Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Kosovën Lindore, Ragmi Mustafa ka reaguar pas zgjedhjes se një gjykatësi serb nga Prokuplja në Gjykatën për Kundërvajtje në Komunën Preshevës për kundër aplikimit të shumë shqiptarëve. Ai ka thënë se për kundër që kandidatët shqiptarë i kanë plotësuar kushtet ata nuk janë përzgjedhur si rezultat i vazhdimit të politikës diskriminuese ndaj kuadrove shqiptar të Preshevës madje edhe vet shqiptarëve.
“Vazhdon politika diskriminuese kadrovike në Preshevë! Për gjykatës në të vetmën gjykatë ajo për Kundërvajtje në Komunën Preshevë, zgjedhet avokati Radomir Jukiq, avokat nga Prokuplja. Me zgjedhjen e tij janë injoruar kuadrot e paraqitur në konkurs, edhe pse të njejtit i kanë plotësuar të gjitha kushtet e parashikuara ligjore. Akti i zgjedhjes së një kuadri nga Prokuplja manifeston vazhdimin e qasjes diskriminuese ndaj kuadrove shqiptar të Preshevës madje edhe vet shqiptarëve. Ne këtê konkurs kanë aplikuar 4 konkurent shqiptar nga të cilët tre janë intervistuar dhe kanë arritur pikë maksimale. Kjo është njê dëshmi se Presheva po kthehet ne regjimin dhe gjendjen e viteve të ’90, duke përfshi në këtë rast dy nivelet e pushtetit qendror dhe atij lokal të njohur tani më si më famkeqit e keqëbërsve monstruoz për pozitën e shqiptarëve në Preshevë. Pushteti qendror u lejon partnerëve tê koalicionit qeverisës në Preshevë funksione minore drejtuese nëpër shkolla, u ndihmon materialisht në zgjedhje lokale ndërsa këta të mjerët leje që nuk arrijnë të rihapin gjygjin themelor, prokurorinë themelore, kufirin Miratoc-Llojan por edhe ato pak institucione shtetrore që janë po ua aprovojnë lehtësisht Beogradit qendror t’i drejtojnë dhe disponojnë. Prandaj, PDSH reagon shumë ashpër ndaj sjelljeve përtejdiskriminuese shtetrore serbe por edhe më ashpër ndaj autoriteteve të Pushtetit Lokal në Preshevë e të cilave para syve ua shembin institucionet jo vetëm ato shtetrore por edhe ku themelues është Kuvendi Komunal si Shtëpia e Kulturës, Biblioteka e qytetit, Teatri i Qytetit, pa lëshuar asnjë zë e mos flasim për kryerjen e ndonjë aktiviteti rezistues. Por, këta të mjerit kënaqen me mbylljen e këtyre institucioneve vetëm e vetëm pse edhe selia e PDSH-së është mbyllur së paku përkohësisht. Nga ana tjetër, ftojmë përfaqësuesit e ambasadave mike të Luginës së Preshevës të akredituara në Beograd për reagimin e kohshëm të tyre ndaj Pushtetit Qendror por edhe tërheqjen e vëmendjes ndaj këtyre në Pushtet Lokal sepse nuk kanë mandatin për diskriminim të heshtur ndaj shqiptarëve në Preshevë e më gjërë”, ka shkruar ai.