Me qëllim për të ndriçuar fakte dhe argumente për të drejtat e shkelura vijimisht të shqiptarëve nga shtetet e Evropës, në të kaluarën e deri në ditët tona, kemi analizuar dhe e kemi ndarë në 12-pjesë kryesore fjalimin e Gjergj Fishtës, të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, kur Fuqitë e Mëdha ishin në dilemë, ta lënë të ekzistonte një çerek Shqipërie, apo ta zhbëjnë në tërësi. Pa dyshim kemi të bëjmë me fjalimin më monumental që ka mbajtur një intelektual shqiptar në një Konferencë ndërkombëtare, ku ishte vulosur padrejtësisht fati i kombit e i atdheut tonë. Fishta kishte vënë në përdorim krejt energjitë e tij intelektuale, krijuese, njohëse, filozofike e politike, për ta mbrojtur në radhë të parë të vërtetën, parimet demokratike të shkruara në kartë, parimin e vetëvendosjes së kombeve, parimin historik, gjeografik dhe etnik me rastin e përcaktimit të kufijve ndarës mes popujve, në Ballkan. Mbi të gjitha, në fjalimin e tij ai kishte përdorur fakte të dorës së parë, argumente që i dinin shumica e pjesëmarrësve. Kishte shkëlqyer me dijen e tij historike e politike dhe përkushtimin më të lartë të mundshëm për ta mbrojtur kombin e atdheun, për ta mbrojtur një të vërtetë që po shkelej brutalisht e mizorisht dhe në pikë të ditës, nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, kundër popullit më të lashtë të saj, i cili gjatë shekujve të luftës për ekzistencë ishte sulmuar mizorisht si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga turku e sllavi, por nuk ishte dhënë, pavarësisht se iu kishin gjymtuar rëndë gjymtyrët, të cilat po vazhdojnë t’ i gjymtohen e t’ i nëpërkëmbën edhe më tej.
4. Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…
Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, sipas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim para sysh mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe evropiane, kisha me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, në mos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?
Ky përshkim realist i Fishtës, edhe sot e kësaj dite është krejt aktual. Edhe sot, Beogradi, Moska, Athina, Brukseli, pretendojnë se shqiptarët nuk mund të vetëqeverisën, andaj duhet të vazhdojnë të jenë të ndarë në gjashtë shtete. Ndërsa sa i përket barbarisë së popujve, Fishta asokohe kishte sjellë fakte rrëqethëse të barbarisë së kombeve të mëdha, të cilat i kemi parë dhe i kemi përjetuar mbi kurriz. Në luftërat e Serbisë kundër kroatëve, boshnjakëve myslimanë dhe kundër shqiptarëve, u dëshmuan fjalë për fjalë konstatimet realiste të Homerit të shqiptarëve. Edhe pse serbët barbarë vranë dhjetëra mijëra shqiptarë, në mesin e tyre 1200 fëmijë, asnjë fëmijë i vetëm serb nuk u vra nga UÇK-ja dhe nga asnjë shqiptar tjetër. Edhe pse serbët dhunuan mijëra gra shqiptare, as edhe një femër e vetme serbe nuk u dhunua nga shqiptarët, gjatë luftës jo se jo, po as pas luftës, sepse po të ishte dhunuar qoftë edhe një e vetme, Beogradi do ta kishte shpallë “shenjtëreshë”, do t’ i kishte ngritur lapidar, do të kishte kërkuar që lapidari i tillë të merret në përkujdesje nga UNESCO-s. Po të ishte vrarë, vetëm një fëmijë serb, (larg qoftë po të ishte masakruar sikur mijëra fëmijë shqiptarë), emri i tij do të kishte qenë emri numër një i kombit dhe do t’ iu kishte ngritur përmendorja mu në sheshin më të madh të Beogradit, pse jo edhe në Paris apo në Bruksel.
Ja pse fjalimi i Fishtës ishte antologjik, ja pse ishte fjalimi më përmbajtësor, më i thellë dhe më akuzues se të gjitha fjalimit tok të pasardhësve të tij, por mjerisht fjalimin e tij, (marr përgjegjësi ta them), nuk e kanë lexuar: Isa Mustafa, e Hashim Thaçi. Nuk mund të jem i sigurt se e ka lexuar apo jo, Edi Rama. Po edhe nëse e kanë lexuar, ata, ose nuk e kanë kuptuar mesazhin ose e kanë injoruar si një fjalim të kohës së perënduar.
5. Serbët, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqëzuar shqiptarë në shekullin 20-të, ndërsa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njeh këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pavarun. Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Edhe kjo pjesë e fjalimit të Fishtës e deklaruar në vitin 1919 në Konferencën e Paqes, në Paris, ilustron më së miri, faktin se edhe gati një shekull më vonë Serbia e Greqia kanë mbetur po ato, ndërsa edhe shqiptarët po ata, pa krijuar dot një ushtri kombëtare, pa u faktorizuar ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht.
Pse të mos e pranojmë, të paktën për hir të respektit që kemi të gjithë shqiptarët për Fishtën se prej kohës kur kishte folur, ( por edhe shumë të tjerë), ne nuk kemi arritur të bëhemi faktor, jo vetëm sepse kemi pasur mbi kurriz serbët, grekët dhe evropianët serbo-grekë, por edhe atëherë kur kemi qenë aleatë me të fortët, që na kanë ndihmuar të çlirohemi. Politikanët tanë krenohen me dy shtete shqiptare. Shteti shqiptar i shpallur në vitin 1912, i cili ka ngelur po me ata kufij, dhe, Shteti i pavarur i Kosovës i shpallur në vitin 2008, por ende shumë i varur nga BE-ja dhe nga Serbia. Një shtet që ka mbetur peng i politikave të po atyre shteteve evropiane, që 98 vjet më parë kishin sakatasor dy të tretat e trojeve shqiptare. Një Kosovë e pavarur me një Serbi përbrenda, me një Bruksel mbi kokë, që nuk e lejon të marrë frymë, në qoftë se edhe vetëm verbalisht kërcënohet qoftë edhe një pijanec apo kriminel serb. Për ta interesohet Evropa, sepse si shtet xhandar i saj, Serbia nuk ka vepruar kokë me vete. Ajo ka realizuar qëllimet politike të Evropës së dikurshme dhe të sotme, qëllime të liga këto, të cilat në vitin 1999 i ndëshkoi Amerika me aleatët e vetë, deshën apo nuk deshën këta evropianët e moderuar, por gjithmonë miq besnikë të serbëve e sllavëve në përgjithësi, kuptohet në radhë të parë për interesa ekonomike, tregtare, politike, fetare, etj.
6. E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pavarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pavarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botënore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pavarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbët nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Slloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirëpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen robë të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Një vit para fjalimit të Fishtës, në Konferencën e Paqes, ishte mbajtur Konferenca e Versajës, e cila kishte legjitimuar pushtimin e tokave shqiptare nga Greqia, Serbia e Mali i Zi. Fishta u kishte thënë troç francezëve se ata kishin lejuar bashkimin e fiseve sllave në një shtet të vetëm, sikur ishte e ashtuquajtura Mbretëri Serbe, Kroate, Sllovene (MSKS), po Evropa nuk kishte lejuar bashkimin e fiseve apo të tokave shqiptare në një shtet unik, por atë e kishin ndarë në pesë pjesë.
Edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shumica e shteteve të Botës, Bashkimi Evropian dhe pesë shtete të unionit të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, vazhdojnë të njëjtën politikë të gjyshërve të tyre. Ata tani po bëjnë përpjekje, madje të suksesshme që ta ndajnë edhe Kosovën dhe të krijojnë një shtet të ri serb brenda saj. Mjerisht këtë projekt të Beogradit e të BE-së po mundohen ta realizojnë disa politikanë shqiptarë të sojit të Esat Toptanit dhe Ahmet Zogut, në kohën kur shqiptarët janë të privuar të kërkojnë krijimin e shteteve të tyre të vogla, në Serbi, Kosova Lindore, në Mal të Zi, troje që iu morën Shqipërisë në vitin 1918, dhe në Maqedoni, ku shqiptarët përbëjnë gati gjysmën e popullatës autoktone, të këtij shteti hibrid jo të krijuar nga Evropa e Versajës, por nga pjella e saj, nga Jugosllavia e Titos, në vitin 1945.
Ahmet Qeriqi
Janar 2016