Rilind Gërvalla: Po, hapur kundër Zajednicës

Në debatet e këtyre ditëve kemi parë të pozicionuar oponionistë që kryesisht kritikojnë Opozitën. Shumica e tyre relativizojnë me argumente të dobëta kur debatohet për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj te Serbisë për “Zajednicën”. Nuk kontestohet assesi dialogu me një Serbi që nuk ndryshon asnjëherë politikat antishqiptare, përkundrazi i forcon ato. Në anën tjetër këta opinionistë që janë kryesisht të angazhuar me pagesë kritikën e bëjnë në kor, e veçmas kundër Opozitës e cila sipas tyre është fajtore që kundërshton “Zajednicën” me kartën nacionaliste e kundër serbëve. Assesi të dëgjojme, shohim a lexojmë prej tyre një kritikë qytetarie ndaj Zajendicës si ide raciste e që vjen nga hegjemonia e shtetit serb.

 Serbia ka një Shef Zyre për Kosovën, të cilën e emërtojnë sipas kushtetues të Serbisë së Krajlave dhe Millosheviqit “Kosovë dhe Metohi”, Marko Gjuriçin. Pra Serbia ka në preambulën e Kushtetutës së saj emërtim të vecantë për Kosovën si pjesë të Serbisë.

 

 Deklarata publike kërcenuese për qenien e shqiptarëve vijnë cdo ditë, si nga Serbia, si nga serbët e përzgjedhur nga regjimi serb e që janë në Koalicion qeverisës me PDK-LDK-në. Kujtojmë deklaratën fashiste të ish-ministrit Aleksandar Jabllanovic ku shqiptarët i quante “njerëz të egër”. Këtë politikë shoveniste e që burim ka qeverinë në Serbi e përcolli edhe Gjuriç para disa ditëve ku tha se kaosi që po mbizotëron në Kosovë do ta fuqizojë popullin serb, pra theksoi që nëpërmes “Zajednicës”, e me ndihmën edhe të bashkësisë ndërkombëtare Serbia do të jetë më e fortë sesa ka qenë ndonjëherë në Kosovë. Për më shumë, ky shef zyre për Kosovë nën Serbi vazhdoi të qëndrojë tek “beteja për Kosovën” e cila sipas tij nuk do të përfundojë asnjëherë dhe se “koha e serbëve do të vijë përsëri”.

 

 Se cilën kohë kërkon Serbia të vijë për serbët, këtë e di secili shqiptar që reagon kundër “Zajednicës”. Secili shqiptar që e ka jetuar kërcënimin e Serbisë e që e jeton Kosovën dhe që nuk ia ka fare frikën ndonjë lufte të re me Serbinë. Reagimi i shqiptarit duhet të vijë si mbrojtje për të ardhmen popullit të vet ndaj pasojave që i sjell një ide e tillë sikurse është “Zajednica”.

 

 Nëse sovraniteti nënkupton pavarësinë dhe të drejtën e shtetit të qeverisë veten, “Zajednica” si marrëveshje e cënon direkt. Po nuk pati Kosova sovranitet, nuk mund te kete as proces demokratik, as liri te shprehjes, as barazi para ligjit. E kundërshtuesit e “Zajednicës” mu këtë po e kërkojnë, Republikën e Barazisë. Atë republikë për të cilën qytetarët po përpiqen e po sakrifikohen vazhdimisht.

 

 Të krahasosh se si flasin pushtetarët e si flasin kritikuesit e këtij pushteti ta jep përshtypjen sikur jetojmë në dy bota të ndryshmë. Pushteti flet për një Kosovë ahtisariane me “Zajednicë”, duke e kamufluar si dicka që nuk e duan por që iu imponohet nga të huajt, e në anën tjetër kundërshtuesit e “Zajednicës” po e jetojnë përditshmërinë në Kosovë dhe po kërkojnë çdo ditë më shumë të drejta kolektive dhe kundërshtojnë cenimin e këtyre të drejtave.

 

Pozicionimi “i paanshëm” i opinionistëve të cilëve nuk iu pëngojnë fare deklaratat e Jabllanoviçit, as i Gjuriçit, as themelimi i një Liste Serbe që kërkon kthimin e Serbisë në Kosovë, është qëndrim hipokrit. Duket sikur nuk e jetojnë përditshmërinë e qytetarëve të Kosovës që duan të jetojnë të pavarur nga Serbia e Vuçiçëve e Daçiçëve. Kush dhe kur i ka pyetur ndonjëherë edhe vetë militantët, antarët e partive që dilnin me traktorë e vetura, se a e përkrahin dialogun e pakusht me Serbinë? A e përkrahin Zajednicën? Asnjëherë! Po, i është thënë këtij populli përsëritshëm ” Mos lypni më shumë se ju e dini se si kemi qenë dikur”.

 

 Kjo porosi që vjen kryesisht nga pushteti, e që përcillet nga opinionistët që kanë ” uzurpuar” hapësirën mediatike e na thonë ” hiqni dorë nga kërkesa”. E për më keq, të jetuarit e shqiptarëve nën Millosheviçin ia bejnë krahasimin me të jetuarit e serbëve në Republikën e Kosovës se argument tjetër për përkrahje të kësaj marrëveshjeje kundër të ardhmes nuk ka ngelur.

 

 Nëse kthejmë kokën nga Bosnja, ku projekti i “Zajednicës” u shndërrua në shtet brenda shtetit, shohim se sot u zgjodh si nënkryetare e kuvendit vajza e kriminelit Karagjiç. Pra kriminelët, spastruesit, ndoshta e humbën luftën por po e fitojnë paqen. E njëjta po ndodh tashmë edhe në Kosovë, ku po i vendosen rrugëve emra kriminelësh, ku po ngrihen statuja simbolesh çetnike, e ku po kthehen për vizita zyrtare komandantët ushtarakë që kanë dhënë urdhra për spastrimet më gjakësore që ka përjetuar populli ynë në dekadat e fundit.

 

 Ky rehabilitim i krimeve dhe kriminelëve të Serbisë nuk mund të pranohet nga populli jonë. Reagimet popullore po shtypen me kërbaç policor, ashtu siç po shtypen edhe mendimet e lira me kërbaçin psikologjik që e përdorin opinionistët. Në këtë proces, për të gjitha ato që po ndodhin, përgjegjësia e opinionistëve është e barabartë me përgjegjësinë e policëve.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …