Ekipi i Bechtel-Enka-s për Autostradën e Kosovës, Rruga 6 ka vendosur sot traun e fundit në urën e fundit të Rrugës 6, Autostrada Arbër Xhaferri.
Ura e Luginës së Lepencit është ura më e gjatë ndër 19 urat përgjatë Autostradës së Kosovës, me gjatësi pothuajse 6 km. Njoftimi i sotëm shënon një moment historik për autostradën prej 65 km nga Prishtina në kufirin me Maqedoninë, që do t’i hapë rrugë rritjes ekonomike dhe do të krijojë një lidhje më të mirë në rajon.
“Ky është një moment historik i rëndësishëm për ekipin tonë dhe ne jemi të kënaqur që gjendemi këtu sot, duke festuar këtë arritje me Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj dhe ekipin e tij,” tha Drejtori i Projektit Riyadh AlKhazraji. “Tani jemi në pjesën e fundit të këtij projekti të jashtezakonshem që do të përmirësojë rrjetin e transportit të Kosovës dhe lidhjet me fqinjët e saj, si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë lokale.”
Ura e Luginës së Lepencit përbëhet nga 1,414 trarë dhe arrin gjatësinë 5,814 metra. Ajo është struktura më e ndërlikuar dhe teknikisht sfiduese e autostradës.
Gjatë dimrit të ftohtë dhe të lagësht, punëtorët do të përqëndrohen në të gjitha punët e kërkuara përpara sezonit të thatë, kur mund të kryhen punimet e asfaltimit dhe përfunduese, me qëllim që Autostrada Arbër Xhaferri të hapet për përdorim publik në mënyrë të sigurtë.
Kjo është autostrada e dytë që ekipi i Bechtel-Enka ka ndërtuar në Kosovë. I pari, Rruga 7, që shkon nga Morina në kufirin shqiptar deri në veri të Prishtinës, fitoi Çmimin Projekti më i Mirë Botëror (Global Best Projects Award) të revistës ENR, si dhe Çmimin e Menaxhimit të Programit në Çmimet e Arritjeve Rrugore Botërore të Federatës Ndërkombëtare Rrugore.
Të dy kompanitë kanë kryer me sukses një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore në rajon, duke përfshirë autostradat në Shqipëri, Kroaci dhe Turqi. Ata kanë përfunduar më shumë se 17.000 milje (më shumë se 28.000 kilometra) autostrada dhe rrugë, 100 tunele me gjatësi totale prej rreth 220 miljesh (rreth 350 k), dhe 25 projekte të mëdha për ura.