Se sa shumë ka degraduar Kuvendi i Republikës së Kosovës mjafton që për ca momente të shohësh dy mbledhjet e jashtëligjshme në njërën nga skutat atje lart në ndërtesën e Kuvendit pra seancën e 14 dhe 17 dhjetorit.
Në të dyja rastet deputetët e koalicionit shtirreshin që po zhvillonin seancë plenare. Përveç të tjerash këto seanca ishin legjitimim i pazareve të Koalicionit të Rashkës.
Teksa deputetët e opozitës po qëndronin në sallën e seancave plenare në seancën e 14 dhjetorit shumica e deputetëve të koalicionit herë talleshin me njëri-tjetrin në formë adoleshenteske dhe herë kryenin rolin e robotëve duke ngritur duart lart sa herë që i kërkohej nga kreu i nëntokës Kadri Veseli. Pra pjesa dërrmuese e deputetëve të koalicionit gjithçka mund të ishin veçse jo përfaqësues të qytetarëve të Republikës.
Teksa jashtë asaj skute arrestoheshin aktivistët dhe deputetët e opozitës për shkak të veprimeve politike në mbrojtje të Republikës dhe territorit, deputetët e mazhorancës aty brenda në atë skutën e Kuvendit që mezi frymonin i kënaqnin apetitet e sëmura dhe rehatonin militantët partiakë në borde.
Si për shembull anëtarë të bordit të ZRrE u zgjodhën, Arsim Janova ish anëtar i Kryesisë së LDK-së, Besim Sejfaj ish kryetar dege i LDK-së në Deçan dhe Qemajl Mustafa ish kryetar i Komunës së Gjilanit nga radhët e PDK-së dhe kështu vazhduan me zgjedhjen e anëtarëve të tjerë nëpër borde duke shkelur me të dyja këmbët ligjet për rehatimin partiak me qëllim vijimin e avazit të njëjtë, korrupsionit.
Në po këtë seancën e 14 dhjetorit ata tentuan që të votojnë edhe 8 anëtarë të tjerë të bordit të AKP-së sepse kështu po u kërkohej nga Qeveria. Pra Isa Mustafa kërkonte që të votoheshin 8 anëtarë në bordin e AKP-së ende pa hyrë në fuqi projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për Agjencionin Kosovar të Privatizimit.
Tentimi i 14 dhjetorit u bë realitet në mbledhjen ilegale të 17 dhjetorit ku 64 deputetët e koalicionit votuan jashtëligjshëm 8 anëtarë shumë nga ta militantë partiakë. Për sa kohë flasin nëpër konferenca me zyrtarë ndërkombëtare në krah për çkapje të shtetit, këta praktikisht vazhdojnë kapjen e secilit institucion dhe secilit bord për shkak se vetëm kështu u mundësohet ta kontrollojnë paraprakisht secilin vendim dhe që secili prej tyre të jetë në favor të interesave të ngushta të tyre.
Këta njerëz që nuk kanë të ndalur duhen ndalur medoemos. Për të tashmen dhe të ardhmen.
Tallja me Kuvendin, keqpërdorimi i tij nga Qeveria e dëshmua edhe në seancat ilegale të 14 dhjetorit dhe 17 dhjetorit dhe në të dyja protagonist ishte famëkeqi, kryeuzurpatori Hashim Thaçi.
Në njërën seancë u kërkoi deputetëve se ata duhet të votojnë një deklaratë përmes së cilës dënojnë “uzurpimin e dhunshëm të Kuvendit nga opozita”. Për një moment dukej sikur ajo mbledhi të ishte mbledhje e Qeverisë apo sikur Thaçi përnjëherë u bë dhe Kryetar i Kuvendit.
Në fakt Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kohë që është uzurpuar nga Qeveria, rojet e tyre pjesëtarët e sigurisë, njerëz pa identifikim dhe jo nga opozita që po qëndron aty ku e ka vendin.
Po i njëjti në seancën e 17 dhjetorit u mundua nëpërmes Kuvendit që fajin dhe përgjegjësinë për mosdhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave t’ia lë Bashkimin Evropian duke amnistuar kështu veten dhe Qeverinë të cilëve u takon përgjegjësia kryesore për dështimet e njëpasnjëshme e sidomos nxitja në vend të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të cilin praktikisht e drejtojnë vet.
Pr fat të keq ky institucion i përfaqësimit të qytetarëve ka humbur thelbin e legjitimitetit për shkak të një Qeverie që shkelë mandatin e lirë të deputetit, nuk respekton vendimet e Kuvendit dhe e përjashton atë dhe për çështje të rëndësishme siç janë marrëveshjet e fundit dhe jo vetëm.
Por po ashtu e ka humbur legjitimitetin sepse shumë nga deputetët e këtij Kuvendi konsiderojnë se të qenit deputet është privilegj. Si të tillë shumë prej tyre e kanë veten t’i nënshtrohen presionit “kush të bëri deputet/e?”. Janë pikërisht ky lloj i deputetëve që në shumë seanca plenare as nuk i dëgjohet zëri, as nuk shfaqin qëndrime për çështjet, e madje as nuk i shfletojnë dokumentet fare. Shumë prej tyre janë të pranishëm vetëm për shkak të mëditjeve që janë më të larta se paga minimale në vend e po t’i prekësh ato të hidhen në fyt. Këtë e kemi provuar kur kemi propozuar uljen dhe reduktimet e privilegjeve të deputetëve në legjislacionin përkatës.
I kemi tanimë këto figura të deputetit, ata deputetë që nxisin dhe mbështesin uzurpimin qeveritar të vet Kuvendit dhe çdo institucioni tjetër. Ata deputetë që nuk guxojnë të bëjnë zë e parapëlqejnë të vetmashtrohen nga formulat “marrëveshjet janë në përputhje me kushtetutën”. Këto dy kategori janë shumicë në Kuvendin e Republikës tonë. Përballë tyre janë deputetët opozitarë që kanë ngritur zërin e po protestojnë që Republika mos të ndahet e Kuvendi të jetë përnjëmend përfaqësues i interesit të vendit.
Në këto kushte Kuvendi dhe vendi duhet të çlirohen nga këta lloj të deputetëve që janë në fakt zgjatim i kësaj qeverie të cilët për shkak të mbijetesës politike janë në gjendje të rrezikojnë gjithë përpjekjen çlirimtare.
Vetëm paramendojeni një situatë kur pas nënshkrimeve të 25 dhe 26 gushtit opozita të heshtte ose thjesht të kundërshtonte këto marrëveshje nëpërmjet konferencave, debateve në Kuvend e interpelancave e pyetjeve parlamentare. Këto marrëveshje shtetrrënuese tani do të ishin të jetësuara dhe harruara. Do të nxirrej dhe dekreti por do të shkruhej edhe statuti i “Zajednicës” madje pa u pyetur fare Kuvendi. Ndërsa ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi shumica e deputetëve do të votonin lehtësisht sepse kështu do u kërkohej nga shefat me formulën mashtruese “Kosova nuk humb asgjë”.
Bashkimi dhe fuqia e opozitës, guximi e konsistenca, mbështetja e vendosmëria e qytetarëve do t’i zhbëjë këto marrëveshje. Bashkë me to do të bie dhe Qeveria autoritare e cila ka arrestuar 13 deputetë e mbi 180 aktivistë e qytetarë, vetëm e vetëm për t’i ruajtur kolltukët e tyre, mbijetesën politike nëpërmjet të cilës po tentojnë të shpëtojnë prej hetimit të dengut të dosjeve të korrupsionit.