Gazi lotsjellës i cili plaste në një sallë me rreth 150 njerëz ikte për më pak se gjysëm ore, ndërsa instalimi i ‘Zajednicës’ do t’iu mbetet dy milionë njerëzve për dekada të tëra. Më mirë ta bllokojmë përkohësisht Kuvendin me gaz lotsjellës sesa të na bllokohet përjetësisht Republika me ‘Zajednicën’ e Serbisë.
Duke iu falenderuar opozitës së bashkuar, gazi e spreji lotsjellës nuk hedhen më vetëm kundër të varfërve dhe rinisë kosovare nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe kundër qeveritarëve të pasur dhe deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Kur goditej me gaz e sprej qytetari në protestë, kjo gjë fare nuk problematizohej dhe asnjëherë nuk quhej dhunë. Tash që atë e përjetuan njerëzit e regjimit në Kuvend, përnjëherë gazi e spreji lotsjellës na u bënë dhunë e rrezikshme, armë kimike, helm toksik e çka jo tjetër.
Gazi lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës që s’po arrin të fillojë, nuk është armë por municion. Armë është protesta e opozitës së bashkuar e cila e ka për municion gazin dhe sprejin lotsjellës të cilin Policia e Kosovës na e dhuron nëpër protestat tona. Tentimet maratonike për seanca Kuvendi po bëhen duke shpresuar që deputetëve të opozitës së bashkuar do t’iu soset municioni. Kot e kanë. Policia nuk na lë neve pa municion.
Në Kuvendin e Kosovës ne kemi përdorur forcë proporcionale kundër qeveritarëve dhe deputetëve të rebeluar kundër Republikës së Kosovës. Asnjë gaz lotsjellës më shumë sesa që ishte e nevojshme nuk e kemi ndezur në ato tentim seanca. Vetëm aq sa e pamundësonte fillimin e mbledhjeve plenare të cilat do ta normalizonin ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokave tona Malit të Zi (thua se asgjë nuk ngjau me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit).
Është policia e Kosovës ajo që përdor forcë të tepruar mbi protestuesit, jo ne mbi qeveritarët. Vetëm në njërin rast ne nuk përdorëm forcë proporcionale. E kam fjalën për situatën kur disa dhjetëra policë kishin zënë shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin në Kuvendin e Kosovës duke penguar kështu lirinë e lëvizjes së deputetëve. Forca ynë nuk ishte proporcionale sepse policët kishin vënë gaz maskat dhe ne nuk patëm mjaftueshëm sprej lotsjellës për ta. Për pasojë, ne nuk arritëm t’i largojmë ata policë dhe shkallët mbetën të bllokuara.
Mund të thuhet që Kosova sot nuk ka më Kuvend, sepse s’po funksionon ai për shkak të opozitës së bashkuar që proteston aty. Mirëpo, në një tjetër rrafsh, pikërisht tash ka Kuvend shteti i Kosovës, sepse aty po mbrohet Republika jonë nga ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e 9.000 hektarëve Malit të Zi. Në këtë kuptim më thelbësor, shteti i Kosovës nuk ka qeveri porse ka opozitë. Sepse duke mos pasur qeveri të saj, Kosovës ia merr Mali i Zi tokën kurse Serbia ia shton ‘Zajednicën’.
Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në qeveri dhe në sistem në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur. Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune.
Policia e regjimit me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndan qytetarët nga sheshi kryesor i republikës. Opozita e bashkuar me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndanë nga Kuvendi qeveritarët e ‘Zajednicës’. Çka ka të paqartë këtu? Gazi e spreji lotsjellës, shkaktojnë lotë, porse ato edhe e hapin shikimin sepse qartësojnë syrin dhe pamjen.
Spreji lotsjellës është i domosdoshëm për ta sjellur frymën e republikës në vendin tonë. Kur të godet spreji lotsjellës të vështirësohet frymëmarrja, të djegin sytë e të skuqet lëkura. Të gjithë ne protestuesit e dimë moti këtë gjë. Mirëpo tash këtë po e mësojnë edhe njerëzit e regjimit. Pa sprejin lotsjellës, nuk u hapen sytë qeveritarëve dhe deputetëve të tyre, nuk u skuqet fytyra, dhe, nuk merr dot frymë republika jonë. Spreji e gazi lotsjellës të detyrojnë t’i mbyllësh sytë, të mendosh pak para se t’i hapësh sytë sërish, të lotosh jo pak që të mund t’i hapësh sytë, dhe, pasi të arrish që më në fund t’i hapësh sytë, gjërat duken shumë më qartë mandej.
Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve.
Gazi e spreji ynë lotsjellës po e paralajmërojnë barazinë në shtet. Para gazit e sprejit lotsjellës duhet të jemi të gjithë të barabartë: si qytetari, si polici, si qeveritari, si deputeti. E jo dikush të jetë mbi sprejin lotsjellës e dikush nën sprejin lotsjellës, apo jo? Barazia para sprejit lotsjellës është parakusht për barazinë në republikë. Sepse shteti i kapur s’mund të jetë republikë.
24 nëntor 2015