Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha dje se: “ Nuk i ka kushtuar vëmendje banerëve të ngjitur përballë tij nga deputetët e partive opozitare”.
Nuk e di nëse Komisioneri Johanes Hahn i ka lexuar apo jo dy fjalitë e shkruara në banerat e opozitës, këtë më së miri e din ai vet, unë nuk kam ndonjë arsye të mos i besoj.
Mirëpo, gjithsesi kam arsye të shpreh habinë dhe mospajtimin tim që komisioneri Hahn si një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian të mos merr mundin fare, madje as t’i lexojë ato dy fjali, të cilat në esencë shprehin qëndrimin e opozitës për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Të mos marrësh mundin as t’i lexosh dy fjali, do të thotë të mos jeshë i interesuar fare për argumentet e opozitës, e cila gjithashtu përfaqëson qëndrimin e një pjese dërmuese të qytetarëve të këtij vendi. Ai ka mundur dhe është dashur që nga rreth 20 minuta sa zgjati fjala e tij në seancë, së paku 20 sekonda t’ia kushtojë leximit të atyre dy fjalive të opozitës. Fundja, leximi i tyre është vlerë evropiane dhe jo mosleximi.
Sikur komisioneri Hahn të kishte thënë se i ka lexuar por nuk pajtohet me qëndrimet e opozitës edhe do ta kisha kuptuar, sepse siç tha edhe vet ai sot në seancën solemne, kështu funksionon demokracia, “Secili që është pjesë e këtij Kuvendi përfaqëson dikë”. Duke u nisur nga ky parim të cilin ai personalisht e nënvizoi, në mos për hirë të opozitës, atëherë së paku për hirë të atyre që ata përfaqësojnë, ai është dashur të merr mundin që t’i lexojë ato dy fjali.
Opozita në seancën e djeshme përdori mjetet më demokratike të mundshme për të shprehur qëndrimin e saj për këto marrëveshje, përdori pikërisht ato mjete, të cilat ka kohë që, të gjithë, ndër ta edhe komisioneri Hahn dhe komisionerët tjerë, kanë kërkuar dhe po kërkojnë nga ajo t’i përdorë. Por, kur ajo përdori pikërisht ato mjete, cila ishte vëmendja që morrën kërkesat e saj? Cila ishte përgjigja që ajo morri? “Thuani dhe shkruani çka të doni, por meqë qëndrimet e juaja nuk na pëlqejnë ne nuk marrim mundin madje as t’i lexojmë dy fjali tuajat”
Qasja e tillë përcjellë vetëm një mesazh, fatkeqësisht jo të mirë, se vetëm fjalët apo shkronjat nuk mjaftojnë t’a bëni tjetrin që së paku t’ju dëgjojë apo lexojë argumentet tua. Një qasje e tillë ndaj argumenteve të opozitës, përdorimit të vezëve dhe gazit lotësjellës, për të pa mundësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, i japin kuptim dhe legjitimitet edhe më të madh.
Nëse dikush ende mendon se, për të ndalur zbatimin e këtyre marrëveshjeve të dëmshme, janë të mjaftueshme vetëm fjalët dhe shkronjat (pa vezë dhe gaz lotësjellës) dje nga komisioneri Hahn, fatëkeqësisht morrën përgjigje zhgënjyese. Duke mos marrë mundin as t’i lexojë ato dy fjali, ai me apo apa dashje, përcolli mesazhin se, vetëm fjalët apo shkronjat nuk mjaftojnë sepse ato mund të kalohen duke mos u lexuar fare. Prandaj, sado jo popullor që mund të jetë përdorimi i tyre, fatkeqësisht mbetet i pashmangshëm.