Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Kuvend është zhvilluar takimi i parë koordinues për dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeparlamentari Veseli tha me këtë rast se Kosova e ka zotimin e saj për dialog, para institucioneve, qytetarëve të saj dhe para partnerëve ndërkombëtarë.
“Kosova ka njerëzit e saj, të cilët do t’i dalin zot në proceset të cilat do të jenë sfiduese, në marrjen e vendimeve. Qëllimi pse shkojmë në dialog me Serbinë është i qartë: Njohja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia në kufijt e saj të shpallur më 17 shkurt 2008, ulësja në OKB dhe perspektiva shumë e qartë dhe shumë e drejtë euro-atlantike e Kosovës”, tha Veseli.
Përveç anëtarëve të ekipit negociator, në takim ishin të pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa munguan përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së.
Në takim u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit midis grupit negociator dhe drejtuesve instituconalë, lidhur me dialogun me Serbinë.
Kryeparlamentari Veseli, i cili drejtoi takimin, tha se në këtë fazë finale të përgatitjeve për dialogun me Serbinë, Kuvendi i Kosovës do të jetë vend i unitetit.
Kreu i Kuvendit tha se ky takim duhet të shërbejë për të gjetur format e bashkëpunimit dhe bashkërendimit, me qëllim të funksionimit sa më të mirë të ekipit negociator, për hir të interesave të vendit dhe një transparence sa më të plotë ndaj qytetarëve.
Veseli garantoi mbështetjen e plotë të Kuvendit në gjithë këtë proces, ndërsa theksoi nevojën e përcaktimit të një orari të takimeve në këtë format.