F. Shkreli: Një vit i keq për për lirinë e shtypit dhe darka gala e Edi Ramës me gazetarë


   Viti 2015 ishte një vit i dominuar nga sfida të mëdha botërore, ishte një vit i dominuar nga lufta, terrorizmi, nga shtypjet dhe kriza në shumë pjesë të botës.  Siç duket, sa më e keqe të jetë situata botërore dhe sa më të ashpëra të jenë tensionet në marrëdhënjet ndërkombëtare, puna e gazetarit jo vetëm që bëhet më e vështirë, por edhe më e rrezikshme, për të mos thënë më vdekjeprurëse.  Në këtë pikëpamje, as viti që kaloi nuk ishte një përjashtim.   Në të vërtetë, sipas Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) — një organizatë kjo e pavarur dhe jo fitim-prurëse e cila merret me mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës – në një njoftim për gazetarët, të shpërndarë të mërkurën –thotë se viti 2015 ishte “viti i katërt më vdekjeprurës” për gazetarët ç’prej kohës që KMG-ja ka filluar të mbledhë të dhëna të tilla, duke filluar nga viti 1992.


Në njoftimin që dërgoi për mediat, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gjatë vitit që posa kaloi — anë e mbanë botës — janë vrarë 71 gazetarë në krye të detyrës së tyre dhe 199 të tjerë janë burgosur vetëm e vetëm se kanë ushtruar profesionin e tyre. Këto shifra, sipas KMG-ës, e radhitin 2015 si vitin e katërt më të keq dhe më vdekjeprurës për gazetarët në pothuaj 25 vjetët e fundit.


 


Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se gjatë vitit që kaloi, “30 prej gazetarëve ose 42 për qind e tyre, janë vrarë ose kanë vdekur në duartë e grupeve ekstremiste, siç  është Shteti Islamik”. “Këto vrasje”, thuhet në njoftimin e KMG-ës, “kanë ndodhur ndërkohë që më shumë se gjysma e 199 gazetarëve të burgosur gjatë vitit 2015, kishin përfunfuar në birucë, nën akuza për veprimtari anti-shtetërore.”  Kjo situatë, sipas KMG-ës, “tregon se si shtypi dhe pjesëtarët e medias në përgjithësi, duhet të ushtrojnë profesionin e tyre në një situatë të rëndë midis grupeve të terroristëve dhe qeverive që gjoja pretendojnë se luftojnë terrorizmin.” KMG-ja përmend rastin e kryeredaktorit të revistës mujore të pavarur Hentah, njëkohsisht dhe regjisor i filmave dokumentar mbi Shtetin Islamik, Z. Naji Jerf, i cili u vra në Turqi fund vitin e kaluar.


 


Por, megjithëse viti 2015 ishte një vit vështirsishë me të cilat u përballua shtypi në përgjithësi anë e mbanë botës, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ka shënuar edhe sukses në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që sipas organizatës, me veprimtarinë e saj në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së medias anë e mbanë botës, ka kontribuar në lirimin e të pakën 50-gazetarëve të burgosur. Drejtori i KMG-ës, Courtney Radsch, tregohet optimist, ndërsa citohet në njoftimin e shpërndarë nga kjo organizatë mbi lirinë e shtypit gjatë vitit që kaloi, të ketë thënë se, “Ndonëse gazetarët përballen gjithnjë me sfida të mëdha botërore, ka arsye për shpresë” theksoi ai, duke shtuar se “Gjatë vitit 2016 organizata e tij do të vazhdojë t’u bëjë presion qeverive anë e mbanë botës që të lejojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre, të lirë dhe në rrethana sigurie.”


 


Ndërsa jemi  duke folur për lirinë e medias dhe për marrëdhënjet e gazetarëve me pushtetarët gjatë vitit të kaluar, nuk po më durohet pa përmendur edhe darkën që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi për drejtuesit dhe përfaqsuesit e medias shqiptare fund të dhjetorin e vitit të kaluar.  Një darkë e tillë në Tiranë duket se kishte për qëllim të organizohej sipas modelit të darkës që mbahet në Washington prej vitesh, jo vetëm me gazetarë por edhe me përfaqsues të dalluar të shoqërisë në përgjithësi dhe lloj-lloj politikanësh, e që në të vërtetë është një rast për tu qeshur dhe madje edhe për tu tallur me njëri tjetrin, mbrenda caqeve të moralit dhe njerëzillëkut. Është gjithashtu edhe një moment për të harruar, të pakën për disa orë, natyrën e punës sfiduese që për nga natyra ekziston midis gazetarëve, krye-pushtetarit të vendit dhe politikanëve në përgjithësi.


