Gjokë Dabaj: Rusia e sotme është armiku kryesor i NATO-s, jo ISIS-i

Më 10 dhjetor 2015 bëri një vizitë në Republikën e Shqipërisë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. U tha se takimi me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë zgjati më shumë se ç’ishte parashikuar. Ne nuk e dimë ç’u fol atje. Mund të jetë folur për gjëra më racionale. Dua të them: Mund të jetë folur për gjëra më me këmbë në tokë. Por ajo që doli në media, ishte që „ISIS-i është i rrëzikshëm për të gjithë vendet“. Kjo nënkupton, vendet anëtare të NATO-s, ose të afërt me NATO-n, sepse nuk u tha që ky ISIS është kërcënim edhe për Afrikën e Jugut, për Brazilin, për Japoninë apo për Kinën.

Qeveria shqiptare (e Republikës së Shqipërisë) doli me qëndrimin, që do të japë çdo gjë që kërkohet prej saj për luftën kundër ISIS-it.

Mirëpo, mendja e një njeriu normal shkon menjëherë te pyetja:

 

– Ç’mund të bëjë ky ISIS në vendet që i ka vënë „në shinjestër“?!

– A mund ta „zgjerojë“ „kalifatin“ e vet në Turqi, në Greqi, në Itali, në Francë, në Gjermani, në Angli, në SHBA?

 

Po e përfytyroj veten (pa të drejtë legjitime, krejt arbitrarisht) si njërin prej këshilltarëvet që mund t’i shërbejë NATO-s për të ndërtuar strategjinë dhe taktikën e vet.

 

– Ç’mund të bëjë ISIS-i në vendet që i përmenda?!

– A mund të detyrohet industria e Evropës të punojë për ISIS-in?!

– A mund të vihet në shërbim të ISIS-it arsenali ushtarak i NATO-s, për të mposhtur NATO-n, përveç kur vetë NATO-ja dëshiron t’i shesë armë ISIS-it?!

– Cila është forca IDEOLOGJIKE, sistemore, ekonomike, shtetformuese dhe botadministruese e këtij çerekshteti terroristësh, që është krijuar në një territor “të nxehtë” midis Irakut dhe Sirisë?!

 

Të vrasë civilë!!!

 

– A KJO ËSHTË FORCA E TIJ?!!!

 

– A sulmoi ISIS-i ndonjë bazë ushtarake në territorin e NATO-s?!

Ta zëmë se edhe mund të godasë papritur ndonjë repart ushtarak.

– Ç’mund të arrijë?!

– A do të mund ta asgjësonte, madje dëmtonte sado pak, NATO-n ky farë ISIS-i, që na paraqitet “më i rrëzikshmi”?!

 

Pra ISIS-i nuk i rrëzikon EKZISTENCIALISHT shtetet anëtare të NATO-s. Vret disa fëmijë e disa gra, rrënon ndonjë objekt me rëndësi historiko-muzeale, ngre aty-këtu një flamur të zi, ekzekuton bujshëm dhe frikshëm ndonjë peng, shkakton zemëratë, urrejtje, dhe kaq.

 

Duke shkaktuar zemëratë, mendja e popujvet nuk mund të mos konstatojë se burimi ideologjik i ISIS-it është DOKTRINA ISLAME. Ata çdo gjë e bëjnë “NË EMËR TË ALLAHUT”. Ti mundohu sa të duash (ose bëj sikur mundohesh) ta ndash fenomenin nga doktrina, thuaj sa të duash që “ekstremizmi” islamik s’ka të bëjë fare me thelbin e fesë islame, popujt do të gjykojnë ashtu siç gjykon, psh z. Donald Tramp dhe, në “këmbim” të fëmijëvet të krishterë, do të ndëshkohen fëmijët myslimanë. 700 fëmijë myslimanë janë mbytur në detin e Mesdheut vetëm në vitin 2015. 700 fëmijë myslimanë I KEMI LËNË, ne evropianët, të mbyten në atë det dhe nuk kemi ndezur asnjë qiri për ta!

 

Duke mos qenë ISIS-i armiku kryesor i NATO-s, atëherë nga duhej t’i drejtonte sytë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Aleance Euroatlantike në këto kohë kritike për njerëzimin?! Nuk them që ISIS-i është një armik i papërfillshëm. Nuk them që nuk duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur. Se ja, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës i burgosën nja 10 a 15 nga ata mjekroshët. Mund të burgosin edhe 1 herë aq apo 3 herë aq. Mund të çohen edhe 100 apo 200 ushtarë shqiptarë në Siri e në Irak. Por, po të jetë vetëm për kaq, kot që mburremi se jemi anëtarë “të rëndësishëm” të NATO-s.

 

ISIS-i, pra, nuk është armiku kryesor i NATO-s. Armiku kryesor i NATO-s (dhe këtë e dinë fort mirë udhëheqësit dhe komanda e asaj Aleance), është RUSIA E SOTME! Nuk them, Rusia e nesërme. Them E SOTMJA! E ka potencialin ushtarak rival me atë të NATO-s, e ka shtetin të konsoliduar, e ka industrinë, e ka mundësinë reale për t’u përballur, qoftë me Botën Perendimore (SHBA dhe BE), qoftë me ushtrinë e Botës Perendimore që e ka emrin NATO.

 

– Atëherë, kujt po ia shesin këtë iluzion Perendimorët?!

 

– Pse nuk po ua thonë aleatëvet të vet më të vegjël, po edhe popujvet të vet, këtë të vërtetë kaq të dukshme?!

– Mos po luhet ndonjë lojë mbi kurrizin e më të vegjëlvet, për t’u ruajtur, më mirë të themi, për të shtyrë edhe disa ditë, ata më të mëdhenjtë, SHBA-ja dhe BE-ja?!

 

Pyetja që unë shtroj në këto ditë, kur erdhi këtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe na trembi me një çakall, pa e përmendur fare lukuninë e ujqërvet, është kjo:

 

– Ç’po bën NATO-ja për të mbrojtur kombin shqiptar nga lakmitë sllavo-greke në një kohë kur po na thotë se armiku kryesor i yni është ISIS-i?!

– Qeverinë e Malit të Zi deshën ta përmbysin prorusët, jo pro-ISIS-ët, dhe kjo lidhet edhe me fatin e shqiptarëvet në shtetin malazias.

– Republikën e Kosovës po duan ta parcializojnë e ta dobësojnë, madje ta asgjësojnë, fqinjët sllavë, ndërkohë që ISIS-ët, thjeshtë po mundohen të gjejnë një duzinë përkrahësish dhe s’po mund të bëjnë asgjë më shumë.

– Sërbët po inskenojnë në një fshat të Republikës së Kosovës “incident me armë”, pastaj po bëjnë shtetërisht kërcënime për të “mbrojtur” bashkëkombësit.

– Kisha greke, jo më pak se islamikët, po rekruton destabilizues të kombit dhe të njërit prej shtetevet shqiptarë, duke i paguar nga 300 euro secilit. Ushtarët grekë po këndojnë përditë këngë shqiptartherëse e shqiptarmbytëse.

 

Rusia po ndërton bazë ushtarake mu në kufi me Republikën e Kosovës. Rusia e pushtoi Krimenë e NATO-s iu tha pështyma në fyt. Rusia po kërkon dhe po vepron ushtarakisht për ta copëtuar Ukrainën. Rusia po shkel hapësirën ajrore të Turqisë, që është prej dekadash anëtare e NATO-s.

Parë me të këtillë sy realistë, pyetjet që shtrohen, janë të shumta, që nga droja se mos NATO-ja nuk po di t’i shikojë e t’i vlerësojë gjërat ashtu siç janë, e deri te dyshimet e gjithfarë kurdisjevet. Por gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi:

 

– A do të na mbrojë NATO-ja ne shqiptarët kundër TË GJITHË RRËZIQEVET, apo vetëm kundër NJËRIT prej rrëziqevet?!

Serbia i rivendosi radarët në territorin e Republikës së Kosovës, aty ku i ka pasur para se NATO-ja ta bombardonte Sërbinë. Tash, shqiptarët duan të dinë:

– A po ia lëshon NATO-ja Kosovën Sërbisë, apo po llogarit për ta bombarduar edhe njëherë Sërbinë?!

Duhet të jesh krejt i pamend të besosh këtë të dytën. NATO-ja kurrë më nuk do ta bombardojë Sërbinë edhe sikur Sërbia të mos lërë këmbë shqiptari në krejt Shqipërinë. Madje NATO-ja, 80% e financuar nga SHBA-ja, s’ka për ta shkrepur kurrë, as kundër Sërbisë, as kundër Rusisë, edhe sikur sllavët pravosllavë të mos lënë këmbë evropiani në krejt Evropën.

  

 Durrës, 14 dhjetor 20

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …