Arton Musliu: Kushtetuesja sqaroi shumëçka por jo gjithëçka!

         Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar i interpretimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën . Këtë e thotë neni 112, pragrafi 1 i Kushtetutës sonë. Dhe kjo çështje është e padiskutueshme. Përkitazi me këtë, Gjykata Kushtetuese e Republikës, me kërkesë të Presidentës, si palë e autorizuar për të bërë parashtresë në këtë Gjykatë, ka nxjerrë një Aktgjykim në lidhje më përputhshmërinë e Parimeve të Përgjithshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky aktgjykim ka sqaruar shumëçka, por jo gjithçka. Kjo për disa arsye. Është praktikë juridike që interpretimi i çështjëve apo dispozitave  të kontestuara të bëhet në mënyrë koncize. Kjo për shkak se potencialiteti i interpretimit të tyre subjektiv është shumë i madh. Me gjithë faktin që Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, ajo duhet të jetë maksimalisht koncize dhe e qartë.

Sidoqoftë është e udhës të cekën gjetjet kryesore të Gjykatës.

Sipas saj, me ratifikimin e Marrëveshjes mbi Normalizimin e Marrëdhënieve në mës të Kosovës dhe Serbisë, të datës 19 prill 2013, me ç’rast është paraparë krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, asociacioni i tillë është bërë obligim ligjor për rendin juridik të shtetit tonë. Dhe, formimi i tij është i pa alternativë.

Asociacioni/Bashkësia nuk është në tërsi në përputhje me frymën e Kushtetutës, mirëpo arsyetimi për një gjë të tillë është shumë përgjithësues dhe shumë pak eksplicit e konciz.

Një asociacion i tillë duhet të jetë në pajtim me nenin 3, paragrafi 1 të Kushtetutës, që ka të bëjë me barazinë para ligjit; në pajtim me Kapitulin II të Kushtetutës, që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore; dhe me Kapitullin III të Kushtetutës sonë, që ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Asociacioni nuk duhet të prekë rregullimin qeverisës të Republikës i cili është në dy nivele, niveli lokal- Komuna dhe niveli qëndrorë- Qeveria

Gjen se Qeveria ka kompetencë për miratimin e një dekreti përmes së cilit do të formohet Asociacioni dhe një dekret i tillë do të vlerësohet nga Gjykata.

Statuti do të “korigjihet” nga vet Gjykata Kushtetuese

Eksplikimi i terminologjisë, Gjykata ka gjetur se fjalia e “exercise full overview” është dykuptimësh për shkak se në gjuhën shqipe përdoret si ”ushtrimin e vështrimit të plotë”, derisa në gjuhën serbe kjo fjali është përkthyer si “obavljanje potpunog pregleda” e që sipas gjykatës është i ngjashëm me kryerjën e auditimit. Po sipas Gjykatës, përkitazi me këtë çështje, formulimi që duhet përdorur duhet të jetë në pajtueshmëri me formulimin e Marrëveshjes së Parë, pika 4, sipas së cilës Asociacioni/Bashkësia do të ketë mbikqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimimit,  shëndëtësisë, planifikimit urban dhe rural, e që i bie se duhet të jetë i informuar. Pra Gjykata konstaton se fjalia “exercise full overview” ka kuptimin e informimit.

Pra, Kushtetuesja sqaroi shumëçka në lidhje me asociacionin. Por shtrohet pyetja cila është zgjidhja. Me qenë se është konstatuar se asociacioni duhet dhe do të formohet,  mendoj se në këtë drejtim Aktgjykimi i Gjykatës Kushteuese është i mangët për shkak se është përgjithësues e i papërcaktuar. Krejt çka ka gjetur ky aktgjykim është fakti se asociacioni duhet të jetë në pajtim me nenin 3, 7 12, me Kapitullin II dhe III të Kushtetutës, pastaj nenet 57, 59, 60, 61… Kjo për mendimin tim është praktikë e gabuar për shkak se një çështje kaq e ndieshme është dashur të marrë një përgjigje të sakt dhe koncize e assesi një “analizë” juridike. Përfundimisht, mendoj që ky Aktgjykim nuk do ta zgjidhë problemin e krijuar dhe për më keq një Aktgjykim i tillë do ta thelloj edhe më krizën aktuale politike. Kjo për një arsye të thjeshtë. Opozita tashmë ka filluar që të kërkoj dorëheqjen e Qeverisë me intenzitet më të lartë për shkak se pretendon se Qeveria ka shkelur Kushtetutën, derisa pozita do të insiston se ka obligim kushtetues formimin e një asociacioni të tillë, pas një refreshi që do t’i bën këtyre dispozitave të Parimeve mbi Asociacionin.  Në këtë kontekst Aktgjyimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë mjeti makiavelist për përmbushjen e agjendave politike të pozitës dhe opozitës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …