Goditja e fundit, e përgjakshme, që mori Parisi e mbarë Franca më 13- 14 nëntor 2015 nga grupet terroriste të Shtetit Islamik -Iran Siri, ka qenë qysh moti e paralajmëruar, por shumë e vështirë, për të mos thënë krejtësisht e pamundshme për t’u evituar. IS-i për çdo ditë kërcënon, madje jo vetëm Evropën e Amerikën por edhe Rusinë e Kinën e largët. Jo pak nga ato kërcënime edhe po i realizon, sado që raporti me humbjet që ka pësuar dhe po pëson nga sulmet amerikane, ruse, assadiste, turke, franceze, angleze, italiane është në nivel shumëfish të pabarabartë. Për një evropian apo amerikan të vrarë, vriten jo më pak se 1.000 apo dy mijë pjesëtarë nga popullata civile dhe nga xhihadistët e shtetit virtual-real – ISIS.
Për mendimin dhe bindjet e botës perëndimore, nuk është njëjtë sikur të vritet një mysliman, apo si një i krishterë, qoftë lindor, apo perëndimor. Ashtu ndodh edhe nga këndvështrimi i ISIS-it. Por njerëzit janë njerëz, të tillë sikur i ka folur Zoti, të zi e të bardhë, të mirë e djallëzorë dhe këtë nuk mund, as kemi fuqi ta ndryshojmë. E kanë provuar perandoritë, kalifatet, sulltanët, e kanë provuar kryqëzatat, Inkuizicioni, Hitleri e shumë të tjerë, por nuk e kanë bërë dot botën më të mirë, as atëherë kur kanë humbur luftërat as kur i kanë fituar ato.
Makineria e Hitlerit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, vriste 100 të huaj për një gjerman. Milosheviqi i Serbisë kriminale, vriste 500 myslimanë boshnjakë në Bosnje për një serb të vrarë, dhe Evropës së krishterë syri vër nuk i bënte. Madje “paqeruajtësit” holandezë ua kishin përgatitur ferrin e kësaj bote, në Srebrenicë, 20 vjet më parë, kur vetëm brenda një ditë i vranë dhe i masakruan 8.000 boshnjakë myslimanë. Srebrenica e myslimanëve nuk ngriti peshë diplomacinë botërore, sepse atje nuk ishin vrarë të krishterët. Po të ishin vrarë 8.000 serbë brenda një dite, do të kishte marrë zjarr krejt bota. Milosheviqi kishte urdhëruar të vriteshin banorët e tërë të një fshati me shqiptarë në Kosovë për një serb të vrarë. Vrau 150 në Krushë për dy serbë të vrarë, vrau e masakroi 160 në Izbicë të Drenicës për tre serbë të vrarë, vrau dhunoi, masakroi 400 burra e gra në Meje të Gjakovës, vrau e masakroi dhjetëra mijëra gjatë luftës, në Reçak, Abri, Pustenik, në Vërri, dhe në treqind vende të Kosovës. Asadi vret 1000 kundërshtarë politikë nga radhët e opozitës për një ushtar të vetin. Amerika për 3000 qytetarë të vrarë nga Al-Kaida, në Kullat Binjake, nuk dimë sa irakianë e afganë ka vrarë por shifrat janë të tmerrshme, të pakrahasueshme.
Ngushëllim për të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre në Paris. Por a thua, a di kush të na tregojë sa sirianë, irakianë, palestinezë e afganë vriten nga aeroplanët e Francës brenda një dite në këto shtete, ku ditë e natë bombardon edhe armata franceze? Natyrisht se dëmet ku pëson popullata civile, madje edhe ajo në spitale e në shkolla llogariten dëme anësore, kolaterale, të mundshme të ndodhin në çdo luftë dhe pikërisht në këto dëmet anësore pëson gati qind për qind popullata civile. Me siguri se numri është dhjetëfish ndoshta edhe qind fish më i madh, por atje vriten arabët, sirianët, iranianët, afganët dhe kjo nuk është njëjtë sikur kur vriten evropianët, rusët apo amerikanët. Kështu pëson popullata e mjerë pa pikë faji, kudo në botë, derisa i vrasin pa pikë mëshire, gjithnjë në emër të një kauze, në emër ta kauzës së vetme, superiore, demokratike, kundër çdo kauze tjetër, që merr guximin të duket dhe që nuk është superiore e demokratike.
E keqja e tërë kësaj tragjedie nuk mbaron me kaq. Paralajmërimet janë ogurzeza. Hakmarrja do të jetë shumëfish më e përgjakshme, do të jetë sikur Masakra franceze në Algjer. Një kujtesë që me këtë rast e nxjerrë në sipërfaqe historia e Francës kolonialiste, edhe pse për krimet e asaj kohë nuk mund të akuzohet sot asnjë francez, por kujtesa kombëtare algjeriane e franceze nuk ka harruar as harron.
(Më 8 maj të vitit 1945, forcat kolonialiste franceze ishin tubuar në një paradë për të festuar fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren e aleatëve kundër forcave fashiste, gjermane e italiane të Boshtit.
Partitë algjeriane, nacionaliste, duke përfituar nga prania e veçantë e popullatës në paradë, organizuan një demonstratë paqësore për t’i shfaqur pretendimet e tyre patriotike, që kishin të bënin me çlirimin parësor nga Franca. (Ata kishin marrë pjesë në Frontin e Rezistencës së Francës dhe shumë prej tyre kishin rënë duke luftuar për çlirimin e saj).
Atë ditë një algjerian i ri, i quajtur Saal Buzid, ishte duke valëvitur një flamur të Algjerisë, me ç’ rast është vrarë nga një polic francez. Vrasja e tij kishte shkaktuar një revoltë të përgjithshme të qindra mijëra njerëzve, në shesh. Forcat franceze kishin urdhëruar zjarrin me qëllim për të shtypur demonstruesit. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë edhe Ushtria, e cila kishte përgjakur tërë sheshin duke vrarë mijëra algjerianë. Sipas burime zyrtare, në mesin e forcave franceze e evropiane ishin vrarë102 veta, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë. Numri i viktimave algjeriane asnjëherë deri tani nuk është saktësuar dhe debati për numrin e e tyre ka arritur deri në ditët tona. Autoritetet franceze, pas masakrës kishin dhënë numrin e vdekjeve, që thuhej se përafërsisht arrinte në 1.165. Qeveria algjeriane ka të dhëna për masakrimin e 45.000 algjerianëve. Kjo ditë martirizimi përkujtohet çdo vit në Algjeri. Ambasadori i Francës në Algjeri, në një fjalim zyrtar, në Setif në shkurt 2005, e përshkruar masakrën si një “tragjedi të pafalshme” të regjimit të Francës kundër algjerianëve paqësorë.
Një masakër tjetër çnjerëzore e forcave franceze kundër algjerianëve ka ndodhur edhe më 17 tetor të vitit 1961, në Paris. Demonstrata e algjerianëve ishte organizuar nga Federata e Francës e Fronit Nacional Çlirimtar. Shkas për këtë protestë masive ishte bojkot i orës policore gjatë natës, të aplikuar, jo për të gjithë qytetarët, por vetëm për afrikano-veriorët, në radhë të parë për algjerianët.
Fronti kishte ftuar në manifestim algjerianët, burra, gra e fëmijë, por iu kishte ndaluar bartjen e armëve. Marshi i zemërimit popullor gjatë natës, në rrugët kryesore të kryeqytetit, çoi në konfliktin e protestuesve dhe policisë, e cila hapi zjarr duke përgjakur të gjitha rrugët dhe sheshet. Represioni brutal policor që kishte vazhduar edhe përtej natës së 17 tetorit të atij viti, pati për pasojë mijëra të ndaluar dhe të burgosur nga radhët e demonstruesve algjerianë dhe mijëra të tjerë të vrarë nëpër rrugët e Parisit. 17 tetori i vitit 1961 dhe pasojat, janë perceptuar si njëra nga ngjarjet më të dhunshme që lidhen me luftën në Algjeri. Kjo dhunë e shfrenuar e autoriteteve kundër algjerianëve çoi më në fund edhe në çlirimin e Algjerisë nga kolonializmi qindra-vjeçar i Francës, në vitin 1962.).
Masakra e ISIS-it në Paris, nuk është hakmarrje për masakrat që Franca ka kryer kundër algjerianëve, por një hakmarrje aktuale përderisa Franca për çdo ditë bombardon në Siri dhe në Irak, jo me qëllim ta dëmtojë popullatën, por është pikërisht popullata ajo që pëson. Franca është në luftë me ISIS-in dhe në luftë ndodhin edhe krime të kësaj natyre. Edhe mbrëmë, ndoshta sulmi ishte kurdisur kundër kryetarit të Francës, Fransua Holland, i cili nuk pësoi fare, por pësuan civilët francezë sepse kështu ndodh zakonisht. As gjatë bombardimit të NATO-s kundër Serbisë nuk pësoi asnjë gjeneral apo politikan i lartë i Serbisë, nuk pësoi as Milosheviqi, por nuk mund të themi se nuk pësoi asnjë serb, por krejt pak në radhët e armatës kriminale serbe. Sepse kështu ndodh dhe kështu do të ndodh në çdo luftë.
Kush e ka radhën pas Parisit?
Kjo është pyetje e tmerrshme që godet njerëzimin dhe forcat përparimtare e paqedashëse të krejt botës.
Në pritje të këtij ankthi, përditë pësojnë sirianët, afganët nga të dyja frontet, kurdët, po ashtu në të dyja frontet, irakianët shiitë e sunitë, palestinezët e të tjerë.