 


Por, ekziston një ndryshim i madh midis darkës gala të Kryeministrit Rama me gazetarët në Tiranë dhe asaj që organizohet në Washington. Kjo e Tiranës nuk ishte një darkë “alla Obama” siç e cilësuan disa media. Darka me gazetarët në Washington nuk organizohet nga Presidenti dhe as nga Shtëpia e Bardhë, por nga Shoqata e Korrespondentëve të akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë.  Ajo i bën ftesat. Për më tepër, përveç gazetarëve dhe tipave të medias, në darkën e Washigtonit ftohen edhe politikanë kundërshtarë të dy partive kryesore të vendit si dhe personalitete të dalluara në fusha të ndryshme të Amerikës. Por siç duket, në Tiranë është pak ndryshe, pasi ftesat për gazetarët që marrin pjesë në darkën me Kryeministrin, thuhet se i lëshon vet Kryeministria ndërkohë që as nuk ftohen personalitete politike të partive opozitare ose përfqsues të tjerë të shoqërisë. Merre me mend që në një tavolinë të darkës së Kryeministrit Rama të ishin të ulur edhe udhëheqsit dhe përfaqsues të opozitës!  Në këtë mënyrë, darka me gazetarët në Washington, të pakën në pamje e ka njëfarë lloj pavarësie dhe atmosfere tolerante e të relaksuar dhe nuk konsiderohet si një takim ku presidenti fton të preferuarit e vet nga media ose që si shpërblim, me pjesëmarrjen e tyre, të presë që të trajtohet më mirë nga media.


 


Nuk mund të them as për Kryeministrin Rama se mund të priste ndonjë favor nga gazetarët e ftuar shqiptarë në darkën e tij, ndonëse nuk di se cilët gazetarë ishin ata që morën pjesë dhe cilët jo dhe si u zgjodhën ata.  Por, ajo që të bie në sy nga ai takim, e që fatkeqsisht ishte për të ardhur keq, sepse në përgjithësi, dukej se ishte një darkë tepër serioze, plot tensione, me pjesëmarrës të ulur në tavolina që dukeshin se mendonin se do ndoshta do të ishin më të kënaqur diku tjetër. Madje, kjo atmosferë e rëndë, shkaktoi që vet Kryeministri Rama në fjalën e tij, u përpoq ta thyente atë atmosferë të akullt që mbizotëronte në sallë, e të cilën ai në të vërtetë qqë në fillim e cilësoi si një “atmosferë ngushëllimesh”.


 


Nuk duhet të jetë kështu. Marrëdhëniet midis pushtetit dhe medias si dhe respekti reciprok janë të rëndësishme kur të dy palët me të vërtetë respektojnë lirinë e shtypit.  Puna e gazetarit është tepër e rëndësishme gjtihashtu sepse media konsiderohet si pushteti i katërt! Andaj, në marrëdhëniet e tyre, si pushtetarët ashtu edhe gazetarët duhet të jenë të bindur se liria e shtypit, nuk është një shprehje akademike, por është një e drejtë themelore, ndër të drejtat bazë të njeriut. Dhe si e tillë, ashtu duhet të konsiderohet dhe të mbrohet jo vetëm nga pushtetarët, por edhe nga vet gazetarët. Gazetaria shqiptare përballet me sfida të mëdha.  Si rrjedhim dhe në këtë kuptim, duhet të pranohet nga të gjitha palët se respekti i pushtetarëve ndaj përfaqsueve të medias dhe mbështetja pa kompromis e qeverisë dhe e partive politike ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit në përgjithësi, është një element kritik dhe i pazevëndsueshëm për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Respekti reciprok për punën e njëri tjetrit, do të mundësonte që në raste siç ishte darka me gazetarët në Tiranë, të mbizotëronte një atmosferë paksa më e relaksuar dhe me më shumë të qeshur.  Nuk e di nëse mungesa e një atmosfere më të butë dhe më miqësore në darkën e organizuar për gazetarët nga Kryeministri Rama ishte për arsye të mos respektit dhe mosbesimit ndaj njëri tjetrit, apo për arsye frike nga njëri tjetri.


Për të mirën e shoqërisë, të dy palët – pushtetarët dhe gazetarët — duhet të bëjnë më shumë drejtë një komunikimi më të mirë më të respektueshëm dhe më të frutshëm midis tyre, të dy palët të vetdijshëm se “Shtypi i lirë nuk është një privilegj, por është një nevojë organike e një shoqërie të madhërishme dhe të suksesshme”, ka thënë ish gazetari amerikan Walter Lipman .”   Sepse në fund të fundit, vetëm një media e lirë mund t’i shërbejë një populli që dëshiron të jetë i lirë, sepse siç ka shkruar edhe Thomas Jeffersoni, nëqoftse të gjithë ia duan të mirën vendit – si pushtetarët ashtu edhe gazetarët — atëherë, në një vend, “Ku shtypi është i lirë dhe i pavarur dhe ku çdo njeri mund të lexojë, aty çdo gjë është e sigurt dhe në rregull.” 


 


 


 


Frank Shkreli: Nuk duhet të lejojmë të dëmtohet harmonia fetare e shqiptarëve


 


Media të ndryshme botërore, përfshirë edhe ato shqiptare, kanë shpërndarë një lajm gjatë ditëve të fundit — të pa konfirmuar nga Vatikani  — se  Papa Françesku do të  vizitojë Kosovën gjatë vitit 2016.  Natyrisht se një vizitë e tillë në Kosovë nga udhëheqçsi shpirtëror i Kishës Katolike do të ishte një lajm i mirë për një vizitë që do të ishte historike për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar. Besoj se ky lajm për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, gjatë vitit që posa filloi, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose aleancash dhe qëndrimesh politike.


 


 Mirëpo, lajmi i gëzueshëm mbi një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, megjithëse i pa vërtetuar zytarisht, u pasua pothuaj menjëherë nga një lajm tjetër  në mediat e Kosovës, një lajm që është njëkohësisht aq i keq sa ishte edhe i papritur kur të merret para sysh harmonia fetare midis shqiptarëve gjatë shekujve, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe në diasporë.   Nëse ky lajm i keq dhe i hidhur ka të bëjë me vizitën e mundshme të Papës në Kosovë ose jo këtë vit, kjo mbetet për tu parë. Por sido të ta marrësh,   ky ishte një lajm që që nuk ishim mësuar të dëgjonim dhe i cili sipas shumë komenteve në portale të ndryshme, shikohet dhe po komentohet si një përpjekje për të goditur rëndë harmoninë fetare shekullore me të cilën shqiptarët janë treguar dhe tregohen edhe sot krenarë para botës. Konsiderohet si një lajm i keq ky i cili, sipas shumë reagimeve në portale të ndryshme, turbulloi shpirtërat dhe shkaktoi dhembje të madhe dhe tronditje shqetësuese në radhët e shqiptarëve vullnet mirë të të gjitha feve pa dallim dhe kudo.


 


Bëhet fjalë për një lajm të turbullt i ditës së shtunë nga Kosova, i cili sipas medieve është konfirmuar edhe nga Policia e Republikës së Kosovës në Prizren e cila njoftoi se ka filluar bërjen e hetimeve për kapjen e keqbërësit ose keqbërësve. Fjala është për prishjen e disa varrezave të komunitetit katolik shqiptar në  fshatin Romajë të Hasit, Komunë e Prizrenit. Ndërsa kanë filluar hetimet, Policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment mbi arsyen e mundshme të prishjes së varrezave katolike, ndërkohë që deklaroi se deri tani nuk ka as të dyshuar.


Prifti katolik Don Ndue Ballabani, përgjegjës për ato varreza, është shprehur se varrezat  e banorëve Dedaj të Romajës kanë qenë objekt sulmesh edhe më parë, por sipas tij, nuk e kanë bërë të madhe këtë çështje, siç duket në përpjekje për të ruajtur harmoninë dhe marrëdhëniet ndërfetare të asaj zone.   Don Ballabani ka deklaruar se “Çdo gjë që ka të bëjë me kryqin është demoluar” në varrezat e Romajës, të cilat sipas tij “janë 200 vjetë të vjetëra”, citohet t’i ketë thënë ai  gazetës Express dhe shprehet se ka uzdajë se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast dhe që ata që kryen këtë vepër penale, të kapen dhe të marrin dënimin e meritueshëm nga drejtësia.


Autoritetet e Republikës së Kosovës e dënuan menjëherë dhe ashpër dëmtimin e varrezave. Në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.


 


Ndër reagimet e tjera të para ndaj prishjes së varrezave të shqiptarëve katolikë në fshatin Romajë, ishte edhe komenti që bëri Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Z. Ramush Haradinaj në faqen e tij Facebook i cili e karakterizoi prishjen e varrezave katolike në Romajë si, “një akt qyqan dhe si një përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë”.   Ish-Kryeminsitri i Republikës së Kosovës e dënoi ashpër këtë akt dhe kërkoi nga “Organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, shtoi ai.   Ramush Haradinaj shkruan se, “Varrezat janë objekte të shënjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë.   Prandaj nuk do të lejojmë askend që të na i rrezikojë këto vlera”.  Z. Haradinaj shprehet se dëshiron të besoj se ky është një akt kriminel dhe keqbërsish ordiner, por përfundoi ai reagimin e tij duke thënë se “Pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”.


 


Në pritje të zbardhjes se këtij rasti të shëmtuar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe pa dashur të arrijë në ndonjë konkluzion pa pasur fakte mbi motivin dhe mbi identitetin e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar — akte të tilla si ky i javës që kaloi dhe herë të tjera më parë në fshatin Romajë të Hasit të Komunës së Prizrenit, janë shënja të këqia dhe përbëjnë sulme që godisin drejtë për drejtë mu në zemër të bashkjetës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, të cilët deri më sot ishin shembëll për botën në këto marrëdhënje.  


 


Në interesin e kujt është që të mbytet harmonia fetare shekullore midis shqiptarëve dhe të zhduket respekti që shqiptarët kanë gëzuar dhe kultivuar gjatë historisë me njëri tjetrin?   Ata që me akte të tilla — siç është prishja e varrezave katolike në Romajë të Hasit — dëshirojnë dhe shpresojnë të mbjellin urrejtje midis shqiptarëve në baza fetare, nuk besoj se do t’ia dalin, por ata duhet të izolohen dhe të luftohen na shoqëria sa më parë që të jetë e mundur, para se të jetë tepër vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …