leoni

Nezir Myrtaj: Miku im i qelisë

28 Nëntori, Dita e Flamurit Kombëtar
Shqiptar është dita e krenarisë shqiptare, e cila përmbledh dhe sublimon
ngjarjet më të rëndësishme e më simbolike të historisë së kombit shqiptar.
Shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera jashtë kufijve të Shqipërisë së
lirë, çdo 28 Nëntor e kishin përjetuar si datën më unikate që ndez dhe rindez
ndërgjegjen e tyre kombëtare, duke rikujtuar obligimin atdhetar që secili ka për
kombin dhe atdheun e duke mobilizuar forcën shpirtërore të secilit njeri që
bashkë me qumështin e nënës ka thithur edhe aromën e atdheut të vet.

Në periudhën gati njëshekullore të
pushtimit serb në Kosovë, shqiptarët atdhedashës të saj, me sakrifica të mëdha
e kishin shënuar Ditëlindjen e Flamurit kuqezi, duke sfiduar armikun e tij, pushtuesin
e egër serb me vendosjen e tij, madje natën dhe fshehtas në rrugët e rrugicat e
qyteteve tona. Ky flamur ishte dëshmitar i besëlidhjes së bijve më të mirë të
Kosovës të cilët mbi të bënë betimin për liri. Flamuri kuqezi është i larë me gjakun
e kulluar të mijëra dëshmorëve të flijuar për lirinë e Kosovës. Atij iu përkulën
me nderim dhe prej tij morën frymëzimin atdhetar brezat e një shekulli në dejtë
e të cilëve rrodhi gjaku i pastër shqiptar.  Por, në këtë 28 Nëntor, në kryeqendrën e Kosovës
së lirë, në Prishtinë, Flamuri Kuqezi u përdhos, u fye e u shkel në mënyrën më
brutale, jo nga pushtuesi serb, por nga shqiptarët me gjak të papastër që bëjnë
argatin e tij. Nuk mund të ketë përdhosje, fyerje dhe shkelje më brutale të
flamurit tonë kombëtar sesa dhuna barbare e ushtruar mbi qytetarët shqiptarë
dhe arrestimi i shumë prej tyre siç ndodhi në ditën e kremtimit të ditëlindjes
së tij. Në këtë 28 Nëntor, në Prishtinë u shfaq fashizmi. Në këtë 28 Nëntor, në
Prishtinë u rishfaq hija e falangave kriminale të Milosheviqit e cila bllokoi
rrugët e qytetit dhe bëri zap qytetarët e tij, duke ua privuar atyre të drejtën
për ta kremtuar të gëzuar ditën e simbolit të tyre kombëtar. Policia e Kosovës
që në këtë ditë kremteje ushtroi dhunë mbi qytetarët e republikës, nuk e mbrojti
por e shëmtoi shtetin e Kosovës. Me dhunën e ushtruar në këtë 28 Nëntor ajo nuk
dëshmoi aftësinë dhe profesionalizmin e saj, por zbatoi urdhrin e pushtetarëve
me prejardhje nga policia politike e kohës së Rrahman Morinës. Me dhunën e
ushtruar në këtë 28 Nëntor ajo nuk kreu detyrën e saj shtetërore, por e tregoi pamjen
e përgjakshme të uniformës së saj. Në këtë 28 Nëntor policia e Kosovës dëshmoi
se nuk është instrument i shtetit, por kamxhik në duart e urdhërdhënësve katilë
e antishqiptarë të cilëve u ka rrëshqitur nga mendja fakti se me dhunë e terror
nuk kishte arritur ta ngulfaste përjetësisht lirinë e këtij vendi as
Milosheviqi me militarët e tij dhe të cilëve u ka ikur nga mendja edhe fati i diktatorëve
dhe diktaturave. Me demonstrimin e dhunës dhe brutalitetit ndaj qytetarëve paqësorë
të Prishtinës në këtë 28 Nëntor, policia e Kosovës dhe urdhërdhënësit e saj nuk
dëshmuan forcë e trimëri, por frikë e dobësi.

Viktimë e dhunës së këtij 28 Nëntori
ishte edhe miku im i qelisë, Sami Kurteshi. Pikërisht njëzet e pesë vjet më parë,
më 28 Nëntor 1990, mua dhe atij na ishte lëshuar vendimi për lirim nga burgu. 28
Nëntori i vitit 1990 ishte dita jonë e fundit e qëndrimit në qelinë me numër 11
të burgut numër 7 të Pozharevcit. Atë ditë kurrsesi nuk do të imagjinoja t’ia parathoja
mikut tim atë që do të mund të ngjante njëzet e pesë vjet më pas, se pikërisht
njëzet e pesë vjet më vonë, në Kosovën e lirë, në ditën e Flamurit Kuqezi, ai do
të linçohej duke u tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës, nga policët e ardhshëm
të Kosovës së lire të ëndërruar, atëherë fëmijë të sapolindur e mbase ende të
palindur të popullit për lirinë e të cilit ai me vetëmohim i kishte vuajtur mbi
shtatë vite burg! Atëherë nuk do të mund të besoja kurrë se në Kosovën e lirë të
ëndërruar do të mund ta bënin ligjin zgjatimet politike të vëna në shërbim të
kauzës serbe për paralizimin e Kosovës dhe nuk do të mund ta imagjinoja se do të
mund të zbatoheshin urdhrat e tyre nga bijtë e popullit tim të dalur nga vuajtja
e robërisë shekullore.

Atëherë nuk do ta besoja kurrë se njëzet
e pesë vjet më vonë, në Kosovën e lirë të ëndërruar, pikërisht në ditën e
Flamurit Kuqezi, do të mund ta shihnim të gjakosur siç e pamë në këtë 28 Nëntor,
edhe tjetrin mik timin të burgut, veprimtarin e palodhshëm të kauzës së lirisë
kombëtare, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe prindin e dëshmorit
të Kombit, Gani Krasniqi. Ky është turp, ky është antikombëtarizëm!

Në këtë 28 Nëntor nuk u përçmuan e
poshtëruan vetëm ata qytetarë të Prishtinës të cilët u torturuan, u dhunuan e u
arrestuan nga policia e Kosovës, por u përçmuan e u poshtëruan edhe të gjithë
brezat e veprimtarëve dhe ish të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës të
cilët u angazhuan pa kursim duke përjetuar edhe vuajtjet e burgjeve serbe për të
vetmin qëllim që Kosova njëditë të bëhej e lirë dhe populli i saj të bëhej zot
i vetvetes. Në këtë 28 Nëntor u përçmuan e u poshtëruan edhe të gjithë ish-pjesëtarët
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës së kësaj
ushtrie të cilët sakrifikuan jetën e tyre duke i dalur armikut përballë vetëm që
Kosova dhe populli i saj të çliroheshin nga prangat e robërisë. Në këtë 28 Nëntor
u përçmuan e u poshtëruan edhe dëshmorët e kombit të cilët dhanë jetën e tyre për
lirinë e Kosovës vetëm që të mos kishte më kurrë vuajtje e përçmim të popullit
të saj. Në këtë 28 Nëntor u përçmuan e u poshtëruan edhe familjet e dëshmorëve
të kombit të cilat humbën bijtë e tyre më të mirë vetëm që në Kosovë të mos
kishte më dhunë, terror e barbari. Në këtë 28 Nëntor u përçmuan e u poshtëruan
edhe të gjithë shqiptarët atdhedashës në Kosovë e kudo në trojet e tyre, të cilët
në vend që në këtë ditë të shenjtë kombëtare të mund të shihnin programet
festive të kësaj date, u detyruan t’i shihnin me shqetësim e hidhërim skenat e
dhunës së ushtruar mbi qytetarët e Prishtinës, duke përfshirë edhe fëmijët e
mitur, nga një polici e urdhëruar prej trashëguesve të policisë politike të kohës
së Rrahman Morinës dhe lojëtarëve të ekipit të përbashkët të eurofutbollit
politik Kosovë-Serbi.

Dhuna dhe brutaliteti i këtij 28 Nëntori
do të mbeten njollë e përjetshme e faqes së zezë të një pushteti të udhëhequr
nga njerëz amoralë të shndërruar në vasalë të neveritshëm të pushtuesit të
deridjeshëm. Kjo është pamja e shëmtuar dhe diktatoriale e Kosovës së sotme, për
të cilën asnjë liridashës nuk do t’i investonte mundin dhe sakrificat e veta. Këtë
pamje mund ta pëlqejnë vetëm urdhërdhënësit dhe urdhërzbatuesit e brutalitetit
të ushtruar në këtë 28 Nëntor, së bashku me bashkënegociatorët e tyre serbë dhe
gjithë kundërshtarët e kombit shqiptar. Njollën e 28 Nëntorit 2015 nuk do të
arrijë ta shpëlajë asnjë gjest katarse i urdhërdhënësve dhe urdhërzbatuesve të
dhunës së kësaj dite. Flamuri Kuqezi do të vazhdojë t’i presë e përcjellë me
krenari 28 Nëntorët e tjerë të pafund, ndërsa protagonistët e brutalitetit të
28 Nëntorit të vitit 2015 do të kundërmojnë në koshin e plehrave të historisë. Ata
do ta mbajnë mbi ballë vulën e tradhtisë kombëtare si përdhosës të Flamurit
Kuqezi dhe si nxitës të politikës antikombëtare të përçarjes e të vëllavrasjes.

 

Nezir Myrtaj, Prishtinë

Ish-i burgosur politik, veteran i Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …