Gashi, programet e edukimit jo formal, alternativë e avancimit në karrierë për të rinjtë

Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, respektivisht Divizionit për Promovim, Edukim Jo-formal dhe Punësim të Departamentit të Rinisë, u mbajt takimi me karakter informues për Planin e Punës 2019-2020 me qëllim të angazhimit të partnerëve aktual dhe potencial të Ministrisë në zhvillimin dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për vitet 2019-2020. Gjatë këtij takimi, u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin Ilira dhe kolegjin Riinvest. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në këtë takim tha: “Po e përmbyllim edhe një vit të shumë angazhimeve, rezultateve dhe të sukseseve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit por gjithsesi edhe një vit të sfidave dhe brengave që kanë pasur të rinjtë në Republikën e Kosovës. Padyshim që kjo Konferencë që po realizohet ka një qëllim shumë të qartë që ngërthen në vete një bashkëpunim të Ministrisë me shumë akterë, donatorë, organizata ndërkombëtare dhe shoqërinë civile”. Ai po ashtu tha se ky është një moment shumë i mirë që planet që përfshijnë edukimin joformal për vitet 2019 dhe 2020 t’i planifikojmë bashkërisht. “Sigurisht që kjo temë është shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovë por edhe në Evropë e përtej saj për faktin se të rinjtë tanë të cilët nuk ndjekin programe në shkolla dhe në Universitete të cilat janë të akredituara për programe të caktuara, e kanë mundësinë që të gjitha aftësitë e veta t’i realizojnë përmes edukimit joformal”, tha ministri Gashi. Po ashtu, duke folur për sukseset e programeve të edukimit joformal të realizuara gjatë vitit 2018 ku kanë marrë pjesë rreth 2 mijë e 700 të rinj, ministri Gashi theksoi: “Dëshirojmë që përmes projekteve që i realizojmë në kuadër të Departamentit të përfshijmë sa më shumë të rinj që jo vetëm të përfshihen si numër por edhe të përfitojnë nga këto programe të cilat do të financohen nga ky Departament. Është fat i mirë që si Ministri e kemi ngritur buxhetin për këtë departament, për mbështetjen në programet rinore dhe po ashtu kemi edhe një lansim të një programi të ri për fondin rinor i cili është në kuadër të këtij departamenti”. Ministri Gashi, pasi përmendi edhe lidhjen e kontratave me 70 ndërmarrës të rinj, përgëzoi Departamentin e Rinisë, veçanërisht Sektorin e Edukimit Joformal që siç tha ai ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë gjatë vitit që po e lëmë pas. Gjithashtu, nga Udhëheqësi i Divizionit për Promovim, Edukim Jo-formal dhe Punësim, Kreshnik Xharra, u bë një prezantim përmes të cilit shpjegoi programet e planifikuara për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave te të rinjtë përmes edukimit jo-formal dhe kultivimit të vlerave duke ndërtuar qëndrime për qytetari të përgjegjshme dhe për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në programe të edukimit joformal, si rrugë alternative e avancimit në karrierë dhe përfitimit të kompetencave për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …