Bardhyl Mahmuti: Heroi i Milosheviqit, Dikoviq, kthehet në vendin e krimit

Sintagma e njohur që tërheq vërejtjen se shpesh ndodh që «krimineli kthehet në vendin e krimit» ka për qëllim të mobilizojë ata që janë të thirrur për përndjekjen e kriminelëve. Mirëpo, në rastin kur krimi i kryer është gjenocidi atëherë  është obligim i mbarë njerëzimit që të bëjë përndjekjen e kriminelëve. 


 


Kosova, e cila përjetoi krimin e gjenocidit serb, është shndërruar në shembull ku kriminelët, në mënyrë të pandëshkueshme,  kthehen për t’u tallur me  popullin shqiptar të Kosovës dhe me tërë komunitetin ndërkombëtar.


 


Vizita e paralajmëruar e Lubiša Diković-it, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, është shembulli më i ri që dëshmon për mosndëshkimin e kriminelëve të cilët kryen krimet më të shëmtuara në Kosovë.


 


Meqenëse  propaganda që synon fshehjen e kriminelëve të vërtete  ia atribuon “paramilitarëve serbë” krimet e kryera në Kosovë dhe konsiston se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it” po sjell për lexuesin shqiptar disa fakte që do t’i mundësojnë të ketë kujdes sidomos me përdorimin e termit “paramilitarë”.


 


Secilit lexues që i intereson të dijë hollësira më të mëdha rreth kësaj çështjeje i sugjeroj të lexojë materialin e përgatitur nga Organizata Joqeveritare serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare të titulluar «Dosja e Lubiša Diković-it». Ky material i kushtohet krimeve të «Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave» dhe zhvesh më së miri pretendimin për “elementet e pakontrolluara” që bënë krime në Kosovë.


 


Fjala është për Brigadën e 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave që ishte e stacionuar në Raška dhe ishte nën komandën e Lubiša Diković-it. Disa njësi luftarake të kësaj brigade ishin të pranishme në Kosovë që nga maji i vitit 1998.


 


“Para se këto njësi të dërgoheshin në Kosovë, shumë oficerë ushtarakë të Brigadës 37, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i, kanë rekrutuar dhe trajnuar grupe kriminelësh.


 


Me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Nënkoloneli serb Stoišić-i i pajisi me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime, dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i. Pas trajnimit, në muajin korrik të 1998, ata u dërguan në Kosovë. Këto janë vetë disa nga faktet e shumta që trajtohen në librin tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» që hedhin poshtë përdorimin e gabueshëm të shprehjes “paramilitarët serbë” sepse përmes kësaj shprehje përpiqet fshehja e implikimit të drejtpërdrejt të shtetit serb në përgatitjen, ekzekutimin dhe fshehjen e krimit të gjenocidit në Kosovë. Fatkeqësisht, edhe nga një numër shqiptarësh që shkruajnë për këto çështje përdoret në mënyrë të pavetëdijshme për implikimet e kësaj shprehje që “shfajëson” shtetin serb. 


 


Më 7 mars 1999, disa ditë para se të përmbylleshin bisedimet e filluara në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouillet-së, Brigada 37 u transferua tërësisht në Kosovë. Kjo brigadë vepronte si mbështetje zjarri për futjen e njësive ushtarake dhe policore në fshatrat shqiptare ku kryheshin vrasje masive të civilëve shqiptarë, plaçkitje dhe asgjësime pronash.


 


Transferimi i tërësishëm i kësaj Brigade nga Raška në Kosovë ishte tregues për qëndrimin e regjimit të Beogradit për të vazhduar logjikën e luftës dhe realizimin e planit të gjenocidit në Kosovë.


 


Në të njëjtën mënyrë siç vepronin brigadat tjera të Ushtrisë Serbe, edhe Brigada 37 i fillonte operacionet në orët e hershme të mëngjesit, granatimet me tërë arsenalin e armatimit që posedonin, hyrjen në grupe të vogla ushtarësh dhe policësh në shtëpitë e shqiptarëve, bastisjet, plaçkitjet, keqtrajtimet, nxjerrjen e fshatarëve të mbijetuar nga shtëpitë e tyre, seleksionimin e njerëzve të cilët duhet të vriteshin dhe të atyre që do të dëboheshin nga Kosova.


 


Në këtë shkrim po sjell vetëm disa nga rastet e përshkruara në Dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare.


 


Po përmend rastin e fshatit Kozhicë. Në shtëpinë e Abedin Durmishit, banor i këtij fshati, forcat serbe ngujuan 115 vajza të reja, gra, fëmijë dhe plaka. Në katin përdhes i mbyllën 31 femra dhe fëmijë. Pastaj sollën edhe 88 fëmijë shqiptarë, 28 prej të cilëve i mbyllën në katin përdhes ndërsa 60 në katin e dytë. Pastaj, u seleksionuan 27 gra dhe fëmijë dhe u dërguan në fshatin Qirez. Disa prej grave ishin shtatzëna (4 muajsh-8 muajsh). Këto gra u dhunuan, u keqtrajtuan seksualisht dhe në fund u vranë.


 


Pesë vajza të reja: Zahide Xhema (19 vjeçare), Lumnie Zymberi (20 vjeçare) Antigona Dibrani (20 vjeçare), Bukurie Dibrani (20 vjeçare) Mirishahe Dibrani (17 vjeçare) dhe tri gra: Miradije Dibrani, Tahire Shllaku dhe Fahrije Ademi u hodhën në tri bunarët e fshatit Qirez. Kufomat e tyre u zbuluan në muajin korrik të vitit 1999.


 


Fondi për të Drejtën Humanitare në faqet 5-8 të Dosjes për Ljubiša Diković-in sjell detajet për ekzekutimin e 250 civilëve shqiptarë, prej të cilëve 25 ishin të mitur. Nga 25 të miturit e ekzekutuar, emrat e të cilëve publikohen në faqen 8 të kësaj dosje, 24 kufoma u gjetën, ndërsa kufoma e Nuredin Dvoranit, i lindur më 28 maj 1982, nuk u gjet dhe ende konsiderohet i zhdukur.


 


Në fshatin Vërboc, i njëjti skenar. Bombardime që në orët e hershme të mëngjesit. Fshatarët e tmerruar u përpoqën të fshiheshin në pyllin afër fshatit. Pasi depërtuan në fshat, policia dhe ushtria serbe vazhduan përgjatë ditës kërkimet në pyll. Që t’ua pamundësonin qëndrimin në pyll ata i vunë zjarrin pyllit dhe ekzekutuan çdo person që gjetën. Gjithsej 92 civilë shqiptarë të këtij fshati u vranë. Në fshatrat Dashec, Baks, Çikatovë e Vjetër dhe Izbicë i njëjti skenar.


 


Lubiša Diković-i ishte përgjegjës për këto akte gjenocidare sepse ishte komandues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në aksione. Krahas implikimit në vrasje, ky komandant i Ushtrisë serbe ishte edhe përfitues nga plaçkitja e pasurisë së shqiptarëve të Kosovës. Në dosjen për krimet e Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave përmendet se nga “mijëra mjete automobilistike, autobusë, kamionë, traktorë që u ishin plaçkitur shqiptarëve të Kosovës dhe që ishin shitur në Novi Pazar dhe në Raška, Lubiša Diković-i kishte përvetësuar një Landrover të shtrenjtë amerikan, një Mercedes 300 dhe u bë pronar i mijëra krerëve të kafshëve që u ishin plaçkitur fshatarëve shqiptarë.


 


Pas tërheqjes nga Kosova, më 16 qershor 1999 Slobodan Milošević-i e dekoroi Lubiša Diković-in me dekoratën Heroi i popullit. Ndërsa më 12 dhjetor 2011 Kryetari i Republikës së Serbisë, Boris Tadić-i, e emëroi Lubiša Diković-in në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe. Presidenti serb, Boris Tadić-i, që konsiderohej nga Dick Marty dhe «negacionistët» e gjenocidit në Kosovë si të ishte “demokrat”, nuk gjeti asnjë ushtarak tjetër serb për ta caktuar në krye të Ushtrisë serbe, pos kriminelit Lubiša Diković-it! Ky ishte një mesazh i qartë se strukturat e reja të pushtetit në Serbi veprojnë me mentalitetin e vjetër dhe janë tërësisht të implikuar në fshehjen dhe mohimin e gjenocidit që ky shtet aplikoi kundër shqiptarëve të Kosovës.


 


Në pjesën e mësipërme përmenda dosjen e krimeve të shkaktuara në zonën ku operonte Brigada 125 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave. Vetëm në komunat e vogla të Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës, Zubin Potokut, Skenderajt, Vushtrrisë, Klinës, Istogut dhe Deçanit u vranë 1813 civilë shqiptarë ndërsa 216 ende konsiderohen të zhdukur. Në mesin e të vrarëve 236 ishin fëmijë ndërsa 327 ishin femra.


 


Në dosjen e krimeve të kësaj Brigade, lexuesi mund të njihet me vrasjet masive në fshatin Oshlan, Dubravë, Obri, Skenderaj, Lubeniq, Krelan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq.


 


Asnjë pjesëtar i Brigadës 125 nuk është përgjigjur për krimet që kanë kryer personalisht e as për shkak të përgjegjësisë komanduese. Në faqet 6-7 të kësaj dosje, Fondi për të Drejtën Humanitare publikon emrat e kuadrit komandues të Brigadës 125 që ishin përgjegjës për krimet.


 


Siç e përmenda më lart, Brigada e 37-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, që operonte në Kosovë që nga viti 1998, më 7 mars 1999 u transferua tërësisht nga Raška në Kosovë dhe qëndroi deri në fund të luftës. Pas përfundimit të luftës, kjo brigadë u kthye në Raška duke lënë pas vetes krimet më të përbindshme dhe duke u munduar t’i fshehë gjurmët e tyre.


 


Cili do të jetë rezultati përfundimtar i hulumtimeve të ekipeve mjekoligjore mbetet të shihet. Ajo që mund të thuhet pa asnjë mëdyshje ka të bëjë me faktin se pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, mijëra familje shqiptare jetojnë në ankth të përditshëm për fatin e anëtarëve të familjeve të tyre, të zhdukur gjatë luftës.


 


Në vend të përgjegjësisë për krimet e bëra në Kosovë, komandanti i atëhershëm i kësaj brigade, Lubiša Diković-i, u shpall hero i popullit nga Slobodan Milošević-i. Edhe pas përmbysjes së regjimit të Slobodan Milošević-it, ky komandant nuk dha përgjegjësi penale as për implikimin e tij në vrasje e as për fshehjen e gjurmëve të krimit. Përkundrazi, ai u ngrit pandërprerë në karrierën ushtarake dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, ky hero i Milošević-it, u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe! Shpërblimin me funksionin më të lartë ushtarak ia dha presidenti “demokrat” i Serbisë, Boris Tadić-i!


 


Përmes “transferimeve të kuadrove” nga një drejtori në tjetrën, nga një sektor në tjetrin, nga një detashment në tjetrin dhe nga një ministri në tjetrën, kriminelët e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve sekrete serbe arritën t’i ruajnë strukturat e regjimit të vjetër dhe t’i paraqesin si rezultat i “ndryshimeve pozitive në Beograd”.


 


Avancimet e shumta të kuadrove ushtarake, policore dhe të Shërbimit Sekret Serb që kishin kryer krimet më të përbindshme në Kosovë dëshmojnë të kundërtën e pretendimeve se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it!”.


Në këto momente në qytetin Raška, aty ku u tërhoqën forcat e armatosura serbe të komanduara nga Lubiša Diković-i, pa prezencën e ekspertëve shqiptar, vazhdojnë hulumtimet për identifikimin e kufomave shqiptare! Lubiša Diković-i me përbuzje ndaj krimeve të kryera kthehet në vendin e krimit. Indiferenca ndërkombëtare dhe pafuqia e institucioneve të Kosovës për të çuar drejtësinë në vend të bëjnë të klithësh sa të shposh kupën e qiellit. Në vend të Lubiša Diković-it, Slobodan Stoišić-it ,Miodrag Đorđević-it Goran Radosavljević Gurit dhe kriminelëve të tjerë që kryen dhe komanduan krimin e gjenocidit në Kosovë dënohen, pa asnjë fakt, Sulejman Selimi, Sami Lushtaku, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku… Në vend të kriminelëve të vërtetë që kryen krimet në Kosovë Gjykata e Apelit e Kosovës vendos që Rrustem Mustafa-REMI, Latif Gashi dhe Nazif Mustafa të vuajnë dënimet me burg… Në vend që të sillen para drejtësisë kriminelët e «Dosjes Diković» dhe tërë zinxhiri komandues që kreu gjenocidin në Kosovë Gjykata Speciale sajon dosjet kundër luftëtarëve të lirisë…E TMERRSHME!!!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …