Për dikë ISHTE keq dhe vërtetë ISHTE keq, kur u hodhën vezët mbi kryeministrin e Kosovës dhe qeveritarët e ndryshme, E LAJM U BËNË VEZET E JO ATO QË DUHEJ TË BËHESHIN LAJM – MARRËVESHJET KOMPREMITUESE PËR SHTETIN E KOMBIN, ME ATA QË E DUAN VDEKJEN TONË SI KOMB E SI SHTET. Por duhej disi të tërhiqej vërejtja se gjera të këqija po bënin për vendin, kryeministri dhe zëvendësi i tij për Kosovën në Bruksel. Nuk mund të them se opozita zgjodhi mjetet e duhura, por qeveritarët nuk po tregojnë arsye tjera përgjegjësie e komunikimi. Është keq, se ky lajm (lajmi për marrëveshjet) që do të kenë pasoja afatgjata u heshtën e po heshtën edhe nga media e alamet drejtuesish të televizioneeve (“kombëtare”) dhe analistë, e në të njëjtën kohë merren me vezët e gazin lotsjellës në Kuvend. Njerëzit e pushtetit të katërt, ndoshta nuk po duan ta shohin buallin, ndërsa miza u bëhet jo buall por bjeshkë! Ndoshta kanë frikë, ndonëse frika nuk prodhon në asnjë formë progresi, por as nder e dinjitet njerëzor e kombëtar, për as një njeri. Ndonjëri bën thirrje për veprimin e shtetit, të shtetit që jo pak herë e kanë sharë deri më tani dhe në forma të ndryshme e kanë ndihmuar ketë degradim?! Kërkojnë veprimin e shtetit demokratikë apo tiranik, tani nuk po i kuptoj? Apo janë mësuar me tirani totalitare! Po ishte keq, bile shumë keq, se u hedhen bombola gazi lotsjellës në Kuvend. Pse? Sepse e heshtën HUMBJEN E GATI 10.000 HEKTARËVE NË KUFIRIN ME MALIN E ZI, se pak toka paskemi humbur deri më tani në raport me fqinjët. Po si duket dikush e ka kujtesën e mizës! Ata po e shohin tymin që zhduket brenda minutash ndërsa 10.000 hektarët e humbur po u bëhen fluskë sapuni para syve te mbyllur vetëvullnetshëm?! Veç kësaj ne, ende nuk e dimë dhe as që po dëshirojmë ta dimë edhe sa mijëra hektarë do të humbasim me demarkacionin që duhet të bëjmë me Serbinë, madje nuk e dimë edhe sa marrëveshje tjera të dëmshme do të bëjmë në Bruksel me të tilla qeveritar nga plastelina?. Plastelina më të huajt, kapës e denigrues të të gjitha institucioneve të shtetit që i kanë personalizuar, privatizuar e degraduar deri në maksimum, e më shumë se trimoshë me opozitën dhe rininë që edhe ashtu ia kanë vrarë ardhmërinë. Sipas kësaj “logjike”, po ishte mirë, pse alamet ish “Komandantesh” të ulur në të djathtë e mes sallës se Kuvendit arritën që në sallë të improvizuar të Kuvendit, te pranojnë copëzimin e Republikës, janë bërë si paraardhësit e tyre të Autonomisë Socialiste të Kosovës, që brenda të njëjtës ndërtesë ia hoqën autonominë Kosovës?! Te cilëve nuk u vinte marre të thoshin se Kosova nuk po humbiste asgjë, kur kishte humbur shumëçka! Të njëjtin avaz po e dëgjojmë edhe tani! Po është “keq” për disa frikacakë, pse opozita e bashkuar i kundërshton me vendosmëri edhe duke u ndeshur me interesat private te tiranëve të ri që bëjnë pazare në dëm të shtetit, me Vuciqin e vuciqët. Po është keq, se aktivistë të partive opozitare po gjuajnë gurë e gjëra të tjera pa ndonjë kontroll, e po e “ndihmojnë” heshtjen tiranike të krerëve te koalicionit qeverisës, të cilët institucionet e shtetin nuk po i përdorin për mbrojtjen e Republikës, por për interesat e veta private dhe për përndjekjen e deputetëve që janë vënë në mbrojtje të interesit kombëtar. Këto institucione private te Ises & Hashimit, kanë pushuar moti kohë që të jenë institucione te Republikës! Ata vrajnë e kthjellin mbi secilin institucion të shtetit, si t’ua donë qejfi! Se askush nuk po ua prish tymin e duhanit për dëmet e shumta që po ia shkaktojnë vendit. Te përfundojmë, këta qeveritarë që sa kohë kanë konfirmuar se, nuk kanë gatishmëri të vendosin komunikim normal në shoqërinë tonë. Për ketë fakt, këta duhet të izolohen nga institucionet euroatlantike, nga përfaqësuesit e tyre, pasi këta qeveritarë në asnjë formë nuk përfaqësojnë vlera demokratike dhe evropiane. Pasi vlerë evropiane është toleranca, bisedimet, debati, kultura e komunikimit dhe marrëveshja. Pra, nuk janë vlerë as kombëtare e as evropiane, tirania e numrave dhe burgosja e deputetëve për veprime politike në Kuvend e as ndonjë formë tjetër e dhunës, ngado që përdoret ajo. Duhet t’ia themi një Jo të madhe sulmit mbi policët dhe pasurinë publike!Ata janë në detyrën e tyre ligjore e kushtetuese. Ngjarjet e djeshme e shtrojnë domosdoshmërinë për uljen e gjakrave dhe veprimin me koka të ftohura e zemra të ngrohta për të krijuar një urë komunikimi pozitë – opozitë, ketë po e kërkojnë qytetarët tanë, kjo u duhet fëmijëve tanë? Dhe kjo është në duart e koalicionit qeverisës, që duhet të heq dorë nga dhuna policore dhe marrëveshjet e dëmshme, tepër të dëmshme për vendin. Shpresoj që të fitojë arsyeja dhe urtia njerëzore! Po, Kombi e pret ketë të mirë!
Jakup Krasniqi: A duhet të ndjehemi mirë të gjithë, apo vetëm serbët?
Wolfgang Petrisch, tani si kryetari i Fondacionit Marshal në Austri, për mediet serbe paska thënë se”, “përparimi i Kosovës varet edhe nga ajo se si ndihen pjesëtarët e bashkësisë serbe”. Nuk e di sesa kjo që u shkrua sot në Portalet tona ( të marrë nga Tanjugu) është e saktë, por kjo kështu siç është thënë, kërkon një përgjigje. Kjo që e thotë Petriqi se “përparimi i Kosovës varet nga ajo sesi ndihen pjesëtarët e bashkësisë serbe”, nuk e di sa një njohës i situatës politike në rajonin tonë, gjë që nuk ia mohoj ketë Petriqit, do ta lidhte “përparimin e Kosovës” me atë sesa “serbet do të ndiheshin mirë” në Republikën e Kosovës, kur nw ketë komunitet ndikimi i politikës se Beogradit është i madh? Ndoshta dëshmia më e freskët është fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por kjo nuk është ma kryesorja.
Nga ajo që kemi parë deri më sot, serbët (te nxitur nga Beogradi) nuk po ndihen mirë në Republikën e Kosovës?! Këtu natyrshëm do të shtrohej pyetja: në hapësirën tonë të quajtur Ballkan, pjesë e Evropës gjithsesi, a duhet të ndihen mirë të gjithë dhe çka do të thoshte dhe si do ta kuptonin pjesëtarët e kombeve e minoriteteve tjera veç serbëve, me ketë: “të ndjehen mirë”. Madje pse edhe të tjerët mos të “ndihen mirë” në Serbi? P.sh., pse mos të “ndiheshin mirë”, shqiptarët në Serbi, në Maqedoni dhe në shtetet tjera fqinje. Madje po të pyetshin shqiptarët në Serbi e Maqedoni: “kur do të ndiheshin mirë”? Ata do të përgjigjeshin: “Do të ndihemi mirë në Shqipërinë e bashkuar”. Por kjo dëshirë u është kufizuar në dokumentin që ka derivuar nga bisedimet e Vjenë, i cili ka qenë një kompromis për tu “ndier mirë” gjithë qytetarët e Kosovës pa asnjë përjashtim.
Wolfgang Petrich është njëri nga personalitetet evropiane që ka pasur angazhime në rajonin tonë në këto 20 vjetet e fundit, ndoshta edhe më herët dhe e ka pasur një rol të rëndësishme pothuajse në të gjitha proceset që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe në rajonin tonë. Pa asnjë dyshim, kam pasur e kam konsideratë të larta për angazhimet e tij për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë, për mua që nga vera/vjeshta e vitit 1998 e në vazhdim dhe ruaj kujtime shumë të mira. Jam i bindur se zoti Petrich e din se Bisedimet gati dy vjeçare që janë zhvilluar në Vjenë, ku edhe vendi i tij kishte një rol të rëndësishëm (Zoti Rohan ishte zëvendës i Presidentit Ahtisari), kishin qëllim që pas pavarësisë së Kosovës, serbët e Kosovës të ndjeheshin mirë. Dhe i gjithë ai proces i gjatë dhe i mundimshëm, qëllim parësor kishte krijimin e një ambienti të tillë në Kosovë, që serbët e Kosovës të ndiheshin mirë. Pastaj nuk ka asnjë dyshim se pala e Kosovës në ato bisedime kishte bërë një kompromis të dhimbshëm dhe vetëm e vetëm që minoriteti serb në Kosovë të “ndihej mirë”. Ketë e tregon fare mirë edhe Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës, i cili mbi 80% të tij merrej me akomodimin dinjitoz të komunitetit serb, sa në shumë raste u harruan komunitetet tjera, përfshirë edhe shqiptarët si shumicë absolute në Kosovë. Natyrisht që ai kompromis u bë për Pavarësinë e Mbikëqyrur dhe në masë të madhe ia ka vlejtur.
Kam bindje e besim se zoti Petrich i dinë shumë mirë, standardet evropiane që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e komuniteteve pakicë. Konsideroj që e dinë edhe faktin, se pakica serbe që nuk përbënë më shumë se 5% te popullsisë së Kosovës, me Kushtetutë e ligjet e Kosovës, kanë të drejta më të mëdha se secili komunitet pakicë në Evropë. Madje kanë më shumë se edhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë edhe pse ata atje e përbëjnë më shumë se 30% te popullsisë. Nuk kam asnjë dyshim se edhe ata nuk “ndihen mirë” me pozicionin që kanë. Ndoshta do të duhej që të kërkonte nga Serbia që edhe shqiptarët atje të “ndiheshin mirë”. E vërteta është se ata nuk ndjehen mirë.
Pa dyshim që është krejt normale që qytetarët serbë në Kosovë të “ndihen mirë”, ashtu si do të duhej të “ndihet mirë” çdo qytetarë i Republikës sonë. Unë dyshoj dhe dyshoj shumë se mund të “ndihen mirë” shumica e qytetarëve të Kosovës përfshirë dhe komunitetet tjera pakicë, që mundësin për t’u “ndjerë mirë” të kanë vetëm komuniteti serb, të cilët (një masë kriminale e nxitur e të paguar nga Beogradi zyrtar) ma arrogancë po e rrezikojnë stabilitetin që 16 vite?! Pasi kërkesa e tyre për tu “ndjerë mirë”, shkon tepër larg dhe ketë e dinë mirë Ambasadori W Petrich. Ne qytetarët e Kosovës dëshirojmë që të “ndjehemi mirë” e të barabartë në çdo segment të jetës, pra të ndjehemi mirë pa privilegje. Pasi aty ku ka të privilegjuar, domosdo ekzistojnë edhe të diskriminuarit! Historia e këtij rajoni jo pak herë e ka konfirmuar ketë! Shkurt, duhet të ndjehemi mirë të gjithë dhe jo vetëm në Kosovë!
Krejt në fund, mund të shtrohet edhe një pyetje: Ata që kanë qenë me dekada të privilegjuar ne një njësi federative, te cilën për t’i ruajtur privilegjet i shkaktuan katër luftëra, a mund të “ndihen mirë” duke qenë të barabartë me të tjerët? Dhe sa mund të jetë kërkesë vetëm që të “ndjehen mirë”?! Prandaj unë nuk mund të besoj që “progresi në Kosovë mund të matet me atë sesa do të ndjeheshin mirë serbët”?!