Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot e ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarë, për këtë vit. Në këtë takim, kryetari Begaj, e ka prezantuar para qytetarëve punën njëvjeçare të qeverisë komunale në Malishevë, si dhe është përgjigjur në pyetjet që i kanë parashtruar të pranishmit.
Fillimisht kryetari Begaj, i ka paraqitur investimet e bëra, duke filluar me investimet në bujqësi, me dhënien e 39 serra, 74 makina mjelëse, 165 motokultivator, përkrahja me mjete konkretizuese për 153 bletarë, pastaj 80 makina për shpërndarjen e plehut kimik, 20 makina për mbjelljen e misrit dhe furnizimi me lopë qumështore për 80 fermer. Po ashtu shumë shpejt do të furnizohen me makina spërkatëse 350 fermer, pastaj 40 të tjerë do të furnizohen me makina për mbjelljen e grurit dhe 40 të tjerë me makina spërkatëse 400 litra, dhe 10 fermerëve do t’iu ndërtohen stalla.
Më pas, kryetari Begaj ka vazhduar me prezantimin e investimeve në fushën e arsimit, duke filluar me renovime të shkollave, rrethojave, pastaj objekte të reja shkollore, si në Llazicë, Bubavec dhe aneksi i gjimnazit, në Bardh dhe në Lladrovc, si dhe vënia e gurëthemelit të shkollës në Panorc, si dhe me ndarjen e bursave për studentë dhe ndërtimi i fushave të sportit nëpër shkolla
Gjithashtu kryetari Begaj, i prezantoi edhe furnizimet dhe i investimet në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, siç janë masat për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo, autoambulancat, shërbimet shëndetësore shtëpiake, pastaj ndërtimin e pesë shtëpive për familjet në nevojë dhe të tjera.
Edhe në fushën e shërbimeve publike, u prezantuan mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve, pastaj rregullimi i ndriçimit në Dragobil, Astrazup, Marali, në një pjesë të Banjës, në Kijevë dhe në Malishevë. Në këtë fushë u njoftuan edhe me sigurimin e transportit për nxënësit me kushte të rënda socio-ekonomike.
Sa i përket investimeve në infrastrukturë, u tha se këtë vit, deri më tani janë ndërtuar 30.390 km sistem i kanalizimeve nëpër vendbanime, pastaj 19.810 km rrugë të asfaltuara, 14.650 km trotuare. Po ashtu u njoftuan edhe me investimet nga niveli qendrorë, si fillimi i ndërtimit të rrugës transite për Malishevën, fillimi i ndërtimit të Qendrës së Banimit Social, rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, e së shpejti pritet edhe fillimi i ndërtimit të inkubatorit të biznesit.
Edhe në fushën e kulturës, rinisë deh sportit, gjithashtu ka pasur investime dhe aktivitete me rëndësi, si ndërtimi i stadiumit për qytetin e Malishevës, pastaj vazhdimi i organizimit të festivalit folklorik “Oda e Llapushës” dhe shumë aktivitete të tjera.
Në fund, kryetari Begaj, është përgjigjur në pyetjet e drejtuara nga të pranishmit, si dhe i ka dëgjuar edhe vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.