na ka rastisur t’ i shohim përmes kamerave sesi flasin përmes telefonave, shkruajnë SMS, lexojnë portale, luajnë letra dhe janë krejt të lirë të mos dëgjojnë kush çka flet.


 


2.-Fjalët e rënda dhe fyese janë karakteristika më e shprehur e kuvendarëve tanë. Të sjellim në kujtesë se në çfarë mënyre barbare, ish kreu i PD-së Sali Berisha u shanë nënat e motrat madje edhe gratë deputetëve të partive kundërshtare. Sharja e tij është e shprehur me egërsi, babëzi dhe kakofoni të njeriut të shekujve para aplikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit. I njohur për sharje e përbuzje në Kuvend, kundër deputetëve të opozitës  ka qenë edhe, kimisti, ish kryetari i Kuvendi në kohën e Rugovës, Nexhat Daci.


Ilir Meta tani tregohet i matur meqë është në krye të Kuvendit. Në të kaluarën ai jo vetëm shante e fyente kundërshtarët por edhe përleshej fizikisht me ta.


Kreykuvendari  i Kosovës, Kadri Veseli shan dhe fyen në Kuvend, madje shan deputetet, por pastaj kërkon falje. Në kanunin e Lekës, përfillet kërkimi fisnik i faljes, por vetëm pasi i fyeri të ketë pranuar për ta falur fyerjen me ndërmjetës, pleq e kuvendarë. (KLD. Ndera,  paragrafi 598, F. 66)


 


3.-E kanë të begatë fjalorin me sharje e fyerje edhe disa deputetë të pozitës e të opozitës, ndërsa  kohëve të fundit i kanë ndragur gojët, kryeministri Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi dhe mjerisht shumë nga deputetët e deputetet.


 


4.-Shprehjet:  “po rren!” “rrenacak!”,  “mos rrej!” janë shprehjet dhe fjalët më të rëndomta që disa deputetë i adresojnë njëri tjetrit, në Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Nuk e njoh kodin e sjelljes së deputetëve  dhe nuk e di  se a sanksionohen me ligje këto lloj fyerjeje?


 


5- Është fat që deri sot nuk është përdorur arma në Kuvend, ndërsa tymi lotsjellës nuk mund të konsiderohet armë, sepse nga tymi dëmtohen njësoj si ata që e shpërndajnë ashtu edhe të tjerët.  Pretendimet për ta trajtuar tymin lotsjellës në Kuvend  si armë, madje armë biologjike kimike, janë groteske dhe inatçore.


 


Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, prej vitit 1945 e deri në vitin 1991 janë përfillë maksimalisht normat dhe kodet e sjelljes në Kuvend. Nuk ka pasur sharje e fyerje, por ka pasur kërcënime në emër të partisë dhe ndëshkime mbase edhe me gjoba, por edhe  me burg dhe degradim publik.


 


“Dy gisht nderë në lule të ballit na i ka falë i Madhi Zot”, ndërsa “fytyrën e vrgunueme në dash laje në dash vrugnoje edhe më”,  këto janë vetëm dy nga qindra  porosi të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanuni i Maleve të Shqypnisë që ka mbijetuar deri në ditët tona. Po t’ i heqim vellon e  pluhurin e kohës, gjakmarrjen e hakmarrjen që janë pjesët më drastike të ringjallura në kohën tonë, por t’i heqim disa paragrafë arkaikë e reaksionarë sidomos në raport me skllavërinë e femrës, Kanuni i Lekës, ka plot shembuj urtësie e mirësjelljeje njerëzore, të cilit do të duhet t i përmbaheshin, “të zgjedhurit” e popullit, ata që sa herë ndihen ngushtë na tregojnë se janë të zgjedhur, por askush nuk i ka zgjedhur për të sharë, për të vjedhur, për t’i vjedhur votat e për t’i shitur pjesët e vendit, me çmim të mbetjes në pushtet.


 


24. 10. 2015


Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …