Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919, një sagë shqiptare… I

Me qëllim për të ndriçuar fakte dhe argumente për të drejtat e shkelura  vijimisht të shqiptarëve nga shtetet e Evropës, në të kaluarën e deri në ditët tona, kemi analizuar  dhe e kemi ndarë në 12-pjesë kryesore  fjalimin e  Gjergj Fishtës, të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, kur Fuqitë e Mëdha ishin në dilemë, ta lënë të ekzistonte një çerek Shqipërie, apo  ta zhbëjnë në tërësi.   Pa dyshim kemi të bëjmë me  fjalimin  më monumental që ka mbajtur një intelektual  shqiptar në një Konferencë ndërkombëtare, ku ishte vulosur padrejtësisht fati i kombit e i atdheut tonë. Fishta kishte vënë në përdorim krejt energjitë e tij intelektuale, krijuese, njohëse, filozofike e politike, për ta mbrojtur në radhë të parë të vërtetën, parimet demokratike të shkruara në kartë, parimin e vetëvendosjes së kombeve, parimin historik, gjeografik dhe etnik me rastin e përcaktimit të kufijve ndarës mes popujve, në Ballkan.  Mbi të gjitha, në fjalimin e tij ai kishte përdorur fakte të dorës së parë, argumente që i dinin shumica e pjesëmarrësve. Kishte shkëlqyer me dijen e tij historike e politike dhe përkushtimin më të lartë të mundshëm për ta mbrojtur kombin e atdheun, për ta mbrojtur një të vërtetë që po shkelej brutalisht e mizorisht  dhe  në pikë të ditës, nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, kundër popullit më të lashtë të saj, i cili gjatë shekujve të luftës për ekzistencë ishte sulmuar mizorisht si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga turku e sllavi, por nuk ishte dhënë, pavarësisht se iu kishin gjymtuar rëndë gjymtyrët, të cilat po vazhdojnë t’ i gjymtohen e t’i nëpërkëmbën edhe më tej.

 

           Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, kur Fuqitë e Mëdha ishin në dilemë ta lënë të ekzistonte një çerek Shqipërie, apo  ta zhbëjnë në tërësi,  pa dyshim është njëri ndër  fjalimet më antologjike për nga përmbajtja, në të gjitha diskurset e karakterit dhe temës së tillë, është një sagë e shkuar Sagës, është një manifest e shkuar Manifestit, është fjala e intelektualit dhe burrit të Shqipërisë së kohës, i cili nuk  kishte kursyer asnjë fjalë pa ia zbrazur në fytyrë autoriteteve të Evropës së kohës, të cilët trojet shqiptare ia kishin bërë tapi Serbisë, Greqisë, Malit të Zi e Bullgarisë. Zëri i Fishtës në Konferencën e Parisit ishte akuza e vërtetë, e cila edhe pas afër 100 vitesh, tingëllon sikur të ishte hartuar sot. Ishte një bombë për t’ia çjerrë maskën hipokrizisë, djallëzisë, egërsisë të projekteve që po hartoheshin për ta zhbërë Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Por sot, mjerisht, kombi nuk ka një personalitet si Gjergj Fishta, Fan Noli, apo Ismail Qemali, për t’ia përplasur Evropës të ligat e babëzitë 100-vjeçare kundër shqiptarëve.

           Sa të mjerë e të përkulur duken sot para Evropës, Bujar Nishani, Atifete Jahjaga apo Isa Mustafa? Sa fortë do të mjerohej Fishta i madh po të ishte gjallë dhe po  t’ i shihte këta xhuxhët e pa prokopi si servilosen e përjargen para nipave e mbesave  të po asaj Evrope, sprihë e shtrigë e Motit, të cilën ai nuk e kishte kursyer, por ia kishte hedhur në surrat të gjitha krimet monstruoze që kishte ndërmarrë kundër shqiptarëve.

 

            Rikthimi për studim i këtij fjalimi ka për qëllim krijimin e një promemorie historike  për të parë e për t’ u bindur, përse Evropa në mënyrë konstante mban qëndrim jo vetëm të rezervuar ndaj shqiptarëve, por edhe qëndrim stigmatizues, fyes e shumë poshtërues, sidomos me rastin e Kosovës.

 

            E di se këto pyetje  tingëllojnë egërsisht te “ashikët” e sotëm të dashuruar marrëzisht në “Evropën barby” të Brukselit, tingëllojnë pabesisht te të gjitha ata qindra mijëra shqiptarë, “fatosa”, që kanë ngelur në verigat e shteteve të Evropës dhe as bëjnë dot prapa kthehu, as çajnë kokën për Atdheun, “më sa çajnë për shkarpat e hedhura të motit”. E di po ashtu se fjala e drejtë, e vërtetë, e dëshmuar dhe e faktuar nuk mjafton për t’ ia drejtuar padrejtësisë, por në analizën time, kam mbi kokë ombrellën e Fishtës, fjalën e tij të latuar e të gatuar si Platoni dikur, të thënë me gjuhën e Sokratit dhe të mbrojtur me shembullin e Perikliut.

             Me fjalët dhe gjuhën e zjarrtë të Fishtës, nuk do të spekuloj, jo vetëm sepse kam konsideratën më të madhe të mundshme për Homerin shqiptar, por sepse fjala e tij flet vetë, andaj nuk e kam të vështirë ta rikthej Fishtën në qendrën e Brukselit, për ta parë Evropën e vitit 2016 dhe përpjekjet e përpëlitjet e politikanëve shqiptarë, aq të dashuruar në Bashkimin Evropian, po aq sa dikur gjyshërit e tyre, 110 vjet më parë, kur  qenë nisur këmbë për të vajtur  në Stamboll dhe për t iu thënë turqve, ne nuk e japim Sulltanin, pavarësisht se ju e keni shkarkuar.

             E tillë dhe e verbër është sot dashuria për BE-në e Mustafës, Thaçit, Ahmetit, pse jo edhe e Edi Ramës, i cili nganjëherë nuk kursen fjalë nga fjalori poetik-politik i Fishtës, por fjalët e tilla thuhen sa për t’u thënë.

 

 

Ja si i drejtohej Fishta autoriteteve të Evropës, edhe kur ata i “tharpnin hundët”

 

1. “ Shqiptarët u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisur me një forcë të jashtëzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruajnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshërve të vet dhe sot ata gjithnjë e punojnë po atë tokë të cilën e punuan të parët e tyre prehistorikë. Ky popull është pikërisht ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohur dhe aq zi i gjykuar në Evropë. I vjetër sa fosilet, sa stalagtitët e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindur të thuash prej vetë rrënjëve të vjetra, ai është edhe  sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta”

 

Çka mund t’ i shtojmë këtij konstatimi sot pas 97 viteve? Evro-politikanët tanë as e kanë lexuar Fishtën as merren “ me folklorin e tij”. Ku të marrin guxim këta “sarhoshë” t’ iu thonë autoriteteve në Bruksel” “Ky popull është pikërisht ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohur dhe aq zi i gjykuar në Evropë!”. Jo, kjo fjali nuk mund të shqiptohet në asnjë gjuhë botërore nga politikanët tanë, në Bruksel, shqip jo se jo.

 

2. Por a mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka zhvilluar  për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej një ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pavarësisë së vendit të vet.

E mos kujtoni se me vdekjen e Skanderbegut u shua ndjesia e lirisë dhe e pavarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turqisë ka shënuar jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bëni qeverisë otomane ose për të shpëtuar prej zgjedhës së sajë, ose për të mos ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pavarësia e Greqisë është  një lule e rimur me gjak të shqiptarit. Xhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folur dhe me trimëri shqiptare kanë luftuar. Jo besa, por Greqinë e kanë liruar shqiptarët… por, në mos dashtë me ju a thënë të vërtetën Venizellosi, ja u kallëzon Lamartine, i cili, duke folur për pavarësinë e  Greqisë, thotë se “kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristian  brenda Greqisë kundra elementit turk”.

 

Sa e sa përpjekje janë bërë dhe bëhen sot, nga disa historianë të vendit e të huaj  që luftën e Skënderbeut ta paraqesin si luftë për mbrojtje të krishterimit, kur Evropa e krishterë e kohës, kishte rezervë dhe nuk i besonte qëndresës së Gjergj Kastriotit, dhe pikërisht sepse tmerrohej nga sulltanët, nuk e ndihmoi Skënderbenë, madje e ndihmoi aq pak sa edhe përpjekjet mbinjerëzore që bënë disa studiues shkuan kot, sepse realiteti gjithmonë demanton gënjeshtrën.

Sot politikanët tanë servilë i përkujtojnë Evropës se Skënderbeu paskësh qenë “atlet i Krishtit”, por harrojnë se ata  vetë e kanë ‘tradhtuar” atë gjakun e Krishtit brenda tyre, sepse për hir të Evropës kanë qenë dashur të rikonevtohen, të paktën në mënyrë laramane, si paraardhësit e tyre.

Fishta ishte shqiptar i krishterë, por nuk pranoi të iu thoshte evropianëve gënjeshtrën e lyer me servilizëm se Skënderbeu kishte luftuar për ta mbrojtur krishterimin. Jo, ai u kthye në Atdhe me qëllim për t’ i bashkuar shqiptarët dhe për t’ i çliruar nga sundimi turk, me qëllim për ta krijuar shtetin e përbashkët shqiptar, deri atëherë  të degdisur  nëpër principata, fise e bajraqe.

 

3. Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën,  në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

 

Kjo pjesë e fjalimit të Fishtës, për mendimin tim, pjesa më antologjike,  nuk është aspak nën fjalimet e Dhemostenit 1), që kishte mbajtur para athinasve në kohën e Fillipit të Dytë,  për nga vokacioni, temperamenti, burrëria, guximi intelektual shqiptar, të cilën për herë të parë po detyroheshin  ta dëgjonin autoritetet e larta të  Evropës, në nivel të një retorike të thellë, realiste,  politike, shoqërore e historike. Është e natyrshme të kuptohet se, asnjë anëtar dhe asnjë pjesëmarrës në konferencë nuk kishte pritur një fjalim të tillë, diskreditues për ta,  nga një prift katolik, si përfaqësues i shqiptarëve, sepse ai nuk fliste për shqiptarët katolikë e ortodoksë, por për të gjithë shqiptarët pa dallim feje.

Krahasimi që Fishta i kishte bërë pushtimit turk 500-vjeçar në Shqipëri dhe goditjes që kishte marrë kombi nga serbët, malazezët, grekët e bullgarët, me bekimin e shteteve të mëdha të Evropës, prej vitit 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, ishte poenta më atakuese kundër Fuqive të Mëdha. Këtë të vërtetë Fishta ua kishte thënë troç evropianëve në Paris,  pa modesti, pa ekuivoke, pa servilizëm,  sikur flasin mekur politikanët tanë në Bruksel. Ata realisht nuk flasin fare, por nënshkruajnë marrëveshje pas marrëveshjeje në dëm të Kosovës dhe interesit shqiptar në përgjithësi.

Fjalimi i Fishtës në Konferencën e Paqes ishte fjalim historik, mbasi i vetmi fjalim historik i këtij lloji, duke kapërcyer të gjithë bashkëkohësit, në radhë të parë sepse Fishtës nuk i mungonte guximi për ta mbrojtur çështjen shqiptare, nuk i mungonte njohja e historisë, traditës, kulturës, nuk i mungonte perceptimi realist i politikave të kohës, nuk i mungonte asgjë prej gjëje për ta thënë troç të vërtetën, ashku sikur nuk  i kishte munguar guximi Avni Rrustemit,  një vit më vonë, për ta vrarë tradhtinë, mu në mes të Parisit. I jap vetes të drejtë të paragjykoj se ky fjalim, të cilin Avni Rrustemni  me siguri se e kishte lexuar, kishte ndikuar përfundimisht në aktin e tij të ndëshkimit edhe fizik  Esat Toptanit, i cili kishte vënë në ankand trojet  e Shqipërisë.

 

1). Demosteni, një nga oratorët më të mëdhenj të Athinës, admirohej, sa për sinqeritetin politik, po aq edhe për gojëtarinë e tij të jashtëzakonshme. Demosteni i përdori dhuntitë e tij si orator për të ndezur popullin e Athinës kundër maqedonasve, në fillim kundër Filipit II, pastaj kundër Aleksandrit. Seria e fjalimeve të Demostenit kundër Filipit, frymëzoi Ciceronin, i cili u dha fjalimeve të tij kundër Mark Antonit, të njëjtin emër

 

 

Ahmet Qeriqi

Janar 2016

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …