Zonja Presidente! Më vjen mirë që më në fund vendose të “flasësh” hapur, për realitetin e hidhur që e ka kapluar Kosovën. Është fakt shumë i hidhur që në Kosovën “demokratike” dhe “sovrane” po ndodhin aksione, që nuk duhet të ndodhin në tempullin e demokracisë, që ne e quajmë Kuvend dhe ku pjesëmarrës duhet të jenë përfaqësuesit e popullit, por në fakt janë përfaqësues të interesave politike. Është fakt i hidhur, po ashtu, që sipas nenit 83 të kapitullit V për Presidentin/en e Republikës së Kosovës thuhet se “Presidenti është kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës, dhe unë si qytetare e Kosovës nuk jam ndjerë e përfaruar nga ti si Presidente, e më e keqja është që ti nuk ke qenë e aftë të marrësh vendime për shumë probleme që kanë ndodhur në vend.
Rendi dhe ligji në Kosovë sfidohen qysh nga kur kohën kur kemi qenë të “aftë” për të “vetë qeverisur”, prej momentit kur ti je zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës nga një zarf, fal “mikut tonë”, ambasadorit Dell me ndihmën e ish-kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit të tanishëm, Mustafa, të cilët jo pa qëllim e kanë përkrahur këtë vendim. Rendi dhe ligji në Kosovë u shkatërruan kur në Parlament pamë atë që nuk duhej ta përjetonte Kosova e vogël dhe “demokratike”
Në atë Kuvend, të cilit iu ke drejtuar në shumë raste, por asnjëherë nuk e përfaqësove denjësisht unitetin e popullit të Republikës së Kosovës, ne nuk i gëzojmë mundësitë historike të fituara me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra për ta çuar Kosovën përpara, sepse shumë deputetë aty e shkelën atë të drejtë, ti e shkele atë të drejtë dhe si arsye Kuvendi u shndërrua në spektakël. Në këto momente kritike ne nuk kemi nevojë për një thyerje të atillë që po i bëhet Kuvendit. Në asnjë moment kritik në nuk patëm nevojë për thurje të panumërta që u bënë në Kuvend e në të gjitha institucionet e vendit dhe që po vazhdojnë të bëhen.
Kur ti pyet se a është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet, për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?
Është e mundur. Sepse ata keqpërdoren votën e qytetarëve të Kosovës që të mund të arrinin interesat e tyre personale dhe partiake. Qytetarët e shkretë, të papunë, të varfër, të diskriminuar, të zhgënjyer u besuan atyre njerëzve që në fushata zgjedhore premtuan punësim, edukim, liberalizim të vizave, zhvillim ekonomik, mbrojtje, rend dhe ligj të cilat vazhdimisht po rezultojnë të jenë vetëm premtime e asgjë më shumë.
Është e mundur të sfidohet ai shtet, kur ata njerëz, në vend që të përfaqësojnë popullin, interesin e tij, përfaqësojnë interesat private dhe partiake, interesat e “miqve tanë” të cilët shkojnë e vijnë por asnjëherë nuk kanë interes afatgjatë në vendin tonë, sepse ata nuk janë qytetarë të Kosovës. Ata vijnë për ta kryer detyrën dhe kthehen në vendin e tyre pas përfundimit të mandati. Ata, po ashtu nuk i përfaqësojnë qytetarët e popujve të vetë, por politikanët e tyre. Më e keqja është që ata po përfaqësojnë interesat e Serbisë, e cila na vrau, na shkatërroi, na dëmtoj, shpirtërisht, fizikisht, ekonomikisht. Na preu e na masakroi. Po është e mundur që deri sa këta “përfaqësues” të shtetit të na udhëheqin, ku edhe ti je pjesëmarrëse.
Ju asnjëherë nuk na mbrojte siç duhet të mbrosh qytetarët e Kosovës, interesin tonë, nuk dole kundër marrëveshjeve, të cilat do lënë pasoja brez pas brezi. Këto marrëveshje po i shkelin të gjithë ata të trima që pa frikë sakrifikuan atë që është më e shtrenjtë në botë, jetën. Këto marrëveshje shkelin të gjithë atë gjak që u derdh për ta para Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë. Shkelin sakrificat e të burgosurve politikë, të cilët u bënë ballë dhunës në burgjet serbe. Shkelin dëshirën e gjithë qytetarëve të Kosovës për të pasur një shtet, nëse jo të bashkohen më Shqipërinë.
Arsyeja pse kërkesa Juaj është refuzuar apo kushtëzuar, është sepse Ju si përfaqësuesja më e lartë e qytetarëve dhe Republikës së Kosovës nuk patët guximin që t’i kundërshtoni ata që ty të sollën në këtë pozitë, të cilës po i vjen fundi.
Nëse vërtet e ke kuptuar shqetësimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për dy marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë me vendet fqinje, atëherë pse nuk i përkrah qytetarët të cilët treguan se janë kundër këtyre marrëveshjeve, të cilët më 28 Nëntor, në Prishtinë, treguan që janë kundër këtyre marrëveshjeve të gjitha qytetet e vendit si në Gjakovë, Pejë, Prizren, Gjilan e Malisheve. Shtrohet pyetja, a i keni kuptuar vërtet shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës?
Si qytetare e Republikës së Kosovës a jeni e vetëdijshme se si po shkatërrohet Kosova nga kriminelët, tradhtaret e hajnat? A e kuptoni rrezikshmërinë e këtyre dy marrëveshjeve?
Përse gjatë këtyre viteve si Presidente e Kosovës, nuk vepruar si duhet në Kosovë, e megjithatë na përfaqësonit në të gjitha shtetet e botës e në konferenca e organizata të shumta, si një vend demokratik, me gjendje të mirë ekonomike e sociale, me rend dhe ligj, a në fakt ne jemi vend demokratik vetëm “de jure”, kemi një gjendje të rënde ekonomike, me shkallë të lartë të papunësisë, me shkallë të lartë të korrupsionit, pa rend dhe ligj.
Të gjitha praktikat që janë ndjekur nga qeveria e Kosovës, kryeministrat dhe deputetët të cilët përparësi i japin interesave të tyre dhe partiake, janë të dëmshme, aq të dëmshme sa po e dërgojnë Kosovën drejt heqjes së titullit si SHTET, DEMOKRATIK, I LIRË DHE PARLAMENTAR, ku siç thatë edhe Ju, pasojat e të cilave i vuajnë vetëm qytetarët e Kosovës, të vetmit popull që sot ju mohohet lëvizja e lirë në BE.
Lëvizja e lirë qytetarëve të Kosovës ju mohohet se në shtetin e tyre të zaptuar nga kriminelë e përfitues të rastit, nuk i kanë sjellë asnjë të mirë shtetit a në fakt janë duke e degraduar deri në atë pikë, ku Kosova e humb statusin e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Iu mohohet e drejta për lëvizje të lirë në Evropë, sepse ata që duhej t’ i përfaqësonin qytetarët janë verbëruar nga lakmia, pasuria dhe pushteti. Iu mohohet lëvizja e lirë për shkak të shumta problemeve që ata po i sjellin këtij populli, sidomos për korrupsion. Ne për korrupsion jemi më të mirët në rajon, bile edhe në Evropë. Për te gjitha këto në duhet t’ i jemi mirënjohës përfaqësueseve tanë, liderëve tanë të cilët pa asnjë pikë turpi dalin dhe gënjejnë dhe flasin marrëzira se në jetojmë në një vend shumë të zhvilluar, me ekonomi të lartë, me papunësi të vogël, me pak korrupsion e ku sundon rendi e ligji.
Po të jetonim në të vërtete në këtë shtetin imagjinarë të kryeministrit e ministrave tonë, qytetarët e Kosovës nuk do kërkonin që të largoheshin nga vendlindja e tyre, nuk do të organizonin protesta, opozita nuk do të përdorte gazë lotsjellës, qytetarët e Kosovës do të lëviznin të lirë në Evropë, pjesë e së cilës jemi me shekuj, bile jemi ndër të parët. Por ne nuk jetojmë në atë shtet imagjinarë të kryeministrit Mustafa, Zonja Jahjaga. Ne jetojmë në Kosovën e vogël, e ardhur nga një luftë e përgjakur, e sakatosur nga lufta me shpresën që do të jetojmë më mirë kur të jemi të lirë. Ne jetojmë në Kosovën ku korrupsioni s’ka kufij, ku i padituri qeveris, e i pa afti ka pozita të larta, ku njerëzit e varfër nuk kanë si ta mbrojnë familjen e tyre. Ku nuk ka meritokraci, e mendimi i lirë është i ndikuar politikisht. Ku janë pakë biznese monopole të cilat e shkatërrojnë ekonominë, ku shëndetësia nuk shërohet por përkeqësohet e si pasojë duhet të kërkojmë ndihmën e spitaleve private. Në një vend ku diploma blihet, e kur rektori tenton të bëjë reforma në universitet për ta përmirësuar gjendjen e të ardhmes së Kosovës, kërkohet të jap dorëheqje. Jetojmë në Kosovën e pa zhvilluar ekonomikisht, ku papunësia është e lartë e çdo fushatë premtohet se do punësohen 200.000 punëkërkues e si përfundim punësohen ata që e njohin dikë në ndonjë institucion. Jetojmë në Kosovën ku pushteti më shumë i jep kërkesave që iu bëhen nga ambasadorët e vendeve mike tona, sesa kërkesat e popullit të vetë. Ku populli çdo vit gënjehet e mashtrohet nga të njëjtat fytyra e me të njëjtat fjalë, por me premtime gjithnjë më të mëdha. Jetojmë në Kosovën ku qytetarët e varfër, për të lëvizur të lirë në Evropë duhet të aplikojnë për vizë. Jetojmë në një vend të izoluar, pa zhvilluar e me korrupsion të mbulon deri në fyt e transparenca është fjalë e panjohur. E mbi të gjitha jetojmë në Kosovën ku shpresa për një jetë më të mirë na humbet çdo vit.
Shpresoj që do të vijë një ditë, që qytetarët e Kosovës të përfaqësohen meritorisht në Parlament, në Qeveri dhe në gjykata, ku korrupsioni nuk do ketë mundësi të thith oksigjenin që e thithim ne. Shpresoj që do të kemi mundësi punësimi, ku kriteri më i lartë për të punuar është merita, ku edukimi dhe arsimi nuk blihen. Shpresoj që do të vijë ajo ditë, ku gjithë ata që kanë migruar do kenë një arsye pse të kthehen e të jetojnë në vendlindjen e tyre. Shpresoj që një ditë edhe qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në Evropë. Nuk na mbetët ne qytetarëve të Kosovës vetëm të shpresojmë dhe ta shfrytëzojmë rastin tonë më të mirë në zgjedhje që t’ i realizojmë këto shpresa.