leoni

B. Mahmuti: Pengesa për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO-Rezultat i Luftës së Ftohtë

          Mobilizimi për dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Institucionin e Specializuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë , që në botë njihet me akronimin në gjuhën angleze UNESCO, tejkalon konfrontimet e diplomacisë shqiptare (Shqipëri-Kosovë) me atë serbe. Që nga momenti kur Republika e Shqipërisë shtroi kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO lufta diplomatike mori përmasat e një lufte ku përplaseshin “shpatat” e diplomacive të shteteve të demokracive perëndimore me ato të sistemeve diktatoriale. Lufta e ftohtë, që u rikthye në skenën politike ndërkombëtare me ardhjen e Vlladimir Putinit në kyre të Rusisë, është e një intensiteti të fuqishëm dhe global. Në kuadër të kontekstit të kësaj lufte të përmasave ndërkombëtare edhe pozicionimi është ndërkombëtar. Prandaj lufta për dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO nuk mund të shihet e shkëputur nga rasti i agresionit rus kundër Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë, përpjekjeve për të mbajtur Asadin në pushtet dhe shumë ndërhyrje tjera analogjike të shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare. 


           Mjafton t’i hedhim një sy cilësdo situatë në cilindo kontinent ku zhvillohen konfrontimet përmes luftës së  “ftohtë” dhe asaj të “nxehtë” do të shohim rreshtimin e shteteve të njëjta në njërin nga dy “blloqet”.


Mjafton t’i hedhim një sy listës së shteteve që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO për të parë se përkrah Serbisë që kreu gjenocid në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci rreshtohen Rusia despotike e Putinit, Bjellorusia e diktatorit Llukaçenko, Koreja e Veriut e Kim Jong-Un-it, Siria e Bashar el Asadit, Kuba e Kastrove, Zimbaveja e Robert Mugabes, mbretër, emirë, princa dhe diktatorë të përkatësive të ndryshme kombëtare, fetare, politike e ideologjike por që kanë si emërues të përbashkët shtypjen e popujve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.


           Në kontekst të kësaj lufte globale diplomacia shqiptare është mjaft e suksesshme sepse në mbështetje të saj ka demokracitë perëndimore. Rreshtimi përkrah këtyre demokracive është fitorja më e madhe e Kosovës, edhe pse munguan disa vota që të realizohej qëllimi i angazhimeve diplomatike. Për diplomacinë shqiptare lufta vazhdon. Madje edhe me intensitet më të madh. Angazhimi intensiv diplomatik duhet të orientohet në drejtim të shteteve që abstenuan sepse aty mund të gjenden aleatët e nevojshëm. Sidomos në mesin e shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet  të pavarur.


          Raporti i forcave për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare është i përkohshëm. Despotët dhe diktatorët penguan anëtarësimin e Kosovës në Institucionin e Specializuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë. Por një gjë është e sigurt: despotizmi dhe diktaturat nuk kanë të ardhme. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë të qartë rrugën e vet: edukimin, shkencën dhe kulturën e kanë orientuar drejt vlerave euro-atlantike.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